Deputeti Bardh Spahia ka reaguar për largimin e Evis Salës nga posti i ministres së Shëndetësisë, duke kërkuar përgjigje për arsyet e dorëheqjes.

Spahia ngre pikëpyetje mbi tenderët, rolin e Edi Ramës, ndikimin e konsulentëve të huaj dhe nëse ish-ministrja ka hasur presione për çështjet e hetuara nga SPAK. Ai i bën thirrje Salës të flasë dhe t’u tregojë shqiptarëve “çfarë nuk iu lejua të realizonte” dhe cila ishte “thyerja e besimit.”

Deputeti i shprehet se “heshtja e sotme është bashkëfajësi e nesërme” ndërsa kërkon transparencë për qytetarët.

Në fund, ai e mbyll me shprehjen “e vërteta do t’ju çlirojë”, të shkruar në latinisht.

Reagimi i plotë:

Pyetje publike për largimin e Evis Salës nga posti i ministres.

Largimi i djeshëm nga detyra nuk mund të mbyllet thjesht me një falenderim protokollar apo me fraza boshe administrative. Kur bëhet fjalë për shëndetësinë publike dhe jetën e qytetarëve, llogaridhënia nuk është opsion, por detyrim kushtetues dhe moral.

​Përtej njoftimeve zyrtare, mbeten pezull disa pyetje të drejtpërdrejta publike për ish-ministren e cila vetëm pak kohë më parë deklaronte se po mundohej të kuptonte problematikat e shkaqet e gjendjes së sistemit shëndetësor dhe se "e mundura nuk ishte e pamundur të bëhej e mundur":

A ishte vendimi i fundit konfirmim i faktit që është e pamundur të ndryshojë diçka në sistemin shëndetësor shqiptar të zhytur në korrupsion, për sa kohë ky korrupsion kontrollohet dhe drejtohet nga vetë kryeministri?

A erdhi kjo dorëheqje (shkarkim) pas përplasjeve mbi vendimin e Edi Ramës për futjen e “operatorit të ri” në tregun shëndetësor si mënyrë për të kontrolluar çdo tender dhe koncensionet që po gëlltisin buxhetin e shtetit?

​Cili është roli dhe lidhja e Edi Ramës me konsulentët e huaj (përfshirë shtetasin izraelit Sani Sanilevich të përfolur gjerësisht në korridoret e dikasterit) në vendimmarrjet për investimet strategjike?

​Çfarë konkretisht ju kërkoj dhe çfarë nuk ju la të realizonit Edi Rama gjatë mandatit tuaj? Ku ndodhi thyerja e besimit?

​Pse u emëruat realisht? Cili ishte misioni apo projekti specifik për të cilin u përzgjodhët në krye të këtij dikasteri. Reforma strukturore apo ruajtja e status-quo-së së tenderëve?

A shërbeu mandati juaj për të neutralizuar apo kontrolluar zërin e shoqërisë civile në sektor, duke shfrytëzuar lidhjet dhe ndikimin e krijuar ndër vite?

​A ishit pro apo kundër skemës së përqendrimit të blerjeve në shëndetësi, që kufizon garën dhe favorizon operatorët e paracaktuar?

A keni pasur presione apo kërcënime nga kryeministri Rama dhe paraardhësit tuaj në detyrë për të mos dëshmuar dhe për të mos bashkëpunuar me SPAK-un mbi dosjet e hapura të sterilizimit, check-up-it dhe laboratorëve?

A keni denoncuar ndonjëherë zyrtarisht abuzimet që gjetët në tryezë, apo zgjodhët kompromisin e heshtur deri në ditën e largimit?

​Shëndetësia shqiptare nuk mund të trajtohet si departament i transferimit të parave publike në llogari private. Qytetarët meritojnë trajtim dinjitoz dhe transparencë. Heshtja e sotme është bashkëfajësi e nesërme.

Zonja Sala për një mjek nuk ka asgjë më të shenjtë se shëndeti dhe jeta e njeriut, të dalësh sot e t’u thuash të vërtetën shqiptarëve që luftojnë për jetën do ishte në një farë mënyre të bësh të "pamundurën të mundur".

VERITAS VOS LIBERABIT.