Tulsi Gabbard ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare në administratën e Donald Trump, duke i dhënë fund muajve të tensioneve dhe zërave për përplasje të forta me presidentin amerikan. Sipas mediave, Gabbard ia dorëzoi personalisht letrën e dorëheqjes presidentit gjatë një takimi në Zyrën Ovale të premten. Ajo do të largohet zyrtarisht nga posti më 30 qershor.

Arsyeja kryesore e largimit të saj lidhet me gjendjen shëndetësore të bashkëshortit, i cili është diagnostikuar me një formë “jashtëzakonisht të rrallë” kanceri. Dorëheqja vjen në një moment të vështirë edhe politikisht për Gabbard. Prej muajsh në Uashington qarkullonin raportime për acarim të marrëdhënieve mes saj dhe Trump, sidomos pas vendimit të presidentit për të nisur luftën kundër Iranit.

Burime pranë administratës amerikane kanë folur për pakënaqësi të Trump ndaj qëndrimeve të Gabbard në çështjet e sigurisë dhe inteligjencës, ndërsa raportet mes tyre thuhet se ishin ftohur ndjeshëm javët e fundit.