Dorëheqjet e pazakonta, 5 të zgjedhur nga qytetarët më 25 prill lanë mandatin pa nisur parlamenti  

Parlamenti i sapo mbyllur do të mbetet i jashtëzakonshëm për shkak të historikut të heqjes dorë të gati gjysmës së deputetëve nga mandati. Por edhe legjislatura e 10 do të mbahet mend për dorëheqjet e njëpasnjëshme në prag të nisjes së saj.

Arsyet janë të ndryshme, shumë prej tyre u thanë, e të tjera mbetën enigmë.

Me të mbaruar zgjedhjet që do të përcaktonin 140 deputetët e parlamentit të ri, ende pa zbardhur 26 prilli, me një vendim surprizë Tom Doshi dha dorëheqjen nga mandati i fituar, ndonëse një ditë më parë mohonte se do të kryente një akt të tillë.

 “Unë nuk hyj në parlament, sepse nuk dua që vota juaj të ketë asnjë pengesë, së bashku me deputetët tanë në parlament, do ta cojmë nalt zanin tuej’ tha Doshi.

Nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS vetëm një muaj e gjysmë pas fitores së mandatit të tretë, Gramoz Ruci zgjodhi të japë dorëheqjen nga të gjitha postet politike në Partinë Socialiste, përfshirë edhe mandatin e deputetit. Arsyen, e sqaroi po atë ditë.

I vetmi që kishte sinjalizuar dorëheqjen ishte deputeti i PD, Mark Marku. As për shkak të tërheqjes nga politika dhe as për shkak se u kërkua largimi i tij. Deputeti i Lezhës njoftoi tërheqjen nga mandati i deputetit për shkak se nuk ishte dakord me mënyrën e drejtimit të PD. U bë i pari nga grupi parlamentar demokrat që doli hapur kundër Bashës e Berishës, duke i akuzuar se po përdorin për partinë për interesa personale.

“Kam vendosur të mos marr mandatin e deputetit.  E bëj këtë akt, që është më tepër një gjest sesa një sakrificë, për të treguar se dikush duhet dhe mund të reagojë kundër shndërrimit të PD-së në një parti dekori të një sistemi të degraduar, për të treguar se jo kushdo mund të bëhet dekor i një elite të paaftë partiake, që është e aftë vetëm për të mbrojtur interesat vetjake”, tha Marku

Kandidimi i Najada Çomos në zgjedhjet e 25 prillit shkaktoi shumë zhurmë. Shumë, e panë me skepticizëm dhe dënuan largimin e një eksperti nga shëndetësia drejt politikës në një kohë kur vendi vijon të përballet ashpër me pandeminë.

Pikërisht qëndrimi në krye të detyrës në infektiv qe arsyeja pse në prag të konstituimit të parlamentit të ri, Çomo dha dorëheqjen. Lajmin e njoftoi kreu i socialistëve.

Më i shigjetuari nga opozita, e cila e vuri në shënjestër të akuzave e madje edhe padive në SPAK, Lefter Koka dha dorëheqjen vetëm 9 ditë para betimit në parlament.  Ish anëtari i LSI, që iu bashkua ekipit të Edi Ramës në Durrës  nuk dha shumë shpjegime mbi arsyen, por tha se është koha për të lënë stafetën të rinjve.

“Është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me radhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre!”, shkruan Koka.

Parlamenti i Shqipërisë mblidhet të premten, ndërsa në pritje për t’u dekretuar ndodhet në tryezën e Presidentit emri i kryeministrit Rama.

I.K/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë