DURRËS- Drejtori i Hekurudhës Shqiptare, Ani Dyrmishi, mësohet të ketë dhënë dorëheqjen.

Ani Dyrmishi është emëruar në këtë post në vitin 2017. Nuk dihet ende cilat janë arsyet që shtynë Dyrmishin të tërhiqet nga posti, por deri më tani mësohet se Dyrmishi ka dorëzuar në ministri letrën e dorëheqjes. Dyrmishi zëvendësoi në këtë post ish-drejtorin e Hekurudhave, Ilir Dashi.

Më herët Ani Dyrmishi ka mbajtur postet e drejtorit të Hipotekës në Durrës dhe kreu i Këshillit Bashkiak Durrës. Dyrmishit i janë bërë 2 atentate, edhe pse ai ka mohuar te të dyja që të kishin lidhje me të.

Rasti i parë ishte në 19 nëntor të 2018, ku Dyrmishit iu vendos një sasi tritoli në makinën e tij, por lënda plasëse nuk arriti të shpërthente duke u konceptuar vetëm si mesazh kërcënimi. Vetë Dyrmishi tha se nuk kishte konflikt dhe se ngjarja nuk kishte lidhje me të.

Ndërsa atentati i dytë ishte 15 tetor 2019 kur PD denoncoi se persona të paidentifikuar kishin hapur zjarr në drejtim të mjetit të Dyrmishit, por që sipas kësaj partie, ngjarja u fsheh nga policia. Edhe në këtë rast Dyrmishi tha se atentati nuk ishte bërë ndaj tij, edhe se makina e cila është qëlluar është e shoferit të tij dhe se ka hipur vetëm disa herë në të.