Dorëhiqet kryeministri i Malit
të Zi Millo Gjukanoviç

Dorëhiqet kryeministri i Malit<br />të Zi Millo Gjukanoviç
Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç dorëhiqet disa orë pasi u shpreh se, Rusia ishte e përfshirë në puçin e pretenduar në ditën e zgjedhjeve, duke akuzuar opozitën për bashkëpunim me Kremlinin.

Komiteti ekzekutiv i PDS-së, partisë së Gjukanoviç bëri të ditur se do të nominojë zëvendësin e tij në parti, Dushko Markoviç për funksionin e kryeministrit.
PDS-ja fitoi në të gjitha 11 zgjedhjet nga vendosja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi dhe ish-Jugosllavi para 25 viteve.

Më 16 tetor partia e Gjukanovic fitoi 36 nga gjithsej 81 mandate në Parlament. 
Katër partitë opozitare arritën konsensus rreth një pike të vetme, rrëzimin e Gjukanoviçit, të cilin e emëruan si politikan jashtëzakonisht të korruptuar.

Gjatë natës zgjedhore, Gjukanoviç deklaroi se PDS-ja do të vazhdojë të qeverisë me aleatët e tij, Partinë e vogël socialdemokrate dhe katër përfaqësuesit e pakicave etnike ose me gjithsej 42 vota në Parlament.

Gjukanoviç dyshonte se Rusia qëndron pas tentativave për puç

Millo Gjukanoviç dyshonte se Rusia ishte e përfshirë në një përpjekje të dyshuar për puç në ditën e zgjedhjeve parlamentare dhe ka akuzuar opozitën për bashkëpunim me Kremlinin.

Deklaratat u bënë të martën kur kryeministri deklaroi se ishte një “lidhje e fuqishme e një faktori të jashtëm” me votimet e 16 tetorit, që u shënua me arrestimin e 20 personave të dyshuar për planifikim të sulmeve të armatosura ndaj atij si kryeminister dhe mbështetësve të tij, pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare. Rusia ka kundërshtuar fuqishëm përpjekjet e Gjukanoviçit që t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ndërkohë që liderët opozitarë kanë zhvilluar vizita të shpeshta në Moskë, në prag të votimeve.

Zyra e prokurorit të Malit të Zi ka pretenduar se grupi i arrestuar ka planifikuar të sulmojë qytetarët përballë Parlamentit pasi të jenë shpallur rezultatet e zgjedhjeve, dhe pastaj të hyjë në ndërtesë dhe ta arrestojë Gjukanoviçin.

Udhëheqësit opozitarë kanë kundërshtuar, duke e akuzuar Gjukanoviçin – partia pro perëndimore e të cilit ka fituar në zgjedhje por nuk ka arritur që të sigurojë shumicën parlamentare, se ka manipuluar me pretendimet për puçin e dyshuar, me qëllim të zgjatjes së dominimit të tij prej një çerek shekulli në politikën malazeze.

Në mesin e të arrestuarve në puç ishte edhe ish komandanti i forcave speciale të Serbisë.

Gjukanoviç tha se autoritetet do të hetojnë shkallën e përfshirjes në puçin e pretenduar të Rusisë dhe të Serbisë. Mali i Zi shpalli pavarësinë nga Serbia pas një votimi për pavarësi në vitin 2006.

“Nuk duhet të ketë panik. Do të gjejmë faktet”, tha Gjukanoviç.

Rusia ka nisur një fushatë propagande për të mbajtur edhe Malin e Zi edhe Serbinë, që po kërkon anëtarësim në BE, brenda sferës së saj të ndikimit. Të dyja vendet janë aleate tradicionale të Rusisë.

Pas mohimeve të para për përfshirjen e Serbisë, kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, tha të hënën se një numër i pasaktësuar i njerëzve janë arrestuar në Serbi, që ofron dëshmi për puçin në Mal të Zi.

Vuçiç tha se të arrestuarit nuk kanë lidhje me politikanët e Serbisë dhe Malit të Zi, por kanë lidhje me një shtet të tretë dhe grupet kriminale. Ai nuk e emërtoi shtetin.


Mediat:Gjukanoviç kandidat për president

Gjukanoviç edhe herë të tjera e ka lënë detyrën e kryeministrit por është rikthyer, shkruajnë mediat vendase  Por ato citojnë se këtë herë kthimi i tij  nuk është i mundur pasi opinione të ndryshme mbrojnë tezë se ai mund të kandidojë për president në vitin 2018



(d.b/Shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin