Dorëshkrimet e Migjenit një
histori mbijetese në Arkiv

Dorëshkrimet e Migjenit një<br />histori mbijetese në Arkiv
Në fondin personal të Migjenit në AQSH ruhet një dosje me krijimtarinë e tij origjinale, e cila mban numrin 1(170). Brenda saj janë sistemuar me kujdes 125 fletë, shumica dërrmuese dorëshkrime të tij, poezi shumë të njohura, e të tjera më pak të ndeshura në botimet tona.

Në këtë dosje,  mundet çdo studies a adhurues i Migjenit të shohë nga afër dorëshkrimet e tij, fletët, ku poeti afro 80 vjet më parë rrëshkiste dorën e tij ndërsa linte gjurmë të pashlyeshme frymëzimi. Duke kujtuar ditëlindjen e Migjenit këto ditë tetori, menduam ta sjellim për lexuesit tanë, atmesferën e këtyre dorëshkrimeve dhe një pjesë të përjetimit emocional që të krijon përballja me to. Ndërsa shfletojmë dorëshkrimet e tij dhe materialet e tjera sistemuar në këtë dosje, kuptojmë edhe të vërtetën e trishtë të fatit të këtij poeti e të krijimtarisë së tij. Një pjesë dorëshkrimesh ruhen në një fletore të thjeshtë të periudhës së mbretërisë, një pjesë janë fletë të shkëputura dhe një pjesë (më të dëmtuarat) kanë një histori të veçantë mbijetese. Dorëshkrimet përgatitur nga vetë Migjeni për botim me titullin “Vargjet e lira”,  i kishte pasur më parë Jordan Misja, i cili ia kishte lënë amanet Haki Llazanit nga Shkodra. Ky i fundit rezulton ti ketë  dorëzuar më 16 gusht 1956. Në dosjen e Migjenit në AQSH,  bashkë me këto dorëshkrime ruhet edhe shënimi i dorëzuesit: “Vargjet e Lira të Migjenit më janë dorzue në vitin 1941 nga dëshmori Jordan Misja dhe më ka porositë që këto vargje janë dorëshkrim i Migjenit. Haki Llazani(firma). Shkodër 16-8-1956.

Pas këtij veprimi ekipi që i ka marrë dorëshkrimet e poetit nga z. Llazani, është interesuar për materiale të tjera. Në të njëjtin shënim ka këto shtesa me laps: “duhet të ketë edhe material tjetër të Migjenit. Të shikohet në shtëpinë e Jordan Misjas e kushërijt e tij. Ç’u bë materiali i shtypur etj., pasi u pushua puna në shtypshkronjën Gutembergu…” Po nga shënimet e kësaj dosje, mësohet se më vonë, në vitin 1961 është bërë një vërifikim i dorëshkrimeve. Një shënim sqarues vendosur në dosje thotë se në 11 nëntor 1961 ishte thirrur për ti parë dorëshkrimet e Migjenit prof.Skënder Luarasi. “U vërtetua se këto janë dorëshkrimet e tij (shkruar pastër). Kjo vërtetohet edhe nga dorëshkrimet e tjera. Ky është vetëm fashikulli i parë. Libri u shtyp por u ndalua të shpërndahej. Kanë mbetur disa kopje”, thuhet në sqarimin e arkivuesve në vitin 1961.
Pas kwtij prezantimi tw materialeve tw kwsaj dosje, për lexuesit tanë nga këto dorëshkrime kemi zgjedhur vetëm një pjesë, të cilat i kemi zbardhur duke i qëndruar besnikë origjinalit.
 
Nga Jordan Misja në AQSH
Faksimilet e mësipërme, i përkasin grupit të dorëshkrimeve të Migjenit, të cilat në vitin 1941, Jordan Misja ia kishte lënë Haki Llazanit, duke i thënë se janë dorëshkrimet e Migjenit. Në vitin 1961 u vërtetua nga prof. Skënder Luarasi se ato ishte dorëshkrimet e pastra të Migjenit. Sot ruhen bashkë me dorëshkrime të tjera të tij në dosjen 1(170) në AQSH, fondi personal i Millosh Gjergj Nikollës.  

Vargjet e Migjenit
Ja dorëshkrimet e poetit që ruhen në arkiv
 
 

 
Kanga që s’kuptohet
 
Melodís kombtare
 
U vodh kanga nga zêmra e kombit,
shpërtheu në vaj të dikuem mjerimit,
këndoj ûjen e së bijës, këndoj ûjen e të birit,
qan jetën e thyeme nga rrufé e fatit,
i mbyti në lotë shpirtënt që djejnë dhimbë për të ngratit.
 
Kangë e vaj? Çë je? Thujma zemer kombi!
Zemër që ke vuejtun, që endé po vuen...
Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?
Mallkimi ndaj fatet që ditt t’i helmuen,
që dëshirat e jetës të gjitha t’i gozhduen?
 
Oh – jo! Kanga jote asht shprehje e dhimbsun
e një jetese që dergjet e dergjet
dhe tu ‘u dergjë ndoshta do hesht’ e molisun...
 
Migjeni
Pukë, mâj 1936
 
 
 
Frymzim’ i pa fat
 
Frymzim i em i pa fat
që vjen e më djeg mu në gji
për kè po më flet? për kè të shkruej?
Përse po më ban që kaq të vuej?
Pse vjen e më djeg mu në gji
frymëzim i em i pa fat?
 
Për të gjorët? Për ata që nuk kanë dritë?
- O frymëzim i em i ngratë,
mjaftë më plagë që s’kan sherim...
leni të dergjen në mjerim;
botës s’i a kande at kangë të thatë,
thotë se mjell një farë t’idhët.
 
Far’ e idhët... Far’ e idhët... – O njerëz të mbimë
                                                nga far’ e ambël,
frigë të mos keni! Pse një kangë
mund të ju theri në ndjesi,
të ju kujtojë zemrën në gji,
në ndërgjegje dhe një dongë
- por jo të ju bajë dhe mâ zi.
 
Frymzim i em që më djeg,
çporu këtej! nuk të dua!
S’i due hovet t’ueja të nalta,
as flutrimet ... Nëpër balta
të ditve t’ona të shklas unë due,
rrokë me njerzit që rrok nata.
 
Migjeni
Pukë, me 13-V/937    
 
 
 
 
 
Vetmija
 

Më plakos mërzitja
që vetmija më sjell,
përbuzja, urrejtja
të gjithë sendet m’i mbshtjell
dhe kam shum anmiqë
të liqë
në këto sende pa shpirt.
Nuk flasin.
As sy s’kanë.
Por mue më bahet
se aty janë
vetëm që të më plasin
zemrën.
Së paku të më shajnë:
- I mallkuem!
Së paku të më tallin:
- I uruem!
Së paku të më këndojnë:
- I yni zot!
Ose të më thonë:
- Jeton kot!
Të flasin, të flasin se fjalë due
në ket vetmi me ndëgjue.
Ose të më tregojnë historinë
e tyne, autobiografinë;
ndosht’ aty do gjej gjasim
me jetën t’eme pa tingllim
që në vetëm po e kaloj
dhe s’po dij a rroj a s’rroj.
Sendet heshtin. – Sa të pa mshirë!
Më bajnë dhe unë të hesht me pa hirë;
pse gojë s’kanë
dhe nuk flasin,
aty janë
vetëm të më flasin
zêmren t’eme që po vuen
dhe në merzi vetveten truen.
 
13-VI/37, Pukë                                                                                               Migjeni
 
 
 
 
 
Dy buzë
 
Dy buzë të kuqe
dy dëshira të flakta
që afshin m’a thithën
gëzimin m’a fikën
si fantazma hikën
ndër do bota të larta...
Dy buzë si të përgjakta
dy dëshira të flakta
që afshin m’a thithën
në buzë kur m’u ngjitën –
andjet m’i trazuen
zêmrën m’a tërbuen
trûnin m’a helmuen
e në fund u mërguen...
Dy buzë të kuqe
bukuri fatale
të një grueje stërzâne
një pjesë zêmre më nxorne
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin m’a vodhne...
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lotë të mija
qenë shenjat e dhimbjes
kur më vrau bukurija
kur më zû dashunija
e më dogji rinija.
 
 
 
Ndeshja
 
O grue që të ndesha në dit’n e fatkobit t’em
kur prirja njelltë e sŷt shikojshin zi
e ndjejshe veten se dhe unë jam flî
të një ndjesí
si ti.
 
O grue q’u ndeshme në dit’n e fatkobit t’onë
zêmër për zêmër edhe ball për ball
e ndjesitë n’u shprehen me mall
më një vall’:
sa hall ...
 
Dhe kështu në rrugë të madhe e shitme zêmrën t’onë
njerzvet që vetëm një të përqeshun dhanë për té
e shkuen të kënaqun e tu’ u gëzue – pse
panë mfshefsinat intime të kësaj jetesës s’onë.
 
E na dhe një dhimbë të sinqertë tue ndijë
vuejshim me zêmër të ndrydhun si dy fëmijë
të humbun ndër vise të hueja natën, vonë,
o grue q’u ndeshme në dit’n e fatkobit t’onë.
 
 
 
Një natë ...
 
Grue a hyneshë, e mbshtjellun n’errsín të natës
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mija
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesí
një heshtje parathanse zêmren don të më përpijë,
vetëm që ora këndon kângën e thjeshtë të natës
- jo - po! dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës.
Grue a hyneshë m’erdhi nga gjin’ i errsinës ...
Qé! frymën i a ndjej dhe zâmrën që rreh prej fellsinës.
Buzët e njoma të saja
Sŷt e zez e të mdhaj
me harmoni vijash të bindshme
premtojnë një dashní të hijshme
(âshtu dhe akordi i heshtjes
frytin e ambël të marveshtjes).
- Dhe njëmend! At natë vallzuen ndjesitë e jona
më një valle defryese, pa marrun frymë ...
 
 
 
Mbas tryezës
 
Kështu ne të rijve na kalon nata:
pranë tryezës mermer-false, me gotë të plotë a boshe,
me kujdes të madh ndejun (si e lypë dans-edukata),
të ngrehun, të ngrimë, të stolisun
e ftyrash të qindisun
me pudër, karmin ... jo! – por me përshtypje të mirë
që na e sjell zojusha e bukur dhe me hir
t’u na buzqeshë ambël, buzësh të kuqe si gjaku,
nsa gjit’ i majen, dridhen – ftyra kuqet, zbehet ...
e në seicilin prej nesh në fund ka një shpresë këndedhet
dhe na shtërngon laku ...
- Q’ashtu ndejë, tu’e vrejtun, çojmë biseda të ndryshme,
serjoze, t’urta, por mâ shpesh të dyshueshme,
me gjuhë të bukur, të zgjedhun, mbi ngjarje të rá flasim
e prej një dëshires pa mshirë të gjithë pelsasim.
Ngushllim! – se zojusha na i din mirë hallet
prandej aq me andje, bukur kërcen vallet.
Jonet muzikore derdhen, rrkâj derdhen,
lëmojnë ata që në valle sjellen, në haré sjellen,
lëmojnë tryezën, gotat, veshjet t’ona, ndjenjat
e fantazís s’onë, i hapen ylber-velat ...
Por befas, të një jones së panjoftun tingllimi,
së cilës âsht te hyu i bukurís trillimi,
krahnorët n’i përkdheli dhe n’i piskoj zêmra,
gjatë korrizës të thermët zbresin fillë te themrat.
- Q’ashtu vuejmë, dëfrejmë ...
Jetën adhurojmë.
Nsa dritat shkëlqejnë
zojushën shikojmë
dhe n’andrrim vallzojmë ...
Rishtas, me plot dashje, vallet ndiqen, ndiqen ...
Vash e djalë përputhen
mbrend dy zêmra digjen
por me u puthë? – së puthen!

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Brazil/ Ndërron jetë në palestër, bodybuilderi 28-vjeçar pëson atak kardiak

Brazil/ Ndërron jetë në palestër, bodybuilderi 28-vjeçar pëson atak kardiak