TIRANË - Gjykata e Lartë ka shtyrë seancën për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj deputetit Tom Doshi. Shkak i shtyres ka qënë mungesa e dy anëtarëve të Kolegjit Penal, Artan Zeneli dhe Guxim Zeneli. Ndërkohë seanca e radhës në Gjykatën e Lartë më 28 Prill. 

Avokatët e Tom Doshit kanë depozituar në Gjykatën e Lartë kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë për deputetin e Shkodrës, i cili ndodhet në ‘arrest shtëpie’ nën akuzat e “kanosjes për deklarime e dëshmi, ekspertim, ose përkthim të rremë”, “kallëzimit të rremë” dhe “deklaratave të rreme përpara prokurorit”. 

Dy avokatët e deputetit Tom Doshi kanë bërë disa kërkesa për lirimin e tij. Sipas tyre masa e sigurisë  'arrest shtëpie' nuk e lejon deputetin të kryejë funksionin për të cilin është zgjedhur. “Rrethanat janë të tilla që masa “arrest shtëpie” mund të ndryshohet. Nëse Gjykata e Lartë nuk vepron, atëherë do t’i drejtohemi Gjykatës së Strazburgut”, kanë deklaruar avokatët.
avokatet e doshit

Ditë më parë dy avokatët thanë se në laptopin e deputetit Tom Doshi, i sekuestruar nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për llogari të hetimit ndaj tij, nuk ekziston një video ku ai kërcënon me armë Durim Bamin.

Mungesa e kësaj videoje në radhën e provave të zotëruara nga Prokuroria u përmend më herët edhe në vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 28 mars, që caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për deputetin. 

Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)