Vetëdorëzimi i ish-deputetit Ervin Salianji mesditën e së premtes në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për të vuajtur 1 vit burg, nuk i la hapësirë mbrojtjes të kërkonte në Gjykatën e Lartë pezullimin e menjëhershëm të ekzekutimit të vendimit të Apelit. 

Tashmë pritet që treshja e Gjykatës së Apelit, Elona Toro, Iliba Bezati dhe Genti Shala të arsyetojnë vendimin e dhënë më 26 shtator, dhe me pas mbrojtja të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë,  shoqëruar edhe me kërkesën për pezullim të dënimit me burgim.

Por derisa kjo të ndodhë, ish deputeti i Partisë Demokratike do të vuajë dënimin në një seksion të sigurisë së zakonshme në burgun e Fierit, ku u akomodua mbrëmjen e së premte, menjëherë pas vetëdorëzimit në polici. 

Vendimi i formës së prerë me burg për ish-deputetin e dënuar për kallëzim të rremë, duket se i ka kapur të papërgatitur mbrojtësit e tij dhe vetë Salianjin, të cilët ndoshta shpresonin se edhe ne rast dënimi gjykata do ta pezullonte atë me dënim alternativ, edhe pse vetë nuk e kërkuan në asnjë moment shërbimin e provës, por vetëm pafajësi ose rikthim të çështjes për t’u gjykuar edhe një herë në shkallën e parë.

Në mbrojtjen që bëri në Gjykatën e Apelit Salianji  i qëndroi denoncimeve publike që kishte bërë 6 vite më parë nga selia e Partisë Demokratike, për audio-përgjimin e pretenduar të vëllait të ish Ministrit të Brendshëm të kohës Fatmir Xhafaj, ndërkohë që prokuroria pretendonte të kundërtën duke i cilësuar të sajuara të gjitha provat e servirura nga selia e PD-së. 

Si provë që Salianji kishte dijeni se biseda e pretenduar për trafik droge mes Geron Xhafës dhe Albert Veliut”, ishte i stisur, prokuroria pati edhe tabulatet telefonike që Salianji kishte me Veliun të njohur si “Babalja”  para dhe pas kohës kur ishte krijuar audio-përgjimi me bashkëpunimin e gazetarit Jetmir Olldashi. Kjo u përforcua më shume edhe nga dëshmia e të dënuarit tjetër Alfred Alizoti, i cili  tregoi se gjithçka ishte e sajuar dhe Salianji u kishte premtuar 200 mije euro, për të bërë zërin e vëllai të ministrit të kohës.

Ashtu si dhe në shkallën e parë gjyqi u ndoq pothuajse nga të gjithë deputetët e grupit parlamentar të PD të cilët pas vendimit shpërthyen në akuza ndaj trupës se gjyqtarëve si ne shkallën e parë ashtu edhe te apelit.

Ndërsa gjykata njoftoi zyrtarisht se vendimi ishte marrë ne unanimitet nga tre gjyqtarët të cilët nuk kanë gjetur shkelje procedurale ne vendimin e marrë nga gjyqtari Artan Gjermeni dhe nga ana tjetër provat e paraqitura nga prokuroria ne gjykatë e bindën për fajësinë e deputetit.