Report Tv sjell një kronologji të proceseve të Zaganit me drejtësinë shqiptare, ku fillimisht ai u arrestua në 3 Maj të vitit 2014 me akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi dyshohej për dekonspirim të operacioneve antidrogë. Arresti ndaj Zaganit u bë pasi më 2 maj 2014 gjyqtarja Flora Hajredinaj kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë në mungesë arrest me burg për shpërdorim detyre e moskallëzim krimi, masë kjo e kërkuar nga prokurori Anton Martini. 

(Masa e arrestit me burg e dhënë nga Krimet e Rënda, për dekonspirim operacioni)
Por kjo masë arresti me burg ndaj Zaganit u shua pasi më 8 nëntor 2014 Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi ndaj tij masën e sigurisë arrest në shtëpie dhe procedimi për Zaganin nga Krimet e Rënda u transferua në Gjykatën e Fierit për veprat penale shpërdorim detyre e moskallëzim krimi. E pikërisht për këto dy akuza Zagani është duke u gjykuar ende në mungesë dhe procesi ndaj tij qëndron i hapur në Gjykatën e Fierit. 
(Procedimi te Krimet e Rënda i cili u pushua dhe i kaloi për kompetencë Gjykatës së Fierit)
Pas masës arrest shtëpie, oficerët e policisë gjyqësore kanë mbërritur në banesën e Zaganit pranë Stacionit të Trenit në Vlorë për të kryer verifikimin e kësaj mase, por më 1 shtator 2015 ai nuk është gjendur në banesë. Zagani ishte arratisur drejt Zvicrës ku ndodhet edhe sot e kësaj dite në statusin e azilantit.
E pikërisht për mos gjetjen e tij në banesë siç ishte parashikuar në vendimin e Gjykatës ai është shpallur në kërkim siç dhe shihet në faqen e Interpol dhe po ashtu është proceduar penalisht për Largimin nga vendi i qëndrimit te detyruar” te parashikuar nga neni 323/1 i Kodit Penal. 
(Dritan Zagani i shpallur në kërkim nga INTERPOL)
Për arratisjen nga vendi i qëndrimit siç kish vendosur Gjykata e Krimeve të Rënda ndaj tij, ai është dënuar nga Gjykata e Vlorës më 27 dhjetor 2016 me tre vite burgim. 
(Vendimi i Gjykatës së Vlorës)

VIDEO











