TIRANE - Ministria e Drejtësisë ka inspektuar dosjen e Aldo Hoxhës, të akuzuar për vrasjen e Fatbardha Tafës më 7 gusht 2012 gjatë tentativës për t’i grabitur varësen.

Si pasojë e kontrollit të ushtruar në Prokurorinë e Tiranës, Durrësit si dhe në institucionin e ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi”, u verifikuan me shkelje 2 prokurorë dhe 2 gjyqtarë. Raporti me shkeljet e tyre i është dërguar Presidentit të Republikës, Prokurorit të Përgjithshëm, Prokurorive dhe Gjykatave.

Aldo Hoxha është hetuar në 4 procedime penale për një sërë veprash penale si, vjedhje në bashkëpunim, mbajtje pa leje të armëve luftarake, prishje e qetësisë publike, vjedhje me pasojë vdekjen e plagosjen e rëndë me dashje.

Ndërkaq, 2 procedime penale janë përfunduar nga Gjykata e Durrësit, ku është dënuar edhe me 8 muaj burgim, ndërsa 2 procedime të tjera janë ende në hetim.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, vjedhja me pasojë vdekjen dhe plagosjen e rëndë me dashje (rasti i Fatbardha Tafës që humbi jetën, dhe plagosja e motrës së saj teksa shëtisnin me fëmijët tek ish-Fusha e Aviacionit), është ende në fazën e hetimit paraprak.

Në lidhje me këtë dosje, Ministria e Drejtësisë nëpërmjet një njoftimi për shtyp, sqaron rastet e shkeljeve të konstatuara në procedimet penale të kontrolluara. Sipas saj, çështjet në veprimtarinë e të cilave përfshihen 4 prokurorë, 2 prej tyre rezultojnë me shkelje.

“Shkeljet lidhen me rregullat për fillimin e ndjekjes penale, kryerjes jo të rregullt të veprimeve hetimore, si dhe aplikimin e një politike të butë penale në gjykim. Konkretisht nuk është respektuar rregullshmëria dhe vijueshmëria e veprimeve hetimore dhe për rrjedhojë prokurori nuk ka zbatuar detyrimin ligjor për fillimin e ndjekjes penale, duke ndikuar kështu në efektivitetin e politikës penale. Gjithashtu, është konstatuar se politika penale e ndjekur nuk është në raport të drejtë me rëndësinë e veprës, rrezikshmërinë e saj dhe autorit të veprës penale, si dhe nuk i përgjigjet qëllimeve parandaluese të dënimit”, sqarohet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Drejtësisë.

Për këto raste Ministria e Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për 2 prokurorë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës.

Ndërkaq në lidhje me gjyqtarët që kanë shkelur ligjin përsa i përket dosjes së Aldo Hoxhës, Ministria e Drejtësisë shkruan: “Në dy gjykatat e inspektuara janë kontrolluar 3 çështje penale themeli, si dhe dy kërkesa penale të lidhura me to, të cilat përfshijnë veprimtarinë e 5 gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore në funksion të tyre. Janë konstatuar shkelje në 2 çështje themeli, shkelje të cilat ju atribuohen 2 gjyqtarëve në rrethet gjyqësore Tiranë dhe Durrës. Shkeljet lidhen me zvarritjen e procedurave gjatë gjykimit dhe të meta në përpilimin e akteve”. Edhe për 2 gjyqtarët ka filluar procedimi penal.

Fatbardha Tafa humbi jetën, ndërsa motra e saj mbeti e plagosur rëndë teksa shëtisnin sëbashku me fëmijët në rrugën Abedin Rexha, ose e njohur ndryshe si ish-Fusha e Aviacionit, pasi u goditën me thikë nga dy të rinj në një tentativë për t'i grabitur bizhuteritë. Njëri prej të arrestuarve,  i cili prej më shumë se një muaji është nën hetim, është 20 vjeçari Aldo Hoxha, mbi dosjen e të cilit Ministria e Drejtësisë ka verifikuar shkelje. Ndërkaq, shkeljet e konstatuara nga kontrollet e MInistrisë së Drejtësisë përfshijnë një sërë veprash penale të kryera nga i riu.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)