Dosja e CIA-s: Hrushovi: A ia vlen
të merresh me Enver Hoxhën?!

Dosja e CIA-s: Hrushovi: A ia vlen<br />të merresh me Enver Hoxhën?!
TIRANE - Ndërsa në pjesën paraardhëse trajtuam një përzgjedhje të dosjes së CIA-s mbi marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, që në mënyrë të përmbledhur na dëshmonte rifillimin e një periudhe të dytë “muaji mjalti” mes dy vendeve e partive që kulmonte me vizitat historike të Marshallit Zhukov në 1957 dhe asaj të Nikita S. Hrushovit në 1959 në Shqipëri, pjesa e pestë dhe e fundit e këtij dossieri, i kushtohet fundit të këtyre marrëdhënieve.

Sigurisht se si etalon dhe parathënie e fundit të pashmangshëm që do të vinte zyrtarisht thuajse një vit më vonë, edhe nga ekspertët e CIA-s në vitin e largët 1962, trajtohet Mbledhja e famshme e Moskës, ku ishin thirrur përfaqësuesit e 81 partive komuniste nga e gjithë bota e ku problemi shqiptar papritur mori një peshë shumë më të madhe se ç’ishte parashikuar.

Sigurisht se kaq vite pas vendosjes së demokracisë, shumëçka në lidhje me detajet që i takojnë asaj ngjarjeje kanë dalë në dritën e botimit. Gjithashtu, janë të njohura vëllimet e veprat e ish-diktatorit shqiptar e protagonistëve të tjerë në lidhje me përmbajtjen e akuzave e kundërakuzave të ndërsjella mes Hoxhës e Hrushovit.

Por dokumenti i CIA-s, na jep rastin ta shohim atë nga këndvështrimi i Agjensisë amerikane të Inteligjencës e të mësojmë më shumë se deri ku shkonte informacioni i saj në këtë aspekt dhe si i interpretonte ajo këto qëndrime. Gjithashtu, një historik i afrimit shqiptaro-kinez dhe i diferencave kino-sovjetike, është i mundur të përftohet, duke lexuar tekstin e këtij dossier-i. 

                                                                            * * *

Gjatë fundit të shtatorit u shfaq një interes i papritur shqiptar përkrah Kinës. Më 16 shtator, Mihal Prifti, ambasadori shqiptar në Moskë u emërua ambasador në Pekin e po kështu u ndërmorën hapa edhe nga pala kineze.

Pak a shumë në të njejtën periudhë kohore, Shehu ( 23 shtator-12 tetor 1959) kryesoi një delegacion të partisë dhe qeverisë shqiptare në festimet e 10 vjetorit të Revolucionit Kinez.

Në prag të kthimit të tij, një tendencë shqiptare për të mbështetur pozicionin kinez në çështjet e debatueshme, u bë tashmë evidente dhe në retrospektivë duket se ishte pikërisht ky moment kur lidershipi shqiptar u imbarkua në përkrahje të pozicionit kinez, gjë e cila çoi në gjendjen aktuale ekstreme të marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike.  

MARRËDHËNIET SHQIPTARO-KINEZE, 1949-1959

Shqipëria, bashkë me vendet e tjera të botës komuniste, e njohu qeverinë e Republikës Popullore të Kinës menjëherë pas vendosjes së saj në Pekin, në tetor 1949, por për katër vitet në vazhdim, Kina Popullore pak dukej se kishte ndonjë interes për Shqipërinë. Përfaqësuesit diplomatikë nuk u shkëmbyen deri më verë të vitit 1954.

Pak kohë pas vdekjes së Stalinit, si Kina, ashtu dhe BRSS ndërmorën hapa për të thelluar bashkëpunimin dhe rritur prestigjin e Kinës së re dhe ndoshta ishte pikërisht në këtë kontekst që Kina dhe Shqipëria këmbyen edhe ambasadorët. Të bie në sy që Kina këmbeu ambasadorë më parë me Shqipërinë, se sa me Beogradin, me të cilin e bëri një vit më vonë.

Më 29 mars 1956, Kryqi i Kuq kinez i dhuroi një grant prej 20.000 jenësh ( 20.000 rubla) homologes së saj shqiptare dhe një ditë më pas, Radio Tirana njoftonte se edhe Kryqi i Kuq sovjetik i kishte dhuruar 40.000 rubla Kryqit të Kuq shqiptar. Kundërpërgjigja e shpejtë sovjetike ishjte një shenjë se BRSS ishte e shqetësuar më shumë për rritjen e vëmendjes kineze ndaj Shqipërisë se sa vetë shqiptarët në dukje të interesuar për ta rritur atë.
 
SIMPATIA SHQIPTARE PËR QËNDRIMET KINEZE

Simpatia shqiptare për qëndrimet kineze kishte nisur qysh herët në vitet ‘55-‘56, megjithëse në lidhje me Revolucionin hungarez, kinezët kishin qëndruar thellësisht në krah të sovjetikëve për të ruajtur kësisoj unitetin në Bllok.

Ndërkohë, marrëdhëniet partike e shtetërore me Kinën nga pala shqiptare po njihnin rritje me dërgimin e disa delegacioneve ushtarake, ekonomike e kulturore, ku ndër më të rëndësishmit ishte ai i kryesuar nga Ministri i Mbrojtjes, Balluku, i cili ishte në Pekin nga 17 shtatori në 29 tetor 1958, me ftesë të homologut kinez, Peng Te Huai.

Ministri kinez i Mbrojtjes, e karakterizoi kështu rolin e Shqipërisë e të ushtrisë së saj: Roje e kështjellës së Kampit Socialist në detin Adriatik”.

DIFERENCAT KINO-SOVJETIKE

Kinezët jo vetëm që refuzonin të binin dakord me Hrushovin, por në bisedat e tyre me delegacionet e huaja, ata ndikonin që këta të fundit të mbështesnin pozicionet kineze, të cilat theksonin se “Kampi socialist” duhet të ketë një qasje më militariste dhe të përdorë më shumë taktika revolucionare nën mbrojtjen politiko- ushtarake të Bashkimit Sovjetik.

Pas festimeve në Pekin,  delegacioni polak për shembull, u kthye në Varshavë i bindur se kishte diferenca të rëndësishme mes Moskës dhe Pekinit, por me këmbëngulje përkrahën Hrushovin. Ka evidenca gjithsesi, se të paktën delegacionet e partive satelite; çeke, gjermanolindore dhe shqiptare, kishin simpatizuar qëndrimet kineze.

Marrëdhëniet sovjeto-kineze për shembull, ishin acaruar gjatë vjeshtës dhe dimrit të 1959-‘60, dhe në takimin e Paktit të Varshavës, në Moskë, në shkurt 1960, Novotni ishte i vetmi lider satelit, të cilit nuk ia kushtua një audiencë private nga Hrushovi.


Duket me pak gjasa që diferencat kino-sovjetike të ishin një subjekt madhor në diskutimet mes liderëve të Bllokut në atë kohë, dhe Hoxha ndoshta të ketë gjetur më shumë simpati në lidershipin e partisë çekosllovake e asaj bullgare për qëndrimet e palës kineze.

Shehu ndoshta mori me vete jashtë Pekinit pikëpamjen se këndvështrimet kineze shiheshin me shumë vlerësim mes zyrtarëve të Bllokut dhe se BRSS do të detyrohej t’i adoptonte qëndrimet e veta me linjën kineze.

Hrushovi kishte kritikuar qëndrimet kineze në Konferencën e Bukureshtit, në shkurt 1960, për reduktimin e tensionit botëror kishte sulmuar në mënyrë parciale aksionet kineze ,duke përfshirë çështjen e kufinjve me Indinë. Ai gjithashtu kritikonte Kinën për qëndrimin e saj ndaj Jugosllavisë, duke shtuar se kjo kishte krijuar prishje të unitetit në Bllokun Socialist.

Divergjenca të  qarta mbi çështjen e Jugosllavisë në Bllok ishin bërë në mesin e muajit prill. Në një seri takimesh e aktivitetesh ndërkombëtare, Tito kishte lavdëruar qëndrimet e politikës së jashtme sovjetike dhe kishte akuzuar Perëndimin si bartësin e krijuesin e problemeve.

“PRAVDA”: ENVER HOXHA, BESNIK NDAJ MOSKËS

Më 27 prill, “Pravda” kishte botuar një artikull të Enver Hoxhës në të cilin ai sërish siguronte BRSS se Shqipëria do të mbetej gjithmonë “jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra” një mbështetës i vendosur i leninizimit dhe politikave sovjetike, duke përfshirë edhe bashkëekzistencën paqësore.

Në të njejtin artikull, ai premtonte një betejë të palodhur ndaj revizionizmit jugosllav që e vlerësonte si rrezikun kryesor në lëvizjen komuniste botërore. Në ditën e 1 majit, “Zëri i Popullit” në një editorial akuzonte Beogradin dhe Athinën se po planifikonin të destabilizonin Shqipërinë.

VJESHTË 1960: STINË KOMPLOTESH!

Nga shtatori, misionet franceze, italiane dhe turke në Tiranë, kishin treguar histori, sipas të cilave, një përpjekje për puç, për të rrëzuar regjimin e Tiranës, kishte dështuar në fillim të gushtit. Agjentët në Greqi gjithashtu pohonin disa informacione që lidheshin me këtë çështje. Sipas tyre, komploti kishte përfshirë edhe kreun e Flotës Luftarake Detare.

Ekzistenca e një komploti për të rrëzuar regjimin e Tiranës, ishte bërë tashmë publike nga Hoxha në Kongresin e tij të partisë,  në shkurt 1961. Ai, me kujdes kishte cilësuar se gjithsesi, ai kishte qenë një komplot “imperialist”.

Tri muaj më vonë, një gjyq kundër komplotistëve, ku binte në sy emri i Teme Sejkos, u zhvillua në Tiranë ku u morën vendime shumë të rënda për të dhe tetë zyrtarë të tjerë. Shtypi sovjetik nuk e përmendi kurrë, as zbulimin e Hoxhës dhe as fjalën “imperialist” apo gjyqin vetë.

Një ditë para marrjes së vendimit, më 27 maj 1961, gjithsesi, BRSS tërhoqi tetë nëndetëset e klasit “Ë” në bazën e Vlorës. Pak më pas, evakuoi komplet ekipet e saj të ushtarakëve, bashkë me familjet e tyre, duke marrë me vete edhe të gjithë diplomatët, teknikët etj.

Pas kësaj nuk u ndërmor më asnjë përpjekje për pajtim, e Moska u mundua me të gjitha mënyrat të vinte në lëvizje levat e saj për të mundësuar madje edhe një ndërhyrje ushtarake në Shqipëri, për të detyryar shqiptarët “të futeshin në rresht”, dhe liderët e Tiranës lëvizën me këmbëngulje për të eliminuar çdo element që shfaqte simpati për sovjetikët.

MBLEDHJA E 81 PARTIVE NË MOSKË

Vizita e fundit te Hoxhës dhe Shehut në Moskë ishte me siguri e padëshiruar për ta. Ata mbërritën më 3 nëntor të shoqëruar nga dy anëtarë të tjerë të Byrosë Politike; Hysni Kapo, i cili kishte marrë pjesë edhe në bisedimet e mëparshme,  dhe Ramiz Alia, i cili tashmë kishte zëvendësuar Liri Belishovën në Sekretariatin e KQ.

Moska e shihte përfshirjen e këtij të fundit, gjithsesi, si një akt ofendues. Dy ditë pas mbërritjes së tyre, Partia Komuniste sovjetike adresoi një letër për Partinë kineze, ku theksonte se marrëdhëniet me Partinë shqiptare ishin acaruar për shkak të ndëshkimit të disa shokëve të Partisë shqiptare, që si “krim” të vetëm kishin miqësinë e shfaqur hapur ndaj BRSS. Shokët e ndëshkuar prezumoheshin të ishin Koço Tashko dhe Liri Belishova.

AKUZAT E HOXHËS PËR HRUSHOVIN

Konferenca e Moskës formalisht u çel më 10 nëntor 1960. Hrushovi foli ditën e parë, duke theksuar e argumentuar tezat e tij kundër udhëheqjes kineze pa bërë kurrfarë reference me problemin shqiptar. Hoxha nuk foli deri më 16 nëntor.

Në fjalimin e tij, Hoxha u përpoq jo vetëm të mbështeste plotësisht çështjen kineze, por proçedoi me një katalog akuzash për liderët sovjetikë dhe veçanërisht për Hrushovin. Ai tha se Shqipëria, e mbështeste politikën e bashkëekzistencës paqëore, por kjo politikë presupozonte një forcim të luftës së klasave, pasi vendet kapitaliste kurrë nuk do t’a pranonin bashkëekzistencën paqësore me dëshirën e tyre, por mund të shtyheshin drejt saj, vetëm me forcë.

Shqipëria nuk do të debatojë nëse lufta është e pashmangshme, porse lufta nuk do të zhduket kurrë si opsion, derisa të zhduket imperializmi, dhe imperializmi, tha Hoxha, po përgatitet për luftë. “Ai që e fsheh këtë të vërtetë, është tradhëtar”.

Partia shqiptare, vijoi ai më tej, është sulmuar si antimarksist-leniniste dhe antisovjetike, por “krimi” i vetëm i saj është se po i bën opozitë dënimit të turpshëm të Partisë Komuniste kineze, e cila është akuzuar me të padrejtë e damkosur për dogmatizëm.

Hrushovi dhe shokët e tij sovjetikë, tha Hoxha, kanë marrë vendime dhe miratuar ligje në mënyrë unilaterale mbi çështje që kishin pasur një karakter internacional. Ata nuk mbajtën konsultime të rregullta me partitë e tjera, siç bënte Stalini, por kishin mbajtur takime vetëm atëherë kur rrethanat ishin të favorshme për ta.

Vendimet e Paktit të Varshavës, tha ai, ishin bërë pa konsultime. Nuk kishte pasur konsultime mbi udhëtimin e vizitën e Hrushovit në Beograd, në maj 1955. Partia shqiptare e kishte aprovuar “bashkëekzistencën paqësore” kundrejt Jugosllavisë, tha ai, por do të kishte dëshiruar që lëvizja komunhjiste ndërkombëtare të vendoste nëse do të duhej të kishte ”pajtim” me Partinë jugosllave.

Ngjashmërisht, partitë e tjera duhej të ishin konsultuar në Kongresin e 20-të të PKb BRSS, dhe në mënyrë të vazhdueshme, PK sovjeitke nuk kishte të drejtë ta ekspozonte Stalinin në mënyrën që ajo e bëri. Stalini i përket të gjithë lëvizjes komuniste botërore dhe jo vetëm PK të BRSS, tha Hoxha, dhe se ai kishte qenë lideri më i madh i komunizmit pas Leninit.

Nga ana tjetër, Hoxha tha se Hrushovi vazhdimisht kishte refuzuar të demaskonte Titon në mënyrë të plotë, dhe qysh nga Kongresi i 7-të i LKJ, në prill 1957, ai kishte heshtur mbi revizionizmin e tij.

Partia sovjetike kishte shumë dokumenta që zbulonin tradhëtinë e Titos, të cilat ishin refuzuar të publikoheshin. Ngjashmërisht, artikujt e shqiptarëve, në të cilat demaskohej e përmendej Tito, nuk ishin publikuar në Moskë.

Në fund, Hoxha tha se liderët sovjetikë kishin ndërhyrë në mënyrë brutale në punët e brendshme të Shqipërisë. Ata kishin dërguar Susllovin për të komplotuar me Titon në rrëzimin e udhëheqësve shqiptarë në vitin 1956. Së fundmi, kur anëtarët e Byrosë Politike shqiptare kishin vizituar Moskën, ata ishin vënë nën presion dhe u ishte thënë të bënin një zgjedhje mes Partisë kineze e asaj sovjetike.

Disave iu bënë lajka, kurse një pjesë tjetër u kërcënuan nëse ata nuk do të vendoseshin kundër lidershipit në Tiranë. Ambasadori sovjetik në Tiranë, tha Hoxha, kishte ndërhyrë në çështjet e brendshme shqiptare dhe zyrtarë të tjerë sovjetikë ishin përpjekur të nxisnin gjeneralët e ushtrisë kundër lidershipit partiak.

BRSS madje, sipas tij, kishte refuzuar të lëvronte “ndihmën vëllazërore internacionaliste”, duke rrezikuar t’a linte popullin shqiptar pa bukë ( si pasojë e dështimit të grushtit të shtetit në vitin 1960) dhe kishte ofruar vetëm 10.000 tonë grurë, i mjaftueshëm vetëm për 35 ditë, në vend të 50 mijë të kërkuara nga pala shqiptare.

HRUSHOVI: A IA VLEN TË MERRESH ME HOXHËN?!

Liderët e tjerë komunistë të Bllokut, u përgjigjën menjëherë ndaj sulmeve të Hoxhës kundër Hrushovit dhe Partisë sovjetike, por Hrushovi vetë nuk u përgjigj deri më datë 23 nëntor.

Ai nuk bëri asnjë përpjekje për t’iu përgjigjur akuzave të Hoxhës në mënyrë të detajuar, por shpjegoi se Partia e tij propozonte që “çështja të zgjidhet me një memorandum që do adresonte problemet më delikate”. Mbi çështjen e Stalinit dhe të Kongresit të 20-të, ai tha se Hoxha e kishte lexuar raportin mbi Stalinin në atë kohë dhe nuk kishte thënë asgjë.

Hrushovi gjithashtu tha se ai posedonte prova dokumentare, në formën e një letre drejtuar KQ PK BRSS, në vitin 1954, ku thuhej se Hoxha kishte rënë dakord se Partia sovjetike duhej të bënte disa rishikime dhe të afrohej me Partinë jugosllave. Faktet e regjistruara disaprovojnë gjithçka që Hoxha thotë, tha ai, por në fund Hrushovi tha: Por nejse...e kush do të merret më me Hoxhën?

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.032013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Festa e Pavarësisë, BE në Tiranë: 112-vjetori e gjen Shqipërinë me hapjen e negociatave për Grupkapitullin e parë

Festa e Pavarësisë, BE në Tiranë: 112-vjetori e gjen Shqipërinë me hapjen e negociatave për Grupkapitullin e parë