Për 11 punonjësit e portit të Durrësit, prej nga ka kaluar pa u vënë re nga askush kamioni me 8 tonë drogë, është shpallur moskopetenca nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe momentalisht dosja në ngarkim të tyre i është referuar prokurorisë së Durrësit për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Prej pesë muajsh, Krimet e Rënda kanë kryer një sërë veprimesh hetimore me qëllim sigurimin e provave që do tw vërtetonin implikimin e doganierwve të Durrësit në trafikun e drogës. Por gjatë kësaj kohe është konsideruar se ata nuk janë të implikuar në trafikun e drogës dhe për pasojë, çështja ndaj tyre i është përcjellë prokurorisë së Durrësit, e cila do tw vijojë hetimet për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Arrestimi dhe lirimi
Me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në muajin prill 2017 janë arrestuar 18 persona, mes tyre dhe shefi i postës policore në Portin e Durrësit, Julian Doraci. Në pranga kanë përfunduar 10 punonjës policie në Portin e Durrësit, përfshirë edhe shefin e stacionit policor, si edhe 8 doganierë të Qafë-Thanës, Durrësit e Tiranës, të dyshuar se kanë siguruar kushtet për kalimin e dy ngarkesave të ndryshme, me peshë totale 10.2 ton kanabis sativa nga Shqipëria në Itali, në muajt shkurt dhe mars 2017. Për të gjithë këta persona, Prokuroria për Krime të Rënda në atë kohë krijoi dyshime të arsyeshme se kanë konsumuar elementët e veprës penale të ”Trafikut të narkotikëve”, në bashkëpunim. Për këtë arsye, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg”, të cilat u zbatuan nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, si edhe Policisë së Shtetit. Por disa muaj më vonë ka qënë Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, ajo që ka ndryshuar masat e sigurisë për të arrestuarit, duke lënë pjesën më të madhe të tyre të lirë.
Shoferi dhe kamioni nuk u fut në TIMS
Nga këqyrja e librit të shërbimit të punonjësve të policisë që kanë qenë me shërbim në Stacionin e Policisë Portit Durrës, në kohën e daljes së dy automjeteve me lëndë narkotike nga Porti Durrës për në Itali, me datë 5 shkurt 2017 kanë qenë me shërbim punonjësit e policisë të gupit të kontrollit, shtetasi Gëzim Dervishi, me detyrë specialist i trajtimit të qenve të shërbimit, Mexhit Xhixha, Roland Metani, Agron Kapllani, Gentian Selmani, me detyrë shoqërues qeni antidrogë, Medi Demiri, kontrollor, Fatmir Plaku me detyrë ndihmës/specialist kontrollor. Ndërsa Shefi i Stacionit të Policisë Portit Durrës ka qenë shtetasi Julian Doraci. Nga deklarimet e punonjësve të policisë kufitare tek Stacioni i Policisë Porti Durrës, si dhe nga provat e tjera të administruara, nuk rezulton që ata të kenë ushtruar kontrollin e automjetit kamion me targa maqedonase, me datë 5 shkurt 2017, në kohën kur ai ka dalë i ngarkuar me lëndë narkotike nga Porti Durrës për në drejtim të Italisë. Punonjësi i policisë Fatmir Plaku, i cili ka qenë personi përgjegjës për të bërë regjistrimin e automjetit në sistemin TIMS, e ka lejuar automjetin të kalojë për në Itali pa verifikuar hyrjen e shtetasit të huaj në Shqipëri që drejtonte automjetin të ngarkuar me lëndë narkotike, shtetasi maqedonas, Z.S, edhe pse nuk është i regjistruar në hyrje nga punonjësi i policisë kufitare të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë, Pogradec. Nisur nga veprimet e punonjësve të policisë kufitare, të doganës dhe të agjentëve doganorw Qafë Thanë dhe atyre të Portit Durrës dhe Doganës Durrës, del nw pah mjaft mirë bashkëpunimi mes tyre për të realizuar kalimin e automjetit kamion të mbushur me lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali.
Nuk kontrolluan mjetin me drogë
Nga këqyrja e librit të shërbimit në Doganën Durrës, rezulton se me datë 5 shkurt 2017,në kohën kur ka dalë automjeti kamion me targa maqedonase, nga Durrësi në Itali, i ngarkuar me lëndë narkotike,në atë kohë si doganier i kontrollit të eksportit në Durrës ka qenë shtetasi Edmond Luzi, i cili nuk e ka kontrolluar automjetin, por ka kontrolluar vetëm dokumentacionin e tij që ishte përgatitur nga doganierët e Qafë Thanës, nga ku është dukur qartë edhe devijimi i destinacionit të daljes së tij nga Dogana e Hanit të Hotit për tek Dogana e Durrësit, fakt ky që përbën një shkak risku për kontrollin e detyrueshëm të automjetit me mall të ngarkuar në të. Nga rrethanat e mësipërme, rezulton se automjeti kamion me targa maqedonase, ka hyrë nga Maqedonia në Shqipëri i ngarkuar me lëndë narkotike, i cili ka kaluar pa ju nënshtruar kontrollit nga punonjësit e policisë kufitare që kanë qenë me shërbim në atë kohë si dhe duke u munduar që të fshehin gjurmët e dokumentimit të hyrjes duk mos e bërë regjistrimin e këtij kamioni. Në rolin e bashkëpunimit të këtij aktiviteti kriminal të trafikimit të lëndës narkotike kanë qenë edhe dy agjentët doganorw Maliq Kadilli dhe Kastriot Topalli, të cilët kanë ndihmuar për ndjekjen e procedurës për devijimin e destinacionit të daljes së automjetit kamion me lëndë narkotike nga Porti Durrës duke patur bashkëpunimin e doganierëve të Doganës Qafë Thanë dhe Durrës dhe të punonjësve të policisë kufitare për trafikimin e lwndëve narkotike nga Durrësi për në Itali.
Punonjësit e proceduar
Gëzim Dervishi, specialist në Policinë e Portit Durrës
Mexhit Xhixha, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
Roland Metani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
Agron Kapllani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës.
Gentian Selmani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
Medi Demiri, kontrollor, Policia e Portit, Durrës
Fatmir Plaku, kontrollor, Policia e Portit, Durrës
Julian Doraci, Shef i Stacionit Policor, Porti Durrës
Edmond Luzi, doganier eksporti, Porti Durrës
Behar Sula, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës
Nezir Bardhoshi, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com