Dosja e hetimit/ Admir Thanza, Anëtari i Gjykatës së Lartë që merr dhurata para vendimeve

Dosja e hetimit/ Admir Thanza, Anëtari i Gjykatës së Lartë që merr dhurata para vendimeve

Gjyqtari Admir Thanza

Admir Thanza gjyqtari i parë që ngel në të tre testet, për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionAnëtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza është gjyqtari i parë nuk arrin dot të kalojë asnjërin nga tre testet e Vetingut, atë të ligjshmërisë së pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Në vendimin e arsyetuar për shkarkimin nga detyra, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arritur në konkluzionin se Admir Thanza nuk justifikon pasurinë, është i papërshtatshëm për të vijuar detyrën dhe se ka cenuar besimin e publikut tek drejtësia.

Ndër të tjera, KPK, gjatë hetimit të thelluar në bashkëpunim me njerëzit e ONM, ka konstatuar se gjyqtari Admir Thanza ka marrë dhurata me vlerë mbi 500 euro në këmbim të vendimeve në favor të palëve që i kanë bërë dhuratën. Në një rast, gjyqtari ka marrë edhe një garazh dhuratë, nga një subjekt i cili ishte palë në një çështje që po gjykohej nga Thanza. “Rezultoi që subjekti i rivlerësimit, z. Admir Thanza, kishte mohuar faktin e marrjes së një sendi si dhuratë nga një shoqëri që kishte pasur çështje në Gjykatën e Lartë, ku vetë subjekti kishte qenë relator dhe nuk kishte kërkuar dorëheqjen për konflikt interesi.

Po ashtu ai mohoi, – në pyetësorin e datës 10.03.2018, – se pikërisht katër ditë më parë (më datë 06.03.2018) ai kishte dhënë një vendim ku palë ishte një person (apo subjekt juridik) që i kishte bërë një dhuratë me vlerë mbi 500 euro. Për sa u përket shpjegimeve mbi faktin e pranimit të një dhurimi (garazhi) nga z. Admir Thanza së bashku me familjarët e tij, Komisioni vëren se ato nuk janë bindëse. Jemi përballë një kontrate të mirëfilltë dhurimi, që përmbush të gjitha elementet formale dhe nuk mund të pretendohet që ajo të mos prodhojë efektet e veta juridike, – përfshirë këtu edhe pasojat apo kufizimet e etikës profesionale të njërit nga pranuesit e dhurimit, – vetëm sepse, pas konstatimit të saj nga Komisioni, pohohet verbalisht se ajo ishte fiktive”, thuhet në vendim. Komisioni thotë se në disa raste Thanza ka mohuar të vërtetën në formularët e plotësuar. “Trupi gjykues vlerëson se etika dhe integriteti i subjektit të rivlerësimit rezultojnë të cunguara edhe për faktin se, përveçse në formularët si më lart, edhe në pyetësorët e Komisionit, në disa raste të përsëritura, z. Admir Thanza ka mohuar të vërtetën edhe përpara Komisionit: mbi marrjen e dhuratave mbi 500 euro, mbi dhënien e vendimeve në çështje me palë “C” sh.p.k. -“dhurues””, thuhet në vendimin e KPK.

Fshehja e dënimit për vjedhje në Itali

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka zbuluar se Admir Thanza është dënuar me vjedhje në Itali, fakt të cilin gjyqtari ia ka fshehur KPK. “Përgjatë hetimit të kryer, Komisioni administroi dokumente në lidhje me një gjetje të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të bashkëngjitura me një shkresë përcjellëse të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, me nr(***)prot., datë 20.04.2018, nga ku rezultonte se: “Z. Admir S. Thanza, i datëlindjes 18.09.1969, lindur në Shkodër, ka qenë i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, në Pisa të Italisë, në datën 21.06.1999, me 40 ditë burg dhe 100.000 lireta gjobë, për vjedhje në bashkëpunim me persona të tjerë. Gjykata e sipërpërmendur ka caktuar pezullim me kusht të ekzekutimit të vendimit në fjalë. Ky vendim ka marrë formë të prerë””, thuhet në vendimin e KPK. Komisioni ka hedhur poshtë pretendimet e gjyqtarit se nuk ka qenë në dijeni.

“Nuk konsiderohet bindës pohimi që subjekti nuk njihte përmbajtjen e vërtetë të dënimit të dhënë ndaj tij, për më tepër që ai ka qenë prezent në sallën e gjyqit, ku ka qenë i asistuar nga një përkthyes dhe i mbrojtur nga një avokat. Nuk kuptohet cila mund të këtë qenë arsyeja që këta t’i referonin subjektit një informacion të pavërtetë, pikërisht mbi një fakt kaq të rëndësishëm, si një vendim dënimi. Në çdo rast edhe më pas subjektit nuk i kanë munguar mundësitë për të verifikuar dhe për mësuar saktësisht llojin dhe sasinë e dënimit të dhënë ndaj tij”, thuhet në vendim.

Pasuria e pajustifikuar

Komisioni i Vetingut ka arritur në konkluzionin se anëtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza nuk e justifikon pasurinë me burime të ligjshme financiare. “Në sajë të rezultateve financiare të shpjeguara më lart, konstatohet një mungesë burimesh financiare të ligjshme, në periudhën 1992 – 2003, si dhe në vitet 2004, 2005, 2008 dhe 2009, që të mund të mjaftonin për të përballuar të gjitha shpenzimet e kryera nga familja e subjektit të rivlerësimit në periudhat respektive, si dhe për të realizuar kursimet e deklaruara. Për rrjedhojë, Komisioni vlerëson se, në prezencën e provave të deklarimeve të pamjaftueshme dhe të mungesës së burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë dhe shpenzimet e kryera, duhet aplikuar neni D i Aneksit të Kushtetutës dhe pika 3 e nenit 61 të ligjit nr. 84/2016”, thuhet në vendim.

Konkluzioni përfundimtar

-Lidhur me kriterin e pasurisë, subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe nuk ka dhënë shpjegime bindëse, referuar pikës 3 dhe 5 të nenit 61 të ligjit nr. 84/2016 dhe parashikimeve të nenit D, pika 1, 3, 5 të Aneksit të Kushtetutës.

-Lidhur me kriterin e figurës, subjekti i rivlerësimit, referuar nenit DH të Aneksit të Kushtetutës, nenit 38 dhe pikës 2 të nenit 61 të ligjit nr. 84/2016, në bazë të konkluzionit të organeve ligjzbatuese rezulton i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës, dhe nuk ka dhënë shpjegime apo prova bindëse për të kundërtën.

-Lidhur me kriterin e rivlerësimit profesional rezulton se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.

-Për rrjedhojë, trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe në kontrollin e figurës, sipas parashikimit të nenit 59/1, germa “a”, të ligjit nr. 84/2016, si dhe ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.

-Në këto kushte, Komisioni bazuar në provat që disponon, vlerësimin e çështjes në tërësi, si dhe bindjen e brendshme arrin në konkluzionin që subjektit të rivlerësimit, z. Admir Thanza, me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë, t’i jepet masa disiplinore e shkarkimit nga detyra.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit