Dosja e Met Kananit/ Ja nëntë ushtarët e baronit të drogës që dalin në gjyq të pandehur

TIRANË- Nëntë persona, bashkëpunëtorë të ngushtë të Met Kanit, i cili është arrestuar në Turqi për trafik droge, janë marrë të pandehur dhe dërguar në gjykatë për akuzën e "Trafikimit të narkotikeve", në bashkëpunim kryer në formën e “Grupit strukturuar kriminal” dhe "Mbajtja pa leje i armëve luftarake”. Janë dashur më shumë se 1 vit hetime që prokuroria e Krimeve të Rënda të konkretizojë rolet e secilit prej të pandehurve, duke dërguar dosjen penale për shqyrtim gjyqësor. Financuesit e këtij grupi janë Met Kanani që shpesh qëndronte në Turqi dhe Bilbil Heqimi që monitoronte punën në Shqipëri. Gjithashtu ky grup kishte dhe katër persona të tjerë që blinin drogën me para në dorë tek kultivuesit dhe më konkretisht janë Klinsi Aliaj, Orges Islami, Iliro Haruni dhe Florand Xhabej.

Kjo dosje është ndërtuar duke bashkëpunuar me zyrtarë të DEA-s Amerikane dhe autoritet e Drejtësisë Turke, pasi grupi kishte një shtrirje të gjerë që fillonte nga Shqipëria, Greqia, Turqia dhe deri në Amerikë, aty ku lideri i këtij grupi kriminal, Met Kanani, kishte marrë një dënim penal dhe autoritet amerikane tashmë kishin filluar ndjekjen e tij. Hetimi i kësaj dosje në Shqipëri ka filluar nga prokurori Anton Martini,më pas ka vijuar nga prokurorja Elisabeta Imeraj dhe tashmë përfundimin e hetimeve e ka kryer sërish Anton Martini. Personat e marrë të pandehur dhe që pritet të dalin para gjykatës së Krimeve të Rënda quhen Klinsi Aliaj, Orges Islami, Arvanit Ulndreaj, Bilbil Heqimi, Gojard Jahelezi, Florand Xhabej, Andrea alias Sadik Balla, Lavdrim Çuku dhe Saimir Rira. Mes këtyre personave ka qenë i arrestuar dhe Armando Gjini nga Rrësheni, por për shkak se ky i fundit ka mbetur i vrarë në një atentat në qendër të Rrëshenit, akuza ndaj këtij personi është pushuar. Krimet e Rënda, ka qënë prokuroria që drejtoi të gjithë operacionin e koduar “Preçizioni”, ku në mars 2018 në Turqi u arrestua koka i këtij grupi kriminal Met Kanani, i cilësuar si “Baroni i drogës”. Falë këtij operacioni në total janë 38 persona të arrestuar në katër shtete dhe 8 ton drogë e sekuestruar në vende dhe kohë të ndryshme. Met Kanani, trafikanti shqiptar është me pasaportë amerikane dhe kundër tij ishin aktivizuar DEA, si dhe disa agjenci investigimi europiane.

Met Kanani, emrin e të cilit e përmendi edhe ish-ambasadori Aerikan në Tiranë Donald Lu, u kap në mars 2018 në Turqi, me një sasi të madhe hashashi, së bashku me disa nga bashkëpunëtorët e tij. Një prej tyre, i quajtur Ruvin Spahiu, njihej në Turqi me pseudonimin “Ujku i Detit”, për aftësitë e tij si skafist. Ai e transportonte hashashin shqiptar nga Greqia drejt Turqisë, ndërsa në Greqi hashashi dërgohej nga Shqipëria nëpërmjet disa skafistëve nga Vlora. Droga aty këmbehej me heroinë, e cila sigurohej nga mafia turke dhe që kishte si vend origjine prodhuesit në Afganistan. Më pas ushtria e trafikantëve që drejtohet nga Met Xhevair Kanani, e shpërndante heroinën në vendet e Bashkimit Europian. Një rrjet tjetër i kësaj bande, ishte edhe kokaina nga Amerika Latine drejt vendeve te Europës,aktivitet ky që solli dhe impenjimin e agjentëve të DEA-s, në këtë dosje.

Katër financuesit që blinin drogën
Veç dy biznesmenëve gjatë fazës së hetimit, prokuroria e Krimeve të Rënda ka evidentuar dhe katër persona si financues të trafikut të drogës. Këta persona janë shtetasit Klinsi Aliaj, Orges Islami, Iliro Haruni dhe Florand Xhabej. Burimet thonë se Klinsi Aliaj, është një tregtar që zotëron kompaninë “ERKS” që momentalisht është një kompani me aktivitet tregtar në likuidim. Ndër të tjera Orges Islami zotëronte një aktivitet tregtar me emrin “MALBORO TOBACO”, aktivitet të cilën e ka pezulluar në datën 12 shkurt 2018. Këta persona është provuar se kanë financuar me shuma të konsiderueshme blerjen e sasive të mëdha të drogës, e cila blihej tek kultivuesit në Vlorë, Lazarat, Tepelenë dhe Krujë. Më pas lënda narkotike grumbullohej tek një magazinë në emër të shtetasit Sotiraq Saraçi, dhe prej këndej sasia e drogës shpërndahej në shumë vende, duke u transportuar me kamionë, makina të vogla, në afërsi të bregut të detit, nga ku transportohej me skaf në Greqi dhe Turqi. Ndër skafistët e marrë të pandehur, të këtij grupi janë Ruvin Spahiu, Besmir Lupi, Redjan Dervishi, ndërsa me kamion ka transportuar drogë në Maqedoni i arrestuari Mentor Moçka dhe në një rast me kafshë ka transportuar drogë në drejtim të Greqisë, Lavdim Çuku. Ndërsa si persona ndërmjetës të këtyre dy grupeve kriminale kanë qënë të pandehurit Gojart Jahelezi, Nexhat Mlloja, Klaudio Ulndreaj, Alfred Shabani,Arvanit Ulndreaj, Armando Gjini dhe Andrea Balla.

Pas kapjes së Kananit, anëtarët: Pastroni farmacinë
Pas arrestimit të Met Kananit në Turqi në muajin mars 2018, hetimet janë përqendruar në Shqipëri për arrestimin e personave të tjerë bashkëpunëtorë të tij. Grupi kriminal trafikonte kanabis në drejtim të Turqisë dhe më pas droga shpërndahej në vendet e BE-së. Kjo ishte edhe linja e re e trafikimit,ku transportoheshin edhe droga të forta si heroinë dhe kokainë. Nga hetimet e kryera nga Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, u ra në gjurmët e disa prej anëtarëve të bandës të cilët vepronin në territorin shqiptar. Mirëpo prangosja e Met Kananit, ka bërë që trafikantët e tjerë në Shqipëri, të merrnin masa për fshehjen e drogës. Disa persona të dyshuar janë përgjuar me metoda speciale teksa ndanin porositë për njëri-tjetrin. "…Pastroni farmacinë…", ka qenë kodi i përdorur nga disa prej anëtarëve të bandës që nënkuptonte të pastronin shtëpitë dhe vendet e punës, duke i paraprirë një ndërhyrje të menjëhershme të policisë.

Hetime për gjurmën e pasurisë në Shqipëri
Paralelisht me dërgimin e dosjes në gjykatë me 9 të pandehur, Krimet e Rënda prej disa muajsh kanë nisur një hetim për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të personave që janë përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Met Kanani dhe i pandehuri Bilbil Heqimi, njihen si drejtuesit e grupit kriminale në Fier,ku dhe zotërojnë biznese në këtë qytet. Met Kanani dhe Bilbil Heqimi rezultojnë të kenë në pronësi të tyre dy kompani private, ku kanë ushtruar aktivitet tregtar. Në emër të Met Kananit, është kompania “Albtek”, e cila është një kompani që kryen aktivitet në fushën e elektronikës. Kanani e zotëron këtë kompani 100 për qind, ndërkohë mësohet se në 21 prill 2014, ai ka pezulluar aktivitetin tregtar të kësaj kompanie. Ndërsa drejtuesi tjetër i këtij grupi kriminal, biznesmeni Bilbil Heqimi, rezulton se zotëron kompaninë e veshmbathjeve “ANDREA & MISTJAN”. Fillimisht këtë kompani Heqimi, e ka hapur me një shtetas Italian të quajtur Roço Di Gianni, por më pas të gjithë kapitalin e saj e ka zotëruar vetë. Kompania ka si objekt të veprimtarisë së saj, përpunimin e veshmbathjeve.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025