Kreu i partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Shqiptarja.com dhe Report TV disponojnë dosjen që po e zbardhin, ku bien në sy aferat e dyshuara, transaksionet dhe gjithashtu bota e biznesit në koncesione e tenderime, si ai i fibrave optike.

SPAK-u e shpalli person nën akuzë për korrupsion pasiv, mosdeklarim dhe fshehje pasurie si dhe pastrim të parave Ilir Metën, si edhe vendosi masën për detyrim paraqitjeje për Monika Kryemadhin, si edhe arrest në shtëpi për Pirro Xhixhon dhe detyrim paraqitjeje për Ema Çokun. Në dosjen e SPAK përfshihen edhe figura të larta biznesi, në lidhje me ndarjen e koncesioneve, prokurimeve dhe përfitimeve.

Sipas dosjes së SPAK, biznesmeni i njohur i “Gener 2” Bashkim Ulaj është përfshirë në një diskutim gati përplasje ekonomike me Ilir Metën, në lidhje me procedurat për shtrimin e fibrave optike dhe projekte të tjera infrastrukturore. Përmendet edhe ish-ministri Edmond Haxhinasto.

Bisedat e siguruara nga SPAK tregojnë një seri takimesh të fshehta mes Bashkim Ulajt dhe biznesmenit, Adrian Shatku kushëriri i Monika Kryemadhit, e cila e pranoi para mediave lidhjen e miqësisë me biznesmenin.

Madje ka pasur një takim mes Shatkut dhe Ulajt, ku i pari i shkruan Kryemadhit se biznesmeni kishte rënë dakord për planin e tërheqjes, por ajo e porosit të kishte kujdes nga ai.

Pasazhi më i fortë sipas SPAK në këtë pjesë, është biseda e Kryemadhit me Shatkun, ku e porosit tekstualisht “mos ia përmend emrat tanë”.

Pjesë nga përgjimet e SPAK mes Adrian Shatkut dhe Monika Kryemadhit në kohë të ndryshme, kryesisht periudha tetor 2014-dhjetor 2014, kur bëhej diskutimi:

Monika Kryemadhi i shkruan Adrianit se: ‘Me kujdes më thotë Iliri se B mos të regjistrojnë dhe mos t’ia përmend emrat tanë...”.

Më tej në komunikimet e datës 18 nëntor 2014, Adrian Shatku i shkruan Kryemadhit:

“Për atë Iliri më tha bëjeni dhe të dyja t’i keni”.

Një tjetër dokument tregon lëvizjet e Monika Kryemadhit dhe biznesmenit Adrian Shatku për të marrë bizneset e telekomunikacionit dhe teknologjisë të monopolizuara nga Bashkim Ulaj i "Gener 2".

“Adrian Shatku i shkruan Monika Kryemadhit se:

‘Bashkimi 95% gati. Foli pak keq, por pranoi, tha më mirë ti se je ekspert i fushës sesa një tjetër... Mund të firmosim sonte ose nesër?'”

Meta prej 21 tetorit mbahet në paraburgim në qelitë e Bllokut të Sigurisë në Tiranë, ndërsa ndaj Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos) është caktuar “arrest shtëpie”, ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”.