TIRANE - Gjykata e Posaçme e Apelit hoqi sot (14 janar 2025) masën “detyrim paraqitje” ndaj gazetarit Elton Qyno, i cili akuzohet për korrupsion pasiv në sektorin privat në dosjen që SPAK po heton ndaj grupit të Suel Çelës, të shumëkërkuarit të drejtësisë, që me paratë e trafikut të kokainës, kishte shtrirë ndikimin në drejtësi dhe media.
Kolegu i tij Artan Hoxha, i cili ka gjithashtu masën detyrim paraqitje, nuk rezulton bërë ankimim në Apel, ndërsa SPAK e akuzon edhe si anëtar të bandës kriminale.
Gjyqtari i Posaçëm i Apelit Dhimitër Lara la në fuqi masat e sigurisë arrest në burg për ish-gjyqtaren e Elbasanit Pajtime Fetahu dhe vëllezërit Marsel e Xhino Roka, të konsideruar si ushtarë të Suel Çelës në disa ngjarje kriminale përfshirë tentativa për vrasje.
Teksa mbante togën e zezë, ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahi, akuzohet nga SPAK se i shërbente krimit. Jo vetëm ulte dënimet për anëtarët e bandës së Suel Çelës, por akuzohet se ndikonte edhe tek kolegët për masa më lehtësuesve ndaj grupit të mikut të saj, mes të cilëve SPAK ka gjetur edhe komunikime në SKY Ecc. Kjo është masa e dytë për Fetahun, pasi ndodhet në arrest shtëpie për përfshirje në dosjen e grupit të Çopajve po në Elbasan.
Me llogari në aplikacionin e koduar sipas SPAK ishte edhe gazetari Artan Hoxha, abonim të cilin ia paguante vetë Suel Çela dhe aty, i jepte informacione në dëm të rivalëve dhe në favor të bandës së tij me kushtin që gazetari t’i deklaronte në emisionet televizive ku ishte i ftuar. Por hetuesit thonë se kanë raste që të dy, Artan Hoxha dhe Suel Cela edhe janë takuar personalisht në Elbasan
Suel Çela kërkohet edhe për dosjen “Plumbi i Artë”, ndërsa organizata e tij kriminale u zbulua nga hetimet e SPAK në bashkëpunim me partnerët në disa vende, dhe më në fund të nëntorit të vitit që shkoi mori aprovimin e gjykatës së posaçme për 21 masa sigurie.
SPAK pritet të përcjellë kërkesën për ekstradimin e Mario Çelës, vëllai i Suel Çelës, i arrestuar në Belgjikë bashkë me një anëtar të grupit, dhe të biznesmenit Bujar Shega truri i pastrimit të parave të grupit, i cili u ndalua në Milano.
SPAK ka nisur edhe një hetim pasuror ndaj grupit të Suel Çelës, pasi dyshohet se ka pastruar paratë e kokainës nga Amerika Latine me investime në Shqipëri.