Forumi Ekonomik Botëror ka nisur një hetim të pavarur ndaj shefit ekzekutiv Borge Brende, për të sqaruar marrëdhënien e tij me pedofilin Jeffrey Epstein, raporton Reuters.
Organizatori me bazë në Gjenevë i samitit të Davosit tha se po shqyrtonte informacionet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve, të cilat treguan se Brende kishte pasur tri darka pune me Epstein dhe gjithashtu kishte komunikuar me financierin përmes email-eve dhe mesazheve SMS.
“Në kuadër të këtyre kontakteve, Bordi Drejtues i kërkoi Komitetit të Auditimit dhe Riskut të hetonte çështjen, i cili më pas vendosi të nisë një hetim të pavarur,” tha Forumi në një deklaratë. “Ky vendim thekson angazhimin e Forumit për transparencë dhe ruajtjen e integritetit të tij,” shtoi më tej.
Forumi tha se Brende, ish-ministër i Jashtëm norvegjez dhe CEO që nga viti 2017, mbështeti plotësisht shqyrtimin, të cilin e kishte kërkuar vetë ai.
Brende deklaroi se kishte takuar Epsteinin në vitin 2018 në një darkë në New York, ku ishte ftuar nga ish-zëvendës kryeministri norvegjez Terje Rod-Larsen.
Ai tha se kishte marrë pjesë në dy darka të ngjashme në vitin 2019 me Epsteinin, së bashku me diplomatë dhe udhëheqës biznesi, por këto ngjarje, së bashku me “disa email-e dhe mesazhe SMS”, përbënin të gjithë shkallën e ndërveprimeve të tyre.
“Unë nuk kisha asnjë njohuri për të kaluarën dhe aktivitetet kriminale të Epsteinit,” tha Brende në deklaratë, duke shtuar se e kishte pësuar që nuk kishte bërë një verifikim më të hollësishëm për Epsteinin para se ta takonte.
“Nëse do ta dija për të kaluarën e tij, do të kisha refuzuar ftesën fillestare për t’u bashkuar me Rod-Larsen dhe çdo ftesë tjetër për darka apo komunikime të mëtejshme,” shtoi ai.
Forumi Ekonomik tha se Brende do të vazhdojë detyrat e tij si shef ekzekutiv ndërsa avokatë të jashtëm do të kryejnë hetimin.
Komente











