1769170280_policia.jpg

Lënda eksplozive që u gjet në makinën e Mirash Gjikolës në Sarandë është artizanale me nitrat, e cila përgjithësisht përdoret për peshkim. Eksplozivi ishte vendosur në sediljen e pasme bashkë me celularin që dyshohet se do të përdorej për të krijuar shpërthimin. Në momentin që është konstatuar nga RENEA, është gjetur e plasur vetëm kapsolla.

Policia e Vlorës po heton në 2 pista për momentin. E para lidhet me plagosjen e Dedë Kovaçit në tetor 2012 në Spitën të Lezhës. Sipas burimeve, Gjikola nuk i ka sheshuar muhabetet me familjen Kovaçi që pas ngjarjes, dhe për t’i shpëtuar një hakmarrjeje të mundshme, bashkë me familjen është zhvendosur në fshatin Shëndëlli të Konispolit, i cili njihet për strehimin e shumë familjeve me probleme të ngjashme, që ikin për t’i shpëtuar përballjes me persona dhe familje që kanë pasur probleme.

Dedë Gjoni është i njëjti person që në 2012-ën është plagosur nga Mirash Gjikola. Deri në këtë fazë, policia nuk ka prova të qarta nëse është autor i ngjarjes, por është emri i vetëm që Mirash Gjikola ka dhënë në kallëzim, me pretendimin si me të vetmin person që ka pasur më herët konflikt, ende të pazgjidhur.

Pista e dytë që po hetohet është një sajim i mundshëm i ngjarjes, pasi Mirash Gjikolës, pak kohë më parë, i është refuzuar viza amerikane. Ngjarjen dyshohet ta ketë përdorur me qëllimin për të aplikuar sërish.

Vetë Gjikola nuk është treguar shumë bashkëpunues me hetuesit, çfarë ka sjell dyshime për vërtetësinë e ngjarjes.


Lajmi kryesor:

Parandalohet atentati në Konispol, shoferi pikas tritolin në sediljen e makinës dhe njofton policinë! Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori