Komiteti i Ministrave në Këshillin e Europës i ka hequr imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Thorbjorn Jagland pas një kërkese nga autoritetet norvegjeze për të ndjekur procedurat në lidhje me akuzat për korrupsion të rënduar.

Vendimi vjen pas zbulimeve mediatike që nga nëntori 2025 të lidhura me dokumentet e publikuara nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara në çështjen penale Epstein.

“Pas zbulimeve të nëntorit 2025, mora të gjitha masat që i konsiderova të nevojshme për të mbrojtur integritetin dhe reputacionin e Këshillit të Evropës. Kërkova hapjen e një hetimi të brendshëm administrativ joformal me qëllim sqarimin e rrethanave të kësaj çështjeje dhe verifikimin e informacionit që ishte në dispozicion.", tha ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm Alain Berset. 

Më herët, Norvegjia ka nisur një hetim ndaj ish-kryeministrit Jagland, nën dyshimin për korrupsion që rrjedh nga kontakti i tij me financierin amerikan dhe shkelësin seksual Jeffrey Epstein.

Hetimi do të përqendrohet në faktin nëse Jagland ka marrë dhurata ose favore në lidhje me pozicionet e tij.

Jagland përmendet disa herë në një mori faqesh të publikuara javën e kaluar nga autoritetet amerikane për Epstein.

Në një email drejtuar Epstein në 25 maj të 2012-ës, Jagland shkroi: “Kam qenë në Tiranë (Shqipëri) vajza të jashtëzakonshme.”

"Do të shkoj në Jordani, Palestinë dhe Izrael. Do të kthehem të enjten....Nëse nuk e keni telefonuar ende Barbara Daniels, "ju lutem më njoftoni"... Bill Richardson do të donte të telefonate", shkruhet ndër të tjera në mesazh.

Jagland shërbeu si kryeministër nga viti 1996 deri në vitin 1997. Ai ishte sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës nga viti 2009 deri në vitin 2019 dhe kryesoi Komitetin Norvegjez të Nobelit nga viti 2009 deri në vitin 2015.