Dosja hetimore/Mark Ndoja, me poezi
e përkthime kundër Partisë e Pushtetit

Dosja hetimore/Mark Ndoja, me poezi<br />e përkthime kundër Partisë e Pushtetit<br>
Në Gjyqin e Deputetëve shkrimtari Mark Ndoja, gjatë hetuesisë së Dr. Enver Zazanit, akuzohet si anëtar i organizatës së “Grupit të Deputetëve” si përfaqësues i famullitarit katolik të Tiranës [Imz. Shtjefën Kurti]. Në prill 1946 emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe më 28 janar 1947, Sekretar i Përgjithshëm i Institutit të Shkencavet, ndërsa më 1950 emërohet Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve. 

Më 1953 rinisi përndjekja ndaj tij, për kundërshtitë ndaj zbatimit të Metodës së Realizmit Socjalist, dhe sidomos modelit sovjetik të tij. Më 1954 u shkarkua nga funksionet dhe u emërua mësues në Gjimnazin Qemal Stafa. E denoncojnë Riza Lalo dhe Mehmet Myftiu, ndërsa Kasem Trebeshina, shënohet në procesin e Markut si dëshmitar, por nuk ka proces-verbal, e survejonte poeti bp “Dhelpëria” A. Varfi. Arrestohet më 24 qershor 1955 me urdhër të hetuesit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Major Raqi Zavalani, “për veprimtari armiqësore kundra Pushtetit”.

Nga vendimi i gjyqit: “Në filllim aktiviteti i tijë ka qenë drejtuar kundër politikës së Partisë dhe të Shtetit në lëmin e letërsisë. [...] Ai ka shprehur mendimin e tij mbi pazotësinë e njerzve të Partisë për të zgjidhur problemet e letërsisë. [...] U vërtetua se i pandehuri Mark Ndoja ka filluar të shkruaj një seri vjershash me përmbajtje antishtetërore në të cilat ve në lojë udhëheqësit e Partisë dhe të shtetit. Mendimet e çfaqura në këto shkrime, ashtu si e pranojë edhe vetë i pandehuri, janë antishtetërore dhe ato dëmtojnë interesat e shtetit t’onë të demokracisë popullore.

Karakteri armiqësor i këtyre shkrimeve del i qartë edhe nga fakti se i pandehuri nuk kishte asnjë mëri ose mosmarëveshje personale me personat kundër të cilëve ai ka shkrojtur në mënyrë fyese dhe diskreditonjëse dhe me qëllim antishtetëror. U provua se Mark Ndoja ka folur haptazi në mënyrë armiqësore kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Ai ka thënë se masat e marra kundër tij dhe personave të tjerë, që përkrahin pikpamjet e tijë në letërsi, tregojnë se Republika Popullore e Shqipërisë po kalbet.

U provua se po në këtë kohë ai ka përkthyer një strofë të një vjershe të poetit Hajne ku flitet për trajtimin e keq të poetëve nga regjimi i Kajzerit dhe me anë të kësaj vjershe ka dashur të paraqesë gjëndjen e vendit t’onë sikur edhe këtu shkrimtarët trajtohen keq nga ana e Partisë dhe e Shtetit. [...] Ai është munduar ti paraqesë organet e drejtësisë si organe terroriste. [...] Përmbajtja e shkrimeve të tija dhe e mendimeve është haptazi antishtetërore. Këtë i pandehuri e ka kuptuar dhe për deri sa e ka vazhduar në mënyrë sistematike del se edhe e ka dëshiruar një dëmtim të tillë.”

Satirat i drejtoheshin Enver Hoxhës, Nexhmie Hoxhës dhe Fiqirete Shehut. Një nga akuzat ishte edhe zgjedhja e Markut për të shkruar gegënisht.

Më 16 janar 1956, me vendim të Këshillit Gjyqsor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, kryesuar nga: Fiqiret Spahiu, Shpresa Fuga, Nazmi Peza, u dënua me 6 vjet burg, “për krimin e agjitacjonit dhe të propagandës kundër Republikës Popullore të Shqipërisë”. Dënimin e vuajti në burgun e Burrelit.

Lirohet nga burgu më 1960 dhe deri më 1964 ka bashkëpunuar si përkthyes jashtëm i shtëpisë botuese Naim Frashëri, ka përthyer nga shqipja në italisht në anonimat: një vëllim me tregime të autorëve të rinj shqiptarë si N. Prifti etj., veprën e Mjedës, Kënga e fundit e Balëstë Gavril Darës. Përktheu në shqip Komedinë Hyjnore të Dante Alighierit, veprën e Horacit, Antologji të Poetëve të mëdhenj italianë.

I dërgoi një letër Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut për botimin e përkthimit të “Ferrit” me rastin e 700 vjetorit të lindjes së Dantes: si përgjigje internohet ditën e Krishtlindjeve më 25 dhjetor 1964 në ishullin e Zvernecit. Ndërsa vuante dënimin më 1968 i bie një ictus cerebral, një ditë para transferimit familjarisht të parashikuar nga Ministria e Brendëshme për në Berat. Mbahet i paralizuar në spitalin e Vlorës nga Drejtori, Dr. Ibrahim Dervishi, dhe që atje kalon 6 muaj të tjerë në Spitalin e Burgut në Tiranë. Lirohet në qershor 1968 dhe vdes në Tiranë më 22 qershor 1972.

Vepra: Ode Mark Kapidanit, Bot. Françeskane, 1933, Letërsia e huej, Instituti pedagogjik, 1947, Vjersha dhe Poema, 1950, Ded Gjon Luli, Tragjedi, 1994, Kritika Klasike dhe leksione greko-romake, 2003, Antologji (nga dente te D’Annunzio), 2012, Letërsia Botërore, 2006-2013, 2 vëll, Lirika e Fishtës, 2006. Përkthime: Komedia Hyjnore, Dante Alighieri, Satira dhe Epistula, Horaci, Andrra e Jetës, Vepra,Opere scelte, A. Mjedja, “Un fior d’autunno” Giorgio Fishta.

Dorëshkrime: Ultimo canto di Bala, përkth. Gavril Dara, Jehe të mekuna, poezi, 2 vepra mbi Skënderbeun, Lavdi e shekujve, tragjedi, dheTrilogji kreshnike, roman në vargje.

AMPB, F.1, Hetimor-Gjyqësor, D. 4739, Mark Ndue Ndoja.

Përkthimi i Mark Ndojës, ku Hoxha aludohej si Kajzeri i Gjermanisë 

Më poshtë sjellim  një përkthim, një satirë dhe një poezi, të cilat janë marrë nga Dosja Hetimore e Mark Ndojës.

Pjesa e përkthimit nga poema Një përrallë dimri, e Hajnes,  ishte një nga provat e akuzës se aludonte nëpërmjet vargjeve të Hajnes ndaj Kajzerit të Gjermanisë, Enver Hoxhën. Mark Ndoja e ka pranuar se e ka kryer për këtë arsye përkthimin duke u dënuar me 6 vjet burg.

[1] HEINE
Lira ime asht ajo që i binte dikur im at Aristofani: dhe unë, në kapitullin e fundit të poemës sime, po mundohem me imitue pakë Zogjt e Bretkocat, dy prodhimet ma të mirat e tim eti.

Sidomos kjo e fundit asht e përsosun, dhe i pëlqen mbretit. Megjithatë po t'ish ende gjallë autori, nuk do ta këshillojsha me shkue në Bedin për t'asistue në çfaqjen e komedive të tija.

I ziu Aristofan do të kalonte nji çerek ore të keq; Madhnija e tij do ta mbërthente me xhandarët e tij!

O mbret! Un due me të dhanë nji këshillë

Të mirë: Nderoji poetët që kanë vdekë, dhe

Mos i fyej ata që janë gjallë. Ata kanë shigjeta

Ma të tmerrshme se rrufetë e Jovit.

M. Ndoja [firma]

[2] [Satirë] Po aty fl. 67.

Si zhel të paskan heshun në nji skutë

Të murme, ku s'sheh diellin as prendverën!

Kalojnë pranë teje njerzit tui u tutë;

me t'pa ndër sy kan frigë se u ngjit kolerën.

I madh asht helmi, zemra me t'u kputë,

Kur as për zhel nuk duen me ta njoftë vlerën,

Kur s'thonë as "plaç!" As t'pshtyjë, as të bien shputë,

As t'lanë pa trinë, por rrin tue t'thanë: "luej derën!"

Ani! Ti mos u jep! Farko shigjeta

Aty në skutë e kij besim! Nji ditë

Ka për t'ague, kur ke me iau vërvitë

Të poshtërve n'surrat. Si qyrraveca

Ka për t'i marrë rrokoll ata tatpjeta,

se bostanxhis s'i shiten kastraveca!

[3] [poezi] Po aty fl. 31.

Mos plas, o zemra ime, qendro e fortë!

Qendro e zen pusi ndër të përpjeta,

Eprej andej qello ti me shigjeta

Që shekujt shpojnë tui rrxue kalbsi e krim.

Zemrën ma kanë qellue, ma kanë ba shportë

Vuejtjet e mija e t'botës, fort ma tepër:

Por duhet me qendrue! E larta vepër

S'mbaron pa luftë e tmerr e pa trishtim.

 

AMPB, F. 1, D. 4739, fl. 65-66. 1955.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Bardhi takim me strukturat e PD në Divjakë, thirrje dhe për protestën e të martës në Tiranë: Fermerët kanë mjaftueshëm arsye!

Bardhi takim me strukturat e PD në Divjakë, thirrje dhe për protestën e të martës në Tiranë: Fermerët kanë mjaftueshëm arsye!