Mes të akuzuarve për skandalin e mbetjeve të rrezikshme të Kurum Interational është edhe kompania koncesionari e menaxhimit të kalatës lindore të portit të Durrësit, EMS Albanian Port Operator.

Të pandehur për aktivitetin e paligjshëm të kësaj kompanie janë marrë ish administratorin gjerman, Ingo Hesse, administratori aktual i emëruar nga një kompani kroate dhe një punonjës.

Në dosjen e siguruar nga Report Tv të Prokurorisë së Durrësit, thuhet se koncesionari EMS Albania Port Operator, i depozitoi mbetjet e rrezikshme e ardhura nga “Kurum” në të paktën 4 raste, edhe pse nuk kishte leje mjedisore për pranimin e tyre.

"EMS ALBANIAN PORT OPERATOR (EMS APO)", që menaxhon kalatën lindore të portit që prej vitit 2013. I akuzuari Ingo Hesse, ndaj të cilit është marrë masa e sigurisë “arrest me burg, ka qenë i emëruar administrator prej majit 2023, por më 31 korrik 2024, vetëm pak javë nga nisja e mbetjeve të rrezikshme nga Durrësi, Kompania gjermane  “EMS Shipping and Trading GMBH” u largua nga koncesioni 35-vjeçar dhe ia shiti aksionet një kompanie kroate për një vlerë të paguar prej 13 milionë eurosh. Kompania kroate SCAPHA D.O.O” emëroi më pas administrator të koncesionarait EMS APO Florian Çimon, i cili kishte punuar prej fillimit në koncesionar dhe si përfaqësues i firmës edhe me gjermanët.

Në vitin 2022 koncesionari kishte marrë një leje nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, leje e cila citonte: Magazinimi, ngarkimi ose shkarkimi në masë të madhe i çimentos ose i klinkerit të çimentos përpara transportimit lë tyre në masë të madhe dhe magazinimi i hekurishteve/skrapeve të metalit që nuk përmbajnë material të rrezikshëm

Pra në mënyrë eksplicide jo material të rrezikshëm. Por në dosje thuhet se kompania "EMS Albanian Port Operator" (EMS APO) me përfaqëues Florian Cimo lidhi kontratë me kompaninë kroate të Xhovana Sokolajt, “GS MINERALS” për depozitimin e oksidit të zinkut.

“Rezulton se kjo shoqëri është e pajisur me Leje Mjedisi Tipi B, por në leje nuk parashikohet që ky subjekt të ketë të drejtë të depozitojë dhe të menaxhojë mbetjen Oksid Zinku pasi kjo mbetje kërkon leje të veçantë sepse është mbetje e rrezikshme dhe mban kodin 10 07 02 * kod të cilin EMS nuk e disponon në përmbajtjen e lejes, si dhe as për Oksid Hekuri dhe Oksid Zinku”, thuhet në dosje.

Vetë kompania thuhet në dosje kishte kërkuar leje por kishte marrë përgjigje negative me argumentin se “Licensimi i kësaj veprimtarie do të ishte në kundërshtim me parimet e mbrojtjes se mjedisit dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore të sipërcituara”

Një ankesë në gjykatë për mosdhënien e lejes, si vendim i marrë nga institucioni jo kompetent, e cila i është pranuar pjesërisht, është shfrytëzuar nga kompania që sipas prokurorisë të kryejë veprimtarinë në shkelje të lejes së mjedisit

“EMS APO ka ushtruar aktivitetin me vetëdijen se ka qenë në shkelje të lejes mjedisore. Fakti që Gjykata ka pranuar kërkesë padinë për çështje kompetence, nuk i heq kësaj shoqërie përgjegjësinë që ka pranuar të grumbullojë e magazinojë mbetje të rezikshme, duke qenë në dijeni se nuk i përmbush standardet e kërkuara nga vetë leja e mjedisit.

Në çdo rast, leja e mjedisit i është dhënë subjektit EMS APO vetëm për magazinim a grumbullim të hekurishteve e skrapeve që nuk përmbajnë material të rrezikshëm. Që do të thote, se EMS APO ka pasur detyrimin të krijojë sistem verifikues mbi mallrat që pranon të grumbullohen apo magazinohen në sipërfaqen e administruar prej saj në Portin e Durrësit”, thuhet në dosje.

Në shkelje të plotë evidenton prokuroria në rastin e Kurum, EMS APO ka pranuar në të paktën 4 raste të grumbullojë mbetje të rrezikshme pa kryer asnjë lloj verifikimi dhe pa pasur asnjë mekanizëm sigurie për të shmangur efektet e dëmshme në mjedis dhe në shëndet.

“EMS APO ka kryer raportin e vetëmonitorimit nëpërmjet një subjekti të licencuar ku ka raportuar edhe mbi sasitë e lëndëve që janë eksportuar, grumbulluar apo magazinuar. Në këtë raport mungon raportimi mbi eksportin e oksidit të zinkut, koncentratit të zinkut apo mbetjeve të tjera me përbërje të lartë zinku sic është në rastin konkret mbetja e kodit 10 02 07*”, thuhet në dosje.

(Kliko këtu për të lexuar ekstraktin historik në QKB të kompanisë)