Tre ditë pas daljes në publik të detajeve nga dosja e bandës “Habilaj”, Prokuroria e Krimeve të Rënda, i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë autorizim për arrestimin e deputetit Tahiri, me akuzën e trafikut të drogës dhe korrupsionit pasiv.
Prokuroria kërkon gjithashtu kontrollin e banesës së ish-ministrit të Brendshëm, ndërsa thotë se po zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për një grup kriminal,i cili ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kanabis sattiva nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Në kërkesën e saj dërguar Kuvendit, Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se ka bashkuar dy procedime penale që bëjnë fjalë për grupin e “Habiljave”, të cilët dyshohet se janë mbështetur nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Gjithashtu në kërkesë prokuroria nuk ka evidentuar asnjë provë që e implikon direkt ish-ministrin Tahiri në trafikun e drogës, por vetëm i është referuar disa të dhënave të sistemit TIMS ku bëhet fjalë për 4 udhëtime që Tahiri ka bërë jashtë shtetit me Artan Habilaj.
Ky është i vetmi pretendim, ndërkohë që pjesa tjetër e dosjes, nuk është shoqëruar me asnjë provë mbështetsë të kësaj kërkese. Dyshohet se prokuroria e Leçes dhe ajo e Katanias kanë furnizuar gjatë këtyre ditëve Prokurorinë e Krimeve të Rënda me disa dokumenta shtesë, që sipas burimeve, rezulton se ish-ministri i Brendshëm Tahiri ka dalë drejtpërdrejt në këto përgjime.
Në kërkesën dërguar Kuvendit thuhet se:“…prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”, parashikuara nga nenet 283/a/2 dhe 260 të Kodit Penal.
Prokuroria për Krime të Rënda po zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për një grup kriminal, i cili ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kanabis sattiva nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri”, thuhet në njoftim.
Nga ana e tij, tre ditë më parë, Saimir Tahiri ka pohuar çdo raport të paligjshëm me kushërinjtë Habilaj. Tahiri tha se ishte i hapur për çdo hetim, për të mësuar të vërtetën. Pak para kësaj deklarate, Tahiri tentoi të zhvillonte një takim me kryeprokurorin Adriatik Llalla, por ky i fundit nuk e priti.
Redaksia Online
J.Sh/Shqiptarja.com