Report Tv ka identifikuar grupin e zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët u kallëzuan dje në SPAK nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për koncesionin të laboratorëve të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes, si dhe për tenderin e blerjes së monitorëve për pacientët me Covid. Sipas burimeve, është kallëzuar në SPAK për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera Raimond Cimbi, ish-drejtor i Drejtorisë së Prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili ka qenë kryetar i komisionit të dhënies së koncesionit, i cili sipas KLSH është i paligjshëm. 

Janë kallëzuar edhe 6 anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit, konkretisht Silva Novi, përgjegjëse e sektorit të Standardeve dhe Protokolleve Spitalore në ministri, Leonora Horanlliu, përgjegjëse e sektorit të Programimit dhe Monitorimit Buxhetit në FSDKSH, Ariola Krymi, mjeke koordinatore në Laboratorin Biokimik në QSUT, Anjeza Alliu, përgjegjëse e sektorit të Prokurimeve, Gazmir Vehbi ekonomist në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve si dhe Armila Ali ekonomiste në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve.

Është kallëzuar në SPAK për shkelje të barazisë në tendera gjithashtu drejtorja e Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit në Ministrinë e Shëndetësisë Flutura Beqo, e cila ishte kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave, si dhe dy anëtarët e KVO Oltion Dhono, drejtor i Qendrës Kombëtare teknike Bio Mjekësore dhe Olsi Akshia, përgjegjës i sektorit të Ankesave dhe Administrative dhe Gjyqësore.

Koncesioni i laboratorëve nisi që në 2015 dhe u finalizua në prill të vitit 2019 me vlerë rreth 104 milionë euro. Kontrata u firmos në 24 prill 2019 mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe konsorciumit të kompanive Labopharma me 41%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium. Pronar me 100 % të aksioneve të Labopharma është biznesmeni shqiptar Janis Karathano. Edhe pas AB Laboratory Solutions B.V, AB Laboratory Solutions B.V, themeluar  në vitit 2007 në Holandë, qëndron sërisht zyrtarisht Janis Karathano. AB Laboratory Solutions B.V e regjistruar në Holandë është në pronësi të kompanisë Pegasus. Pronar me 100 % i kompanisë Pegasus është Janis Karathano, me të cilën ka fituar tendera me vlerë miliona euro në shëndetësi. Pra, kompaninë e Janis Karathano, “Labopharma” në Tiranë dhe AB Laboratory Solutions B.V në Hagë, zotërojnë 75 për qind të konsorciumit. Për të plotësuar kriteret, Janis Karathano ka futur në lojë edhe kompaninë franceze Exalab, e cila ka 25 % të të konsorciumit.

Shkeljet sipas KLSH

Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se komisioni i dhënies së koncesionit të laboratorëve ka refuzuar të pranojë kundërshtimin e Koorporatës Ndërkombëtare të Investimeve (IFC), pjesë e Bankës Botërore, për këtë koncesion. Koorporata Ndërkombëtare të Investimeve kishte kërkuar skualifikimin e grupit të kompanive fituese, pasi njëra kompani shqiptare ishte në ndjekje penale në Spanjë, ndërsa kompania tjetër nuk kishte përqindjen e nevojshme të së drejtës së votës në kompaninë mëmë të saj. KLSH ka arritur në konkluzionin se komisioni duhej të kishte skualifikuar bashkimin e operatorëve, ndryshe nga qëndrimi i Ministrisë që ka pranuar ofertën dhe i ka shpallur fituese.

Komisioni pranë Ministrisë së Shëndetësisë pretendon se informacioni për hetimin ndaj kompanisë shqiptare në Spanjë, nuk është i vërtetë. Në këto rrethana, Komisioni ka shpallur fitues bashkimin e tre kompanive.