Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për një fraksion të dosjes ‘Revanshi’ duke dënuar me burg 5 anëtarë të grupit kriminal, mes të cilëve dy të afërm të ish-deputetit socialist Eduard Ndreca. Ata janë shpallur fajtorë për kultivim të bimëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe sigurim kushtesh për vrasje.

Për Adrian Piklin, ish-efektiv i forcave speciale RENEA dhe Devis Bajramaj, dënimi i 10 viteve burg u reduktua në 6.8 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të ish-deputetit socialist Eduard Ndreca dhe Edison Muçeku u dënuan secili me 8 vite burg që prej gjykimit të shkurtuar shkon në 5.4 vite.

Armando Ndreca, vëllai i ish-deputetit Ndreca, u dënua me 11 vite burg që me gjykim të shkurtuar shkon në 7.4 vite.

Sipas dosjes së SPAK, më 4 nëntor 2020, në Urën e Tapizës në Fushë-Krujë, Albert Zaja dhe persona të tjerë kanë tentuar të vrasin me armë zjarri Durim Bamin dhe Ervin Kodrën.

Sipas hetimeve, në periudhën maj-korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku kanë siguruar mjetet për vrasjen e Hamza Terziut. Ndërsa gjatë muajve korrik-gusht 2020, edhe Elvis Ndreca ka siguruar mjetet për vrasjen e Durim Bamit.

Sipas SPAK, në tetor 2020 Armando Ndreca ka organizuar dhe financuar grupin që prodhoi dhe shiti 243 kilogramë kanabis në Lezhë. Ndërkohë, gjatë viteve 2020-2021, Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli dyshohet se janë përfshirë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve, duke ua shitur ato edhe personave me precedentë penalë.

Për Albert Zajën, i hetuar në të njëjtën çështje, dosja është veçuar dhe po ndiqet në një procedim të ndarë.

Lajm në përditësim...

---------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.