Gjykata e Posaçme ka pranuar gjykimin e shkurtuar për gjashtë të arrestuar të dosjes “Revanshi”: Aldo Avdylin, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, ish-drejtor i Policisë Lezhë, Altin Morina, ish-shef i stërvitjes tek RENEA, Jozi Kraja dhe Durim Bami.
Gjykimi i shkurtuar iu refuzua vetëm Marklen Hakës për shkak të veprës së rëndë, vrasje e mbetur në tentativë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në dëm të Durim Bamit. Për të çështja u veçua dhe do të vijojë me gjykim të zakonshëm, ndërsa për të pandehurit që iu pranua gjykimi i shkurtuar, prokurori i SPAK Alfred Shehu kërkoi kohë që të shpallë pretencën, ndërsa seanca e radhës u la për më 20 maj.
Haka ishte aleat dhe armik i disa grupeve kriminale, i dyshuar po ashtu për vrasjen e Gentjan Bejtjas në Fushë-Krujë e disa ngjarje të tjera.
Avdyli, Haka dhe Kraja ndodhen në burgun 313. Bami u zhvendos në mes të prillit në burgun e Fushë-Krujës pas pretendimeve se i kërcënohej jeta.
Zbardhja e komunikimeve në SKY Ecc zbuloi disa grupe kriminale që ishin përfshirë në sigurim kushtesh për të kryer kultivim narkotikësh në bashkëpunim me strukturat policore, atentat dhe episode të tjera kriminale.
Jozi Kraja e Aldo Avdyli akuzohen për ‘sigurim i kushteve për të vrarë’ ndaj Durim Bamit, vrasje e mbetur në tentativë.
Durim Bami akuzohet për “sigurim e kushteve në vitin 2021 për vrasjen e Arben Ndokës, Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit, drejtues dhe financues i grupit të kultivimit të kanabisit në Nikël të Fushë Krujë dhe Bubq të Krujës në dhjetor 2019-korrik 2020.
Altin Morina akuzohet si bashkëpunëtor i Bamit për kultivimin e drogës, ndërsa Henerigert Mitri për favorizimin e një grupi kriminal. Edson Jozwik është nën akuzë për trafik ndërkombëtar droge.
Prokuroria e Posaçme në dosjen “Revanshi” zbardhi 12 ngjarje kriminale që ndodhën, u përgatitën apo që dështuan gjatë vitit 2020 nga 7 grupe kriminale me veprimtari në qytete si Lezha, Durrësi, Kruja, Tirana, Vlora dhe Burreli.
Bëhet fjalë për 50 urdhra arresti që u lëshuan nga SPAK, por proceset janë ndarë në disa fraksione. Pak ditë më parë, për një prej fraksioneve SPAK kërkoi 127.6 vite burg, ndër ta emra të njohur të botës së krimit si Emiljano Shullazi, Gjergji Cukali, Astrit Avdyli, Xhelal Rraja, Viktor Imeraj etj.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente











per kriminelet duhet te hiqet gjykim i shkurtuar.....gjykimi i shkurtuar duhet te hiqet fare nga kodi penal.....
Përgjigju