Bashkëpunëtorja e drejtësisë në dosjen “Veliaj”, Adela Kondakçiu, ka paraqitur këtë të hënë konkluzionet e mbrojtjes në seancën gjyqësore. Mbrojtja e financieres ka pretenduar pafajësi, duke kundërshtuar kërkesën e SPAK për dënimin e saj dhe më pas pezullimin e dënimit për shkak të statusit të bashkëpunëtores së drejtësisë.
“Nuk kam bërë asgjë, nuk kam pasur pjesëmarrje, kam zbatuar urdhrat dhe nuk kam përfituar asgjë”, thuhej në një deklaratë të Kondakçiut, të lexuar në seancë nga mbrojtja.
Prokuroria e Posaçme tha se Kondakçiu u ka qëndruar atyre që ka thënë më herët, megjithatë u shpreh se këto janë pretendimet e saj.
Ndërsa mbrojtja ligjore e Kondakçiut tha se roli i saj ka qenë kryesisht teknik dhe jo vendimmarrës. Për këtë arsye, i kërkoi gjykatës të mos e konsiderojë përgjegjëse klienten e saj për kryerjen e veprës penale të “pastrimit të parave”.
“Ajo nuk ka asgjësuar dokumente, nuk ka fshehur dokumente, nuk ka manipuluar serverë, librat e shitjes dhe të blerjes, nuk ka penguar hetimin apo të ketë dhënë deklarime të rreme”, tha avokati mbrojtës në seancë.
Në seancën e kësaj të hëne u bë vetëm mbrojtja e Kondakçiut, pasi të tjerët kërkuan kohë për të përgatitur mbrojtjen. Seanca e radhës u caktua më 23 korrik, kur do të vijojnë konkluzionet përfundimtare të avokatëve të të pandehurve të tjerë.
Kondakçiu, së bashku me disa të pandehur të tjerë, po gjykohet e ndarë nga Erion Veliaj, pasi kanë kërkuar gjykim të shkurtuar. Për të, SPAK ka kërkuar dënimin me 4.8 vite burg dhe pezullimin e ekzekutimit të dënimit për shkak të bashkëpunimit me Prokurorinë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










