TIRANË- Seanca paraprake për dosjen Veliaj dhe të pandehurit e tjerë u shty për shkak se avokatja e kryebashkiakut të Tiranës kërkoi kohë të njihet me aktet. Në seancën në GJKKO, avokatja e caktuar kryesisht Valentina Teodoresku, parashtroi se nuk e kishte bërë mbrojtjen pasi ka qenë jashtë Shqipërisë dhe është kthyer vetëm një ditë më parë. Ajo kërkoi kohë të njihet me aktet dhe autorizim nga GJKKO për t’u takuar në qeli me Veliajn për tu konsultuar për mbrojtjen, kërkesë që u miratua nga trupa gjykuese.

Në sallë pati edhe debate, pasi gjyqtarja e seancës paraprake Etleva Deda e konsideroi një zvarritje të qëllimshme faktin që nuk ishte bërë mbrojtja. Fillimisht ajo e mbylli shqyrtimin gjyqësor, duke pretenduar se është një e drejtë e të pandehurve të bëjnë ose jo mbrojtjen dhe e ka konsideruar të ezauruar duke vendosur të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe të tërhiqet për vendim. Megjithatë ka qenë Veliaj që ka deklaruar se duhet t’i jepet e drejta për t’i bërë mbrojtje dhe t’i vendoset në dispozicion materialet hetimore, një kërkesë e ripërsëritur nga kryebashkiaku. Gjykata e rihapi edhe njëherë procesin gjyqësor duke i lënë kohë avokates kryesisht që deri më datë 2 shkurt, kur u caktua senaca e radhës, të ketë mundësinë të takojë Veliajn dhe më pas të paraqesë mbrojtjen në GJKKO, ku pritet të merret edhe një vendim për kalimin ose jo të dosjes për gjykim.

“Ne kemi vetëm një qëllim, të garantojmë një të drejtë procedurale, i pandehuri të njihet personalisht me aktet në dosje, ose fizikisht me letër të printuar, ose elktronikisht. Asnjë nga këto mundësi nuk mundësohet. Sot, Gjykata fillimisht vendosi ta mbyllë shqyrtimin gjyqësor duke i konsideruar pretendimet e avokatëve si mungesë vullneti për dhënien e deklarimeve. Më vonë, mbi pretendimin e Veliajt si person nën hetim dhe deklarimeve të avokates Teodoresku, revokoi atë vendim dhe i dha mundësi që avokatja të takohet në qeli në Durrës mbi një autorizim të lëshuar nga GJKKO”, sqaroi avokati Artan Gjermenji.

Në seancën e 12 dhjetorit 2025, Veliaj zgjodhi të mos mbrohet më nga avokati Artan Gjermeni. Prezecën e tij në gjyqin e sotëm Gjermeni e shpjegoi kështu.

“Çdo person ka të drejtë ta revokojë avokatin, avokati rri në detyrë derisa të vazhdojë avokati i caktuar nga shteti. Unë jam prezent, kam të drejtë të ngre çdo lloj pretendimi derisa të vazhdojë funksionet avokatja e caktuar kryesisht”, tha ai për gazetarët.

SPAK e akuzon Veliajn për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv e shpërdorim detyre, akuza që kryebashkiaku i ka mohuar, ndërsa procesin e ka vlerësuar të pabazuar në prova.