Prokuroria e Krimeve të Rënda ka në dorë disa dosje voluminoze për korrupsion dhe krimin e organizuar, të të ashtuquajturve "peshqit e mëdhenj". Një prej dosjeve të nxehta është edhe ajo e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri e cila është shqyrtim pikërishit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Kreu i organit të akuzës shoqërohej në këtë analizë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, përfaqësuesi i ambasadës amerikane, prokurori shqiptaro-amerikan, Gjon Juncaj.
Në këto dy javë, Arta Marku ka trokitur në dyert e disa prokurorive të rretheve dhe pas kësaj analize, ka pasur operacione masive nga prokuroria dhe policia si në Elbasan, Vlorë apo dhe Durrës. Mbetet për t'u parë nëse do ketë "shkundje" të Prokurorisë së Krimeve të Rënda pas kësaj vizite të Arta Markut e shoqëruar edhe nga përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë.

Njoftimi i Prokurorisë:
Kryeprokurorja Arta Marku ne analizen e Prok.te Krimeve te Renda dhe Apelit: Për vetë specifikën e veprave penale që janë objekt i ndekjes penale nga Prokuroria për Krime të Rënda, ku shpesh ndërthuren organizatat apo grupet kriminale transnacionalë, kërkohen energji të reja për të ngritur më shumë nivelin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës me agjencitë e zbatimit të ligjit brenda vendit dhe veçanërisht me partnerët ndërkombëtarë.
Prokuroria e Përgjithshme nxit dhe mbështet përshpejtimin e hetimeve të të gjitha çështjeve nga prokurorët e Krimeve të Rënda. Kjo, pa e cenuar aspak cilësinë e hetimeve, por për shkak të ndjeshmërisë së lartë publike që kanë çështjet që hetohen prej jush. Prandaj, kërkohet kjo shpejtësi në plotësimin dhe standardizimin e protokolleve hetimorë.
Pavarësia e prokurorëve mbetet e pacenuar, si një e drejtë e njohur nga Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale. Por, kjo nuk do të thotë që të kalohet në anarki, përveçse kërkohet vëmendje dhe përkushtim maksimal në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjykatë si dhe zbatimin rigoroz të rregullave procedurialë dhe rregullave të parashikuar në ligjin për organizimin e prokurorisë
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com







