Dosjet e ‘nxehta’, Shkelzeni në SPAK e dëshmia e gjeneral Hoxhës acaruan Berishën?!

Dosjet e ‘nxehta’, Shkelzeni në SPAK e dëshmia e gjeneral Hoxhës acaruan Berishën?!

Shkëlzen Berisha duke u futur në SPAK

Nëse dëshironi të mësoni se si po ecën puna e SPAK për përfundimin e hetimit të dosjeve të rënda të korrupsionit, krimit shtetëror dhe krimit të organizuar, mjafton të shihni amplitudën e lëvizjes së humorit të Sali Berishës. E keni të sigurtë, se ish kryeministri, njëherësh dhe kreu i “Rithemelimit” është “barometri” më ideal për të matur efikasitetin e punës së drejtësisë së re, sidomos pas ardhjes në krye të SPAK të prokurorit Altin Dumani.

Këtë po e shohim mirë këto 3 ditët e fundit, kur Berisha po del deri nga pesë herë në ditë në ekranet televizive për të sulmuar kundërshtarët politikë si “armiq të SHBA”, por që në realitet nuk po e mban vendi për hallet e tij të mëdha që e kanë zënë me drejtësinë shqiptare.

Aq halle ka Berisha me drejtësinë e re e me partnerët ndërkombëtarë, sa “rrjetën” e akuzave që ka thurur kohë më parë në nismën që mori për dëbimin e “pabesit” Lulzim Basha, marrjen e drejtimit të shumicës në PD dhe përdorjen e kësaj shumice kundër SHBA-së, sa po harron dhe çfarë ka thënë më parë, duke na prezantuar një kotradiksion të gjallë qëndrimesh e deklaratash. Sepse dhe vetë e ka të vështirë të bëjë një ‘inventar’ të detajuar të tyre, ndaj lëviz si “lavjerrës”.

U desh një akt-padi e publikuar kundër ish zyrtarit të lartë të FBI Charles McGonial e ku nuk ka asnjë rresht që të flitet për korrupsion në raport me historinë me Shqipërinë, që Berisha të shfrenojë fantazinë me teori konspiracioni, për të gjetur një mundësi që të akuzojë Edi Ramën se paska tradhëtuar interesat e kombit shqiptar me takimet që ka realizuar me një zyrtar të lartë të FBI-së amerikane që kishte ardhur në Shqipëri. Por që tashmë ai është larguar nga FBI, dhe që sipas “kutit” të Berishës, Rama duhej ta kishte ditur se njeriu që vinte nga SHBA i veshur me pushtetin që i jep ky shërbim inteligjent, paska qënë një i korruptuar dhe i lidhur me armiqtë e Amerikës. Dhe këto i thotë Berisha, që ka hyrë në vitin e dytë si anti-amerikan 24 karatësh!

Ish zyrtari i FBI faktikisht akuzohet për deklarime të rreme e falsifikime dokumentesh, por jo për korrupsion. Dhe deklarimet e rreme dhe falsifikimi i dokumenteve kanë të bëjnë me detyrimet që ka ai vetë si zyrtar i lartë, me vendin e tij, SHBA-të dhe nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë.

Por duke qënë se kërkon dhe një ‘fije bari’ për të shpëtuar nga hallet që e kanë mbuluar në përballjet shumëfishe të të gjithë familjes biologjike me drejtësinë shqiptare, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA, Britania dhe që trajtohet nga gjithë bota demokratike si i padëshirueshëm, Berisha po gdhihet dhe ngryset në ekranet televizive, duke akuzuar Ramën se ia paska me hile mikut tonë të madh Amerikës, se është i shitur tek rusët dhe akuza të tjera të këtij lloji.

Pavarësisht se ish zyrtari i FBI është hetuar nga organet ligjzbatuese amerikane, i është kopsitur dosja dhe tashmë pritet të merret dhe vendimi përfundimtar nga ana e gjykatës amerikane, pa pasur në asnjë rresht, asnjë akuzë për kryeministrin dhe qeverinë shqiptare, Berisha, dhe nën “jehonën” e tij dhe mbështetësit e aleatët, kërkojnë të nxjerrin përfitim apo mbrojtje politike duke e mbajtur sa më gjatë në ‘ekran’ këtë “telenovelë” të paktën në mediat afër opozitës, duke u përqëndruar në akuzën se Rama ka dhënë informacione për zyrtarin e FBI në atë kohë që të hetohej lobimi me para ruse i PD e njëherësh dhe për dhënie ryshfetesh për të penalizuar PD.

Berisha dhe mbështetësit e tij, që na kanë ‘mbirë’ në ekrane nga mëngjesi deri në darkë, duke iu referuar njërës nga pikat e aktakuzës, asaj të marrjes së parave, diku te shuma 226 mijë dollarë, nga McGonigal tek Agron Neza, shtetas amerikan ky me biznese në SHBA, sqarohet se paratë janë marrë për t’u rikthyer. Shkelja që ngre akuza në ketë rast është mos deklarimi i parave, jo marrja e parave. Është shtet serioz SHBA, duhet të deklarohet gjithçka jo si në Shqipëri.

Pra dhe ky version i Berishës ‘asfiksohet’, pasi aktakuza në asnjë rresht nuk përmend që paratë ia dha Rama apo qeveria shqiptare për të lobuar kundër PD për hetimin e ngritur për paratë ruse ndaj Nick Muzin. Madje as mbi vetë Nezën nuk ka asnjë akuzë. Ndërsa në takimin e zhvilluar në kryeministri mes McGonial e Ramës, nuk ka qënë prezent as Agron Neza dhe as Dorian Duçka. Ka qënë një takim kokë më kokë, dhe kuptohet që ka qënë takim pune, dhe as i hynte kujt në punë se çfarë ndodh me situatën politike.

Për më tepër që mediat në Shqipëri (BIRN) kanë bërë publike nisjen e hetimeve ndaj lobimit rus të PD, me paratë e dhëna nga Kremlini për Sali Berishën, përpara se të zhvillohej takimi i parë i Ramës me zyrtarin e lartë të FBI që sot është nën akuzë dhe jashtë këtij shërbimi inteligjet.

Berisha dhe mbështetësit e tij, po ‘sondojnë’ fort për të zbardhur se çfarë është biseduar mes Ramës dhe ish zyrtarit të FBI, takim i pranuar dhe nga vetë kryeministri, duke akuzuar se është takuar me një zyrtar amerikan që i ka shërbyer një oligarku të Putin. Kërkon dhe komision parlamentar hetimi Berisha, përpos kërcënimin ndaj kryeministrit që të zbardhë bisedën.

E dinë si dreqi se bisedat që zhvillohen mes një zyrtari të shërbimit inteligjent të një vendi si Amerika që komandon botën, qoftë me homologët e tij të vendeve aleate e deri te kryeministri apo presidenti, të cilat kanë në themel sigurinë kombëtare të SHBA dhe të aleatëve të saj, kurrë nuk do të bëhen publike. Po kurrë ama, ndaj kërkon me insistim zbardhjen e kësaj bisede konfidenciale Berisha e mbështetësit e tij, teksa thurin teori konspiracioni dhe dëgjojnë skenarë dhe ‘hartime’ të atij lloji, sa na vjen të skuqemi nga turpi. E di se nuk do ndodhë kurrë!

Për më tepër që Edi Rama nuk i ka detyrim ligjor të bëjë publike këto biseda, nuk ka detyrim të lajmërojë askënd për takimet e planifikuara të këtij lloji, aq më tepër t’i diktojë zyrtarit të lartë të FBI se kë duhet të marrë me vete në turin e tij në Shqipëri, Kosovë, Bosnje Herzegovinë. Apo dhe në Austri, Francë dhe Gjermani. E kemi partner SHBA, një shtet ka dhe sekrete. Përndryshe gjithë korrespondenca e SHSH me kryeministrin, presidentin dhe shërbimet partnerë do të ishte si një postë e madhe në mes të bulevardit, që të hapnin zarfat e të lexonin të gjithë me zë të lartë çfarë informacionesh dërgohen dhe shkëmben.

Por Berisha është i qartë në skemën e tij, pasi gjithçka e vë në shërbim të mbajtjes me gajret të atij grupi demokratësh që e ndjekin në PD dhe që përbëjnë dhe atë që quhet “Rithemelimi”.

Në krye të herës Berishës nuk i del e keqja për shpalljen e tij nga SHBA familjarisht “non grata” për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë. Dhe duke akuzuar ish zyrtarin e lartë të FBI, bashkangjitur dhe akuzat për Ramën, duket sikur shfryn atë inatin me vendimin e ‘non gratës’ ndaj tij, duke u përpjekur që të ngulisë tek publiku idenë se dhe zyrtarët e shërbimit inteligjent amerikan janë të korruptuar, jo vetëm ai. Pavarësisht se McGonial nuk akuzohet për korrupsion, por thjeshtë dhe vetëm se nuk ka deklaruar në shtetin amerikan marrjen e borxhit, dhe në institucionin ku punonte atëherë axhendën e takimeve. Kaq.

Njëherësh, Berisha ndonëse ka akuzuar Bashën për lobimin me para ruse në Uashington, duke e dëbuar nga drejtimi i PD por dhe duke ngritur një grup auditimi në këtë parti për këto financime, teksa bie në kontradiktë me deklaratat e veta, tenton të krijojë perceptimin publik se paska qënë Edi Rama ai që paska paguar afër 230 mijë dollarë për të vënë nën hetim partinë më të madhe opozitare nën akuzën e financimit nga Kremlini. U ‘rehabilitua’ Sorosi, faj paska FBI. Por e kuptoi shpejt ‘gabimin’ Berisha, dhe e ndërthuri sërish sot me akuzën se Basha nuk ka deklaruar ende burimin e këtyre parave, duke lënë shkas për akuza për para ruse.

Një alibi e Berishës kjo që bie, jo vetëm për shkak se ka qënë kontradiktor në të gjitha deklarimet, por dhe sepse organet ligjzbatuese amerikane kanë filluar më herët hetimin për lobimin në SHBA, me mbi gjysmë milioni dollarë para ruse. Dhe nëse FBI ka marrë informacione nga organet ligjzbatuese të shtetit shqiptar, mirë është bërë. Muzin është pyetur, dhe është dënuar për shkeljen e ligjit. Në Shqipëri “heton” dhe “gjykon” politika, ndaj jemi në këtë derenxhe dhe do të vijojmë të jemi sa kohë të kemi këta “dinozaurë” politikë nëpër këmbë.

Por arsyeja e vërtetë që ka nxjerrë Berishën nga “binarët” normalë janë dosjet e rënda dhe të ‘nxehta’ në ngarkim të tij dhe të familjarëve të tij, që me sa duket e kanë mbyllur fazën e hetimit dhe në mos janë dërguar, janë gati për t’u dërguar në Gjykatën e Posaçme për gjykim.

Këtë të enjte ishte Shkelzen Berisha ai që u thirr në SPAK për të dëshmuar për tragjedinë e “Gërdecit”, ku për shkak të shpërthimit të biznesit të tij të municioneve, u vranë 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Pa llogaritur traumën në një zonë të tërë.

Djali i Berishës deklaroi para mediave se u pyet për shënimin e ish ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi mbi një shkresë të firmosur po prej tij, që kishte lidhje me biznesin e demontimit të municioneve në Gërdec, dhe që ishte në adresë të Shkelzen Berishës, në Ministrinë e Mbrojtjes. Apo tha se u pyet dhe për takimet me ish ministrin e Mbrojtjes së asaj kohe, që si për habi ‘hallet familjare’ ishin qarë më shumë vetëm disa momente pas shpërthimit të Gërdecit.

E vërteta e kulluar është se kaq i është lejuar nga prokurorët e SPAK për të bërë deklarata publike, pasi Shkelzen Berisha është pyetur dhe për gjëra të tjera. Të cilat përbëjnë sekret hetimor në fakt, por që përmbajnë elementë thelbësorë për zbardhjen e aferës së Gërdecit.

Dhe mbi të gjitha mbetet një mister fakti nëse ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Luan Hoxha, e ka dhënë dëshminë e tij që nga SHBA apo ka ardhur vetë dhe është rrëfyer nën masa të forta sigurie para më shumë se dy javësh në Tiranë?! Mbetet për ty parë. Ajo që mund të themi se ky është një mister, por që gjithsesi dëshmia e gjeneral Hoxhës është në dosjen e “Gërdecit”. Pavarësisht se si e ku është marrë ajo nga ana e drejtësisë shqiptare.

Ka qënë shumë i frikësuar Gjenerali nga kërcënimet e familjes Berisha, aq sa e ka detyruar të “rrëfehet” fillimisht në ambasadën amerikane në Tiranë para ambasadorit të atëhershëm John Udhers, i cili ia ka përcjellë me kabllogram DASH. Më pas, për sigurinë e tij dhe të familjes, Gjeneral Luan Hoxha mori azil politik në SHBA dhe thuhet se është i penduar i drejtësisë.

Ndaj ishte i acaruar Berisha këtë të enjte, teksa që në pikë të ‘sabahut’ kapi të gjitha ekranet e televizioneve për të akuzuar madje dhe duke kërcënuar kryeministrin Edi Rama për largim nga pushteti me dhunë si “armik” i madh i SHBA. Me sa duket Berisha nuk ishte i sigurtë nëse do ta mbanin Shkëlzenin andej pas pyetjes në SPAK, apo do t’i jepnin dhe pak kohë, si dhëndërr i ri që është për të qëndruar në banesat e tij të shumta që ka, pa bërë asnjë lek punë në tërë jetën e vet.

Një arsye tjetër që e ka acaruar Berishën është dhe kopsitja e dosjes për aferën e privatizimit të ish kompleksit “Partizani”, ku pjesë e përfitimit akuzohet se është dhe dhëndëri i tij Jamarbër Malltezi. Dërgimi i dosjes në gjykatë mund të përkojë dhe me marrjen nën gjykim të Malltezit, dhe Berisha parandjen rrezikun për penalizime shumë të rënda. E di dhe vetë sa është zullumi.

Rikthimi i hetimit për vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar 2011 nga Garda e Republikës, pas fakteve të reja të publikuara dhe që tashmë pritet që hetimi të kalojë në dorën e SPAK-ut pas kallzimit penal të bërë nga Ministri i Drejtësisë, është një “lak” tjetër i fortë që shtrëngohet në qafën e Berishës, i cili akuzohet si urdhërdhënës për këtë vrasje shtetërore.

Të gjitha këto halle që ka mbi shpinë Berisha, e kanë detyruar atë që në moshën 80 vjeçare të rrijë nëpër ekrane televizive, konferenca shtypi, takime të sajuara me deputetët që i kanë mbetur afër, drejtuesit e të rinjve të “Rithemelimit” dhe me këdo që i jepet rasti, që duke sulmuar Ramën për një akuzë të paqënë në raport me ish zyrtarin e lartë të FBI, të largojë vëmendjen sa më shumë nga akuzat që i rëndojnë në kurriz.

Dhe akuzon për ryshfet 225 mijë dollarë Edi Ramën, para që ish zyrtari i FBI i ka marrë hua nga partneri i vet në biznes në Amerikë që për koncidencë është nga Tropoja, Agron Neza, pikërisht Sali Berisha, njeriu që mori mbi gjysmë milioni dollarë nga Rusia vetëm për të rrëzuar qeverinë legjitime shqiptare dhe destabilizuar vendin e rajonin.

Akuzon njeriu që e ka kthyer ‘dollarin e euron, në letër” me aferën prej 230 milionë euroshe të Rrugës së Kombit, aferën 500 milionë euroshe të CEZ-DIA, paratë e nxjerra nga demontimi në Gërdec por dhe shitja e municioneve përmes Diverolit, apo marrjen nën pronësi të tokave më të mira në bregdet në jug të vendit. Dhe që jeton në vilën mbi 1 milion euroshe në Gjirin e Lalzit.

E sigurtë është se do të dëgjojmë pa fund qëndrime të tilla aspak të ekuilibruara të Berishës përsa kohë ai të jetë në hall personal. Hallin politik Berisha e ka mbyllur, pasi dëboi Bashën, kryeson shumicën e PD dhe mbi të gjitha ka të garantuar humbjen e opozitës më 14 maj, por dhe humbjen pas dy viteve të zgjedhjeve parlamentare, e në vijim sa të jetë gjallë fizikisht e në drejtimin e opiozitës. As “penicilina” Ilir Meta, me të cilin ka nënshkruar koalicionin nuk i bën derman, rezulton ‘medikament’ i skaduar.

Ndaj kërcënojnë të dy me revolucione dhe largim me dhunë të qeverisë së Edi Ramës, duke paralajmëruar se do të heqin nga pushteti me çdo kusht dhe me çdo çmim. Mbetet enigmë, nëse në këtë kërcënim të Berishës e Metës përfshihet “çmimi i gjakut”?! Njëherë e mbajtën pushtetin më 21 janar 2011 me “çmimin” e gjakut të 4 demonstruesve të opozitës, të vrarë nga Garda në bulevard, përballë kryeministrisë, duke e zgjatur agoninë qeverisëse dhe dy vite. Po tani?!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Xeni: 28/01/2023 12:27

    Mua me ka mbritur faksi,por pa shenimin persiper!?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë