Dossier/ 64 vjet spastrime etnike
të trevave shqiptare nga Serbia

Dossier/ 64 vjet spastrime etnike<br />të trevave shqiptare nga Serbia
TIRANE- Serbia, krahas Greqisë, u krijua si shtet në Ballkanin osman qysh në gjysmën e parë të shek. XIX. Më 1930 ajo u bë një principatë autonome e trashëgueshme nën drejtimin e princit Milosh Obrenoviq. Më 1939 princi u detyrua të abdikonte në favor të bijve dhe pak më vonë dinastia e tij e ngritur nga hiçi (kishte qenë bari analfabet) pranoi humbjen e pushtetit duke lënë pas vetes një Serbi autonome me 34.000 km2, të pastruar etnikisht nga pakicat etnike të përkatësisë fetare myslimane.

Kujdesin për spastrimin etnik e vijoi dinastia e Karagjeorgjeviçëve, ajo që edhe e kishte filluar procesin në ish Pashallëkun e Beogradit Më 1806, e cila mbajti pushtetin nga viti 1842 deri 1858 me anën e princit Aleksandër, birit të Gjeorgje Petrovacit apo Karagjeorgjeviçit, drejtuesit të revoltës së parë antiosmane të serbëve të viteve 1804-1813 (më 30 nëntor 1806 mori Beogradin, që e mbajti deri më 7 tetor 1813). Spastrimi etnik mbeti orientim konstant edhe pas rindërrimit të dinastive në pushtet. Plaku 78-vjeçar, princi Milosh Obrenoviq, i rikthyer në fron, hakmarrës dhe prepotent, krahas përpjekjeve për të qëruar hesapet me kundërshtarët, i dha fund procesit duke larguar, që nga garnizonet osmane e deri te individët e familjet myslimane nga territori i  Serbisë së Vogël, me popullsi 1.4 milionëshe.

Nipi i tij 14-vjeçar, princi Milan, që mori pushtetin më 1868, pas largimit të Miloshit nga pushteti dhe nga jeta me atentat, më 1876 ende djalosh 22-vjeçar, i bindur nga Rusia se situata ishte e favorshme, i shpalli luftë Perandorisë Osmane. Edhe pse u thye (Paqja u nënshkrua më 1.IX.1876), një vit më pas kur Porta e Lartë u gjunjëzua nga armatat ruse, gjeti rastin të  rifillonte luftën më 13.XII.1877, dhe të fuste trupat në sanxhakun e Nishit, të banuar masivisht nga shqiptarët. Spastrimi etnik i këtij sanxhaku përmes terrorit, në dimrin e viteve 1877-1878 (dhjetor-janar), ishte një precedent i padëgjuar. Toplica, Pusta Reka, Jabllanica, vise të tjera të rrethit të Leskovcit e Vranjës dhe qendrat urbane brenda dy muajve e humbën popullsinë e tyre shqiptare.

Traktati i Berlinit, në qershor 1878, i njohu Milanit pavarësinë e shtetit të tij (deri atëherë autonom) dhe aneksimin e 14.7000 km2 të viseve të pushtuara. Nxitja e këtij monarku për ushtarët e vet me thirrjen: “Sa më pak arnautë e turq të mbesin ndër ne aq më të mëdha do të jenë meritat tuaja ndaj atdheut”, apo përcaktimi i kryeministrit serb M. Piroqanac se “sikur t’i linin ata këtu do të na nxirrnin kokëçarje e telashe”, dëshmojnë thelbin e një politike zyrtare të Serbisë që, përveç humbjeve të tjera, solli çpopullimin me terror nga shqiptarët të 648 fshatrave (gjysma e të cilave, 370 fshatra, me shumicë shqiptare) dhe shpërnguljen e rreth 110 mijë banorëve.

Nga pohimet e vëzhguesve ose diplomatëve evropianë, si udhëtari gjerman Feliks Kamitz, shkencëtari austro-hungarez Carl Sax, konsullit austro-hungarez në Shkodër, Lippich, apo konsulli britanik në Prishtinë, Geuld, shifrat e popullsisë shqiptare në sanxhakun e Nishit në prag të luftës shkonin nga 83.000 në 110.000 dhe vetëm në vilajetin e Kosovës pas luftës silleshin rreth 90-100 mijë muhaxhirë. Dëshmitar i ngjarjeve Josip H. Kostiq, mësues nga Leskovci, ka shkruar: “Në acar e të ftohtët e madh të dimrit 1877-1878, pashë njerëz duke ikur të zhveshur e të zbathur ...

Përgjatë rrugës vëreheshin kufoma fëmijësh, pleqsh dhe të tjerësh, që kishin vdekur nga të ftohtit”. Një dëshmitar tjetër, britaniku John Ross, anëtar i Komisionit për caktimin e kufirit serb me Perandorinë Osmane, shkruan “Pothuajse të gjithë banorët e pjesës perëndimore të sanxhakut të Nishit, të dorëzuar Serbisë ..., shqiptarë të besimit islam ..., kur ky sanxhak “u pushtua ... ikën në vilajetin e Kosovës. Ata kurrë nuk do të ktheheshin në fshatrat e mëparshme, meqë shumica e tyre gati çdo gjë e kishte humbur”.
Në Mbretërinë e Serbisë, të proklamuar nga Miladin Obrenoviq, më 1883, pavarësisht nga problemet politike, humbjet ushtarake (1885 u thye nga Bullgaria), hezitimet në zgjedhjen e aleancave, destabiliteti dhe rotacioni i dinastive, spastrimi etnik u kthye në një obsesion konstant. Veprimet pa pasoja të kryera në sanxhakun e Nishit kishin trimëruar Beogradin. Karagjeorgjët e rikthyer më 1903 në pushtet me Petrin I, përmes një grushti shteti, nuk i lëvizën presjen programit shovinist të “Naçertanies”, të vitit 1844 (në kohën e sundimit të Aleksandër Karagjeorgjeviçit, babait të Pjetrit) dhe hapave të mëtejmë konform tij.

Për zgjerim territorial dhe spastrim etnik të territoreve të fituara rishtas. Serbia militariste e formatuar prej tij, ishte bashkëfituese në Luftën I Ballkanike të vitit 1912-1913 kundër Perandorisë Osmane dhe në Luftën II Ballkanike kundër Bullgarisë, ish-aleate e saj, dhe para se të shpartallohej keqas në fund të vitit 1915, në kuadrin e rrjedhave të Luftës së Parë Botërore, pati tre vjet kohë për të terrorizuar e shpërngulur masivisht shqiptarët nga Kosova dhe trevat shqiptare lindore, të pushtuara e aneksuara rishtas.

Duke marshuar në brendësi të viseve shqiptare ushtria serbe la pas mijëra të vrarë. Korrespondentët e huaj kishin mundur të informoheshin se vetëm në rrethinën dhe qytetin e Prishtinës, më 22 tetor 1912, ishin likuiduar rreth 5000 shqiptarë kurse disa ditë më pas me kampin e Nishit ishin internuar 1350 shqiptarë. Të dhëna të plota për atë çka ndodh gjatë periudhës 1912-1915 është vështirë të sigurohen, por për segmente të caktuara kohore, të dhënat herë pas here janë bërë të njohura. Dhjetëra mijë shqiptarë, në shumicë nga rrethi i Dibrës, u detyruan të shpërngulen për të shpëtuar nga shfarosja pas kryengritjes së shtatorit të vitit 1913. Sipas një autori malazez mbi 60 mijë shqiptarë u larguan në vitet 1912-1915 nga viset e pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi. Studiuesit nga Kosova pretendojnë se nga tetori i vitit 1912 deri në gusht 1914 numri i të shpërngulurve arrin në 281.747 vetë pa llogaritur fëmijët deri në 6 vjeç, nga të cilët rreth 40.000 vetë brenda muajve mars-gusht 1914.

Rikthimi i Karagjeorgjeviçëve në Beograd, në vjeshtën e vitit 1918, me ushtrinë e mbetur nga betejat e Luftës së Parë Botërore, përkrah armatës franceze të Frontit të Selanikut, do të ishte rifillim i golgotës për gjysmën e kombit shqiptar. Pas sundimit të përgjakshëm në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në vitet 1913-1915, Karagjeorgjeviçët dhe Serbia do të siguronin në Konferencën e Paqes së Versajës, me përkrahjen e Antantës dhe veçanërisht të Francës, përfshirjen e këtyre viseve në Mbretërinë  Serbo-Kroato-Sllovene të krijuar më 1 dhjetor 1918, të cilin ua besuan ta sundonin dhe qeverisnin. Luftërat e viteve 1912-1918 i kishin kushtuar Serbisë ¼ e popullsisë, por qarqet drejtuese të Beogradit ishin në delir, sepse fituan një territor disa herë më të madh se ai që banohej nga serbët dhe futën nën zgjedhë një popullsi 4 herë më të madhe se populli serb.

I biri i Pjetrit I, Aleksandër Karagjeorgjeviç, që më 1921 nga regjent u proklamua mbret, ndoqi një politikë diktati ndaj të gjithë kombeve të Jugosllavisë, por prej tij u keqtrajtuan e pësuan posaçërisht shqiptarët, viset e të cilëve ishin destinuar të pastroheshin etnikisht, të shkombëtarizoheshin dhe të serbizoheshin. Reforma Agrare kolonizuese e zbatuar në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare preku gjysmën e popullsisë agrare shqiptare. Rreth 381.245 ha tokë u sekuestruan, nga të cilat rreth 228.000 ha vetëm në Kosovë. Prej kësaj sipërfaqeje që përfaqësonte më shumë se gjysmën e tokës bujqësore të Kosovës, rreth gjysma kaloi nga duart e pronarëve shqiptarë në atë të pronarëve të rinj sllavë, e në radhë të parë në duart e rreth 17.000 familjeve kolone (13938 vetëm në Kosovë) të sjellë nga Serbia, Mali i Zi dhe vise të tjera të Jugosllavisë.

Për këta vetëm në Kosovë dhe vetëm deri në vitin 1927 ishin ngritur 106 koloni dhe 245 vendbanime të reja. Dhuna, shpronësimi, kolonizimi, me një fjalë klima antishqiptare e shoqëruar me propagandën nxitëse për shpërngulje, i kushtuan popullsisë shqiptare vetëm deri në vitet 1931-1932 dhe vetëm me destinacion Turqinë, rreth 26.450 familje të shpërngulura, ose mbi 140.000 persona kurse për gjithë periudhën e viteve në vitet 1919-1940 edhe 215.412 të shpërngulur të tjerë. Shumica e të shpërngulurve morën rrugën e Turqisë, kurse 4046 familje nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Sanxhaku u vendosën në Shqipëri (1919-1938) (në rrethet e Shkodrës, Durrësit, Krujës, Kavajës, Beratit, Sarandës, Koplikut, Lushnjës, Fierit, Tiranës, Kukësit etj.).
Sipas viteve shpërngulja e shqiptarëve nga Jugosllavia pati këtë intensitet:
Viti Persona Viti Persona
1919 23500 1930 13215
1920 8536 1931 29807
1921 24532 1932 6219
1922 12307 1933 3420
1923 6389 1934 4500
1924 9630 1935 9567
1925 4315 1936 4252
1926 4012 1937 4234
1927 5197 1938 7251
1928 4326 1939 7255
1920 6219 1940 6729
 
 
Gjithsej, në vitet 1919-1940,  u shpërngulën 215.412 shqiptarë (kundrejt 27 884 turqve dhe 12 582 boshnjakëve). Numri i përgjithshëm i të shpërngulurve nga Jugosllavia në këtë periudhë arriti në 255 878 dhe konstatohet qartë se mbi 80% e tyre ishin shqiptarë.

Mbreti i Jugosllavisë, Aleksandër Karagjeorgji u vra në vitin 1934 në Marsejë së bashku me ministrin francez Bartu, që e shoqëronte, nga atentatorë kroatë, por pasi u kish treguar fort dhëmbët shtetasve të vet, më 1929 kur pasi kishte likuiduar kundërshtarë politikë të kombeve të tjerë të Jugosllavisë, kishte shpërndarë parlamentin dhe kishte vendosur përmes gjeneralit Xhivkoviç diktaturën personale. Serbët më 1914 i kishin bërë atentat Franc Ferdinandit, duke reaguar ndaj Perandorisë Habsburge që mbante nën sundim shumë kombe, tani mbreti i tyre po goditej në të njëjtën mënyrë për dhunimin e të drejtave të kombeve të tjerë. Megjithatë elita politike serbe nuk nxori mësime nga historia.

Politika e regjentit Pavël, vëllait të Mbretit të vrarë, që qeverisi në emër të nipit minoren Pjetri II, nuk pati asnjë ndryshim. Në vitet 1934-1941 politika e krijimit të klimës që nxiste shpërnguljen masive të shqiptarëve shkoi duke u thelluar, sikurse treguan dhe statistikat e shpërnguljeve të viteve 1934-1940, kur vetëm në Turqi u shpërngulën 43 788 shqiptarë, sikurse tregoi impenjimi institucional e intelektual serb, brenda aparatit shtetëror, në shoqata, në linjën e diplomacisë etj. Elaboratët e inteligjencies serbe të aktivizuar pranë Klubit Serb të Kulturës në gjysmën e dytë të viteve 30-të, programuan opsionet më efikase për spastrimin etnik të viseve shqiptare, kurse diplomacinë arriti ta realizonte, akordin shtetëror me Turqinë, në shërbim të këtij projekti.

Referate si ai i Çubrilloviqit i vitit 1937, apo Konventa Turko-Jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve drejt atij shteti, e korrikut të vitit 1938, ishin pjesë e këtij kuadri. Në një maratonë prej 8 seancash, nga 9 qershori 1938 deri më 11 korrik 1938, në Ankara përfaqësuesit e dy vendeve nënshkruan Konventën për shpërndarjen e 40 mijë familjeve shqiptare (përkatësisht mbi 200-400  mijë frymëve, sipas shtypit të kohës) brenda segmentit kohor të viteve 1939-1944 (përkatësisht çdo vit 4.000 familje, 6.000, 7.000, 8.000, 8.000 familje). Në nenin 2 të Konventës parashikohej shpërngulja tërësore e shqiptarëve në Banovinën e Vardarit nga rrethet e Prizrenit, Dragashit, Podgorit, Ferizajt, Tetovës, Gostivarit, Galishnikut e Radostushës, Dibrës, Strugës, Prishtinës, Gjilanit, Preshevës, Prespës, Ohrit, Kërçovës, Poreçit, Prilepit, Marihovës, Manastirit, Negotimit, Shkupit, Kumanovës, Kavandarit, Velesit, Ovçepoles, Shtipit, Koçanit, Radovishtës, Strumicës, Dorjanit, Gjevgjelisë, Kriva Pallankës, Kratovës, Carevo-Sellës, Berovës.

Në Banovinën e Zetës nga rrethet e Pejës, Istogut, Mitrovicës, Gjakovës, Podrimës dhe në Banovinën e Moravës nga rrethet e Llapit, Vushtrisë dhe Drenicës.
Shpërngulja e shqiptarëve në çdo mënyrë e me çdo mjet është konsideruar nga Beogradi, në çdo kohë, si një mision i shenjtë nacional serb. Për këtë qëllim u hartuan ligje arbitrare, u lidhën marrëveshje ndërkombëtare, u ushtrua dhunë e terror, me nëpunës, forca të armatosura, banda çelnike, u kryen vrasje selektive e masive, u dogjën fshatra, u shpronësuan toka e prona dhe në to u sollën e vendosën kolonë sllavë, u rëndua popullsia me tatime e taksa, u dhunuan objekte fetare e klerike, u konvertuan me dhunë myslimane e katolike shqiptare në ortodokse etj. etj.

Për pasojë u krijua për shqiptarët një klimë presioni e pasigurie, ndodhi një varfërim që preku masivisht të gjithë shtresat sociale, u ashpërsuan raportet ndëretnike, u bë dukuri e përditshme largimi pa kthim i familjeve e fshatrave të tërë dhe ndryshuan dukshëm raportet etnike në trevat shqiptare. Nga mbi 80-90% shqiptarë që ishte përbërja e popullsisë në vitin 1912 në trojet etnike shqiptare në vitin 1941 ajo kishte rënë në 60-70%.
Qysh nga viti 1878 deri në vitin 1941 pra një periudhe rreth 60-vjeçare, gati 600 mijë shqiptarë ishin detyruar të linin vatrat e veta, çka përbënte rreth 40% të gjithë popullsisë shqiptare të vitit 1912. Në trevat e aneksuara nga Serbia e Mali i Zi, pas 1918 nga Jugosllavia, rreth 800 mijë shqiptarët e atjeshëm humbën për tre dekada jo vetëm shtesën natyrore, por edhe gati 1/3 e numrit të popullsisë së vitit 1912.

Shifrat nuk kanë nevojë për koment.
Historia e mëvonshme nuk është objekt i kësaj trajtese. Mund të themi vetëm se edhe pse jo në pozitat e dikurshme, Serbia dhe elita e re politike serbe me në krye fillimisht Aleksandër Rankoviçin, bëri të gjitha përpjekjet që të realizonte në kuadrin e Republikës Federative Socialiste Jugosllave të mareshalit Tito, spastrimin etnik të Kosovës, duke nxitur veprime të njësuara edhe në Maqedoni e Mal të Zi. Rezultatet janë të njohura. Riaktivizimi i projektit të vjetër me Turqinë, veçanërisht në vitet 1954-1966, i kushtuan popullsisë shqiptare në Federatën Jugosllave edhe së paku 250.000 të shpërngulur të tjerë, ndërkohë që vetëm në Kosovë u sollën dhe vendosën në kushte të privilegjuara rreth 50 mijë serbë e malazezë. Qindra mijëra shqiptarë të tjerë, qoftë për motive ekonomike e pas vitit 1981 masivisht edhe për motive politike, u detyruan të lenë trojet e tyre.

Politika agresive dhe skajshmërisht revanshiste e klanit serb, të kryesuar nga Sllobodan Millosheviçi, që doli në drejtimin e Serbisë pas vitit 1986, e orientuar kundër kombeve të tjerë të Federatës, natyrisht edhe koniunktura e re ndërkombëtare e krijuar, ndërsa çuan në shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë, gati realizuan asgjësimin e shqiptarëve në Kosovë. Vetëm Lufta e UÇK dhe ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, ndalën katastrofën etnike e humanitare.

Historia gjithsesi, ka detyrë të regjistrojë dhe studiojë fenomenin dhe politika të vjelë mesazhet që e keqja të shkulet me rrënjë e të mos përsëritet.

Shkrimi u publikua sot (19.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit