DOSSIER/ Deklasifikimi- Hrushovi, Enverit: Nëndetëse në Butrint kundër Greqisë e NATO-s

DOSSIER/ Deklasifikimi- Hrushovi, Enverit: Nëndetëse në Butrint kundër Greqisë e NATO-s

Diktatori Enver Hoxha dhe Nikita Hrushov

Janë të njohura imazhet e Hrushovit dhe Enver Hoxhës gjatë vizitës në Butrint, në maj 1959. gjatë asaj vizite, mareshali Malinovski, ministri i Mbrojtjes i BS, i tha Hrushovit për liqenin e Butrintit: “Liqen i bukur ky. Po të çahet bregu i detit, këtu afër mund të ndërtohej një bazë e mrekullueshme nëndetësesh e atëherë edhe Greqia do të bëhej jona”…

Një detaj fjalimi që hyn në histori dhe letërsi, Enver Hoxha zbulon pas 13 vjetësh idenë sovjetike për bazë nëndetësesh në Butrint e atëherë edhe Greqia do të bëhej ruse. “Deklasifikimi” i faktit në një mbledhje publike, ku u citua nga shtypi ndërkombëtar dhe ai grek, i shërbeu edhe Ismail Kadaresë në romanin “Dimri i madh”. Çka ka treguar Hoxha para vlonjatëve ditën e përkujtimit të Pavarësisë, ka hyrë dhe në studimet e sotme historike amerikane, ruse etj, duke shërbyer dhe si burim dokumentar. Njëkohësisht deklarimi ishte dhe një hakmarrje  ndaj marrëveshjes Hrushov-Sofokli Venizellos. Ishte mesazh domethënës për Greqinë e Kolonelëve dhe NATO-n.

NË KURRIZ TË SHQIPËRISË

Sipas radios amerikane “Evropa e Lirë”, lideri liberal grek, Sofokli Venizellos, kishte takuar Hrushovin në fund të muajit maj 1960 dhe i kishte paraqitur, ndër të tjera, çështjen e popullsisë greke në Epirin e Veriut. Venizellosi tha se Hrushovi i kishte premtuar ta trajtonte çështjen e autonomisë së zonës në Shqipëri kur të takonte Enver Hoxhën në Bukuresht. Hoxha mund të jetë zemëruar nga ky lajm. Kombinuar me përkëdheljet ndaj Jugosllavisë, Hrushovi tani po forconte miqësinë me grekët - të gjitha në kurriz të Shqipërisë. Këto konsiderata shumë të rëndësishme kombëtare kurrë nuk mund t’ua heqësh nga mendja ndonjë udhëheqësi shqiptar. Në rastin e Hoxhës ato janë një nga shkaqet kryesore të kundërshtimit të tij ndaj politikës së Hrushovit. Ishte hipokrizi ndaj Greqisë, pasi një vit më parë, gjatë vizitës në Shqipëri, kishte kërcënuar me raketa Greqinë dhe planifikonte të ndërtonte bazë nëndetësesh.

MALINOVSKI

Dhe ja tani i erdhi rasti t’ia kthente Hrushovit hipokrizinë, si me shqiptarët ashtu dhe me grekët. Më 28 nëntor 1972, Enver Hoxha, në fjalën e mbajtur në pritjen e dhënë në qytetin e Vlorës me rastin e 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe 28-vjetorit të Çlirimit, tregoi mes të tjerash: “... kjo Vlorë heroike pa edhe Hrushovin (maj 1959). Kur ky renegat i marksizëm-leninizmit u gjend përpara gjirit të mrekullueshëm të Vlorës, u mahnit dhe në një rast dëgjova bashkëpunëtorin e tij Malinovski (mareshal, ministër i Mbrojtjes i BRSS – M. B.) që i pëshpëriste: “E kupton, Nikita Sergejeviç? Me raketat nga Berlini dhe Gjermania Lindore ne tani mund të godasim Gjibraltarin, kurse nga gjiri i Vlorës kemi në grusht gjithë Mesdheun”. Në grusht ata patën erën, pasi Partia dhe Qeveria jonë ua shkatërruan planet. Kurrë Vlora nuk do të gjendet në duart e të huajve. Po ky Malinovski i tha përsëri Hrushovit në Butrint: “Liqen i bukur ky. Po të çahet bregu i detit, këtu afër mund të ndërtohej një bazë e mrekullueshme nëndetësesh e atëherë edhe Greqia do të bëhej jona”. Më shkuan dridhma në trup dhe m'u kujtua ajo natë e errët në Tiranë, ku tok me Vasil Shanton shkruam në mure parullat “Poshtë fashizmi italian! Rroftë populli vëlla grek që lufton për liri!”. Jo, Partia dhe Qeveria jonë nuk do të lejonin kurrë që nga vendi i ullinjve t'i vinte e keqja popullit vëlla grek”!

SHTYPI GREK

Ndërkaq Enver Hoxha është nxehur me dikasterin e diplomacisë, më 23 janar 1973: “për sa i përket thellimit mbi fjalimin tim, kolegjiumi i ministrisë (së Jashtme) këtë as që e ka bërë çështje”.

Kurse shtypi grek, në përgjithësi, i ka bërë jehonë të madhe dhe pozitive atyre që kishte thënë Hoxha për Greqinë, në fjalimin e Vlorës. Ai i ka quajtur deklaratat e Hoxhës si një siguri nga ana shqiptare që asgjë e keqe nuk do t’i vijë popullit grek nga Tirana. Ato gazeta që përpara shanin flisnin ndryshe, shkruanin për gjendjen ekonomike, politike dhe turistike herë mirë, herë çka. Sidoqoftë, opinioni grek ka filluar të dëgjojë kështu një kambanë tjetër për ne dhe kjo është pozitive.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Historike/ Egnatia mposht 2-0 Kukësin dhe fiton Superkupën e Shqipërisë, rrogozhinasit bëjnë ‘tripletë’ trofesh! Largohet Çela

Historike/ Egnatia mposht 2-0 Kukësin dhe fiton Superkupën e Shqipërisë, rrogozhinasit bëjnë ‘tripletë’ trofesh! Largohet Çela