Ambasadoresha shqiptare në Romë kuron dhëmbin me paratë e Shtetit
Një revizor pati ardhur nga Ministria e Jashtme dhe kontrolli financat e ambasadës. Pasi kishte përfunduar raportin dhe ja kish dorëzuar shefit të misionit, kishte vërtitur disa herë nëpër ajër duart e tij pëllëmbë mëdha dhe e pati shtyrë trupin me vërtik drejt derës së daljes.
Njeriu i dërguar nga Tirana iku, kurse raporti i tij, pasi u mbajt mjaft ditë në një nga sirtarët e zyrës së Ambasadorit, u shpërnda më në fund për pjesëtarët e misionit me shënimin "për t'u njohur".
Kur në kryeqytetin italian u duk se fantazma e frikshme e revizorit të rreptë ishte harruar, të gjitha përfaqësive diplomatike shqiptare në botë iu shpërnda nga Ministri i Jashtëm një qarkore, ku u tërhiqej vëmendja për një regjim financiar më rigoroz dhe u bëhej e ditur gjerë e gjatë rasti i parregullsive në ambasadën e Romës.
Në materialin e shpërndarë binte në sy edhe fraza "përdorimi pa kriter i telefonave, i lidhjeve me jashtë Italisë dhe celulari, ku vetëm për vitet 1996 dhe 1997 shpenzimet telefonike janë 51.293 usd dhe ato për dieta 37.562 usd".
Nuk ishte harruar në qarkore edhe shënimi se "është paguar një rregullim dhembi për shumën 400.000 lira për bashkëshorten e Ambasadorit, i cili është paraqitur si rast urgjent. Kjo bie në kundërshtim me nenin 7 të VKM nr.473, datë 29.09.1993".
(Ambasada shqiptare në Romë)
(Kryeqyteti italian, Romë)
Vjen i Ngarkuari me Punë
Lajmi se ambasadori qe liruar nga detyra e tij dhe ishte thirrur të rikthehej në atdhe, në një detyrë ende të pacaktuar në Ministrinë e Jashtme, erdhi shpejt. Në periudhën njëmujore të takimeve të përcjelljes që do të kryente me kolegët e tij në Romë do të niste punën një I Ngarkuar. Ai do të vinte nga Ministria.
Për aq sa pëshpëritin telefonat e kolegëve nga Tirana shefi i ri, por i përkohshëm i ambasadës, studimet e larta i kishte kryer në Romë, në fillim të viteve shtatëdhjetë, në degën e italianistikës të universitetit roman "La Sapienza".
Dikush thoshte se I Ngarkuari me Punë kishte punuar si mësues i gjuhës italiane në një shkollë të mesme të specializuar për linguistikë në Tiranë. Të tjerë ose ngrinin supet ose tundnin kokën, duke e shtuar hutimin dhe konfuzionin. Edhe misterin.
Për sa dëgjonin jeta e shefit të tyre të ri dilte nga gjysmëdrita e gjysmëterri në vitet e pluralizmit. Këtu diplomatët ndiheshin aq të sigurt sa ja merrnin fjalën njeri-tjetrit për të shtuar ndonjë hollësi. I Ngarkuari kishte punuar si përkthyes në shtëpinë botuese më të madhe të librit artistik, atë “Naim Frashëri”. Më pas qe thirrur të punonte në drejtorinë e kulturës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku shumë shpejt ishte bërë drejtor i saj. Në fillim të vitit 1996 qe emëruar nga presidenti Sali Berisha ambasador në Moskë.
Book instant" për Fatos Nanon
Diplomati i Parë nxitoi të hipte në sediljen e prapme të Benz-it, ndërsa italiani i panjohur në vendin pranë shoferit. Ambasadori tashmë i njoftuar për lirim nga detyra, nuk u ngut të hynte. Nisi një bisedë në celular, duke u vërtitur për një kohë të gjatë midis makinës dhe trungut të një rrapi.
Italiani i ulur në sediljen e parë heshtte. I heshtur rrinte edhe shoferi.
Diplomati i Parë dinte vetëm pak gjë për këtë udhëtim që do ta bënte bashkë me italianin e porsaparë. Shefi i tij i liruar i kishte ardhur me një frymë në zyrë e i kishte thënë: "Një gazetar i "Corriere della Sera" kërkon të bëjë një libër për Fatos Nanon. Shkojmë në një vend më të qetë e bisedojmë me të".
Ambasadori ish-ambasador më në fund u ul në vendin e tij zyrtar: në sediljen e pasme, në të djathtë të drejtuesit të makinës. Kjo u nis menjëherë. La pas rrugën Asmara dhe hyri në shumëkorsitë e autostradës së gjërë e plot hije pemësh Nomentana.
Po shkonin drejt qendrës së Romës. Tek Porta Pia shoferi e ktheu makinën djathtas. Tashmë po i afroheshin ngutshëm rrugëve nëntokësore pranë Vila Borghese. Pikërisht në këtë çast Diplomati i Parë guxoi dhe i bëri pyetjen e kortezisë, italianit:
-Ju punoni gazetar në "Corriere della Sera"?
Tjetri ktheu kokën ngadalshëm. Ballin e kishte disi të shtypur, sytë me ngjyrë të blertë, vetullat të trasha, gojën të gjerë e me anëbuzë të përthyera. Ngjante me një njeri përherë të mërzitur.
-Unë kam qenë bashkëpunëtor i jashtëm i gazetës së rajonit të Venetos...
Italiani shqiptoi titullin gati të padëgjuar, pastaj shtoi se kishte shkruar edhe për gazetën sindikaliste...
Diplomati i Parë u mbush me mornica. I rrëzuari nga shef i misionit i kishte sajuar historinë se librin për Fatos Nanon do ta bënte një gazetar i së përditshmes më të madhe italiane.
Po kalonin nëpër nënkalimin e gjatë në prag të Vila Borghese. U mbështollën papritur nga valët e kaltra të llambave. Italiani priti sa makina doli nga nëntoka dhe fjalët i lëshoi si breshëri: -Dua të më siguroni një intervistë me kryeministrin tuaj. Edhe libri që do të përgatis, është një "book instant", një libër njëqind faqesh, libër çasti. Ai duhet të shkruhet, botohet e shpërndahet shumë shpejt. Brenda një muaji mundësisht. Tani jemi afër mezit të gushtit, në mes të shtatorit, ai është mirë të ketë dalë në libraritë italiane. Më pas shohim për ta përkthyer e botuar edhe në shqip. Të gjitha shpenzimet e botimit janë të siguruara nga miq të mi.
-Fatos Nanon e kam shok - ndërhyri vetëtimthi Ambasadori-ish - Kemi qenë shokë shkolle, i kemi rënë bashkë kitarës dhe kemi kënduar në një kompleks muzikor.
I huaji ndërkohë kishte rrudhur ballin e tij konkav dhe ashtu ai dukej akoma më i shtypur. Kësaj rradhe mundi të shqiptonte vetëm një klithmë admirimi. Makina po hynte në kalimin e dytë nëntokësor.
-Me kryeministrin e kam ruajtur gjithë kohën miqësinë. Bashkë kemi pirë edhe ndonjë gotë-vijoi ambasadori në ikje.
Italiani lëshoi klithmën e dytë të shtangies.
-Babai i kryeministrit, kur shkoj për vizitë në shtëpinë e tyre, nuk më lë të largohem pa më mbajtur për drekë apo darkë. Duhemi shumë.
Italianit tashmë balli i qe shtypur përfundimisht dhe sytë zbardhur e zmadhuar.
-Pra ju do të ma siguroni një intervistë me kryeministrin tuaj?- shqiptoi entuziast.
Ambasadori ish buzëqeshi i lumtur: Nuk diskutohet.
-Faleminderit! - belbëzoi tjetri - Tani mund ta pimë kafen të qetë.
Makina kishte zhbiruar nëpër fluksin e dendur të dritave nëntokësore të tunelit të dytë dhe kishte dalë përfundimisht në autostradën që të çonte drejt Vatikanit.
Por Diplomati i Parë ishte mbledhur kruspull. Shefi i tij po bënte një përpjekje të shpejtë për të shpëtuar nga lirimi si ambasador. Mbase mendonte se të paktën mund ta dërgonin shef misioni në Izrael, ku ishte vendosur të hapej ambasadë. Ndoshta edhe ta linin përfaqësues të përhershëm të Shqipërisë në FAO, selia qendrore e së cilës ndodhej në Romë.
Gjashtë arrestime të Prokurorisë Ushtarake: akuza “Krime kundër njerëzimit”
Në orët e vona të pasdites së 23 gushtit BBC kishte njoftuar arrestimin e gjashtë ish-funksionarëve të lartë të Partisë Demokratike: ish-ministri i Mbrojtjes, ish-i Brendshmi, ish-kryetari i Kontrollit të Shtetit dhe tre ish-oficerë shumë të rëndësishëm të Shërbimit Informativ Kombëtar. Arrestimet qenë bërë natën e 22 gushtit duke u gdhirë dita tjetër.
Sali Berisha menjëherë kishte dhënë një konferencë shtypi e gati pati ulëritur: "Këto janë arrestime që qeveritarët i kryejnë për të shtyrë ditët e numëruara të pushtetit të tyre".
I ndodhur në shtëpi, me të marrë vesh këtë lajm Diplomati i Parë qe ndjerë sikur një gjarpër i akullt i kishte kërcyer nëpër trup dhe po e shtrëngonte në gjoks. Nxitoi menjëherë në dhomën e ndenjes dhe kërkoi teletekstin e RAI-it. Ja ku qe lajmi shokues: "Arrestohen për "krime kundër njerëzimit" dhe përgjegjësi për trazirat e vitit të kaluar tre ish-ministra të presidentit Sali Berisha...6 udhëheqës të Partisë Demokratike që bënin pjesë në opozitë, ishin anëtarë të saj...".
Diplomati i Parë kontrolloi teletekstet e stacioneve të tjera televizive.
Diku shkruhej me numër: 6.
Diku me fjalë: gjashtë.
U rikthye në dhomën e punës e nisi kërkimin në radio. Lajmet po e skërmitnin atë që kishte ndodhur në Shqipëri nëpër natën e asaj fundvere. Gjer sa mbërriti ora njëzetë e nisi edicioni informativ i televizionit shtetëror shqiptar ai nuk kuptoi dot më se cilat gjymtyrë të trupit i rëndonin më shumë dhe duhej t'i priste që të çlirohej sa më parë. Ishte gati të flakte pa lëshuar pikë rënkimi krahët, duart, kupat e gjunjëve, vetullat nën ngërç, këmbët e drunjëzuara...
"Mbrëmë u arrestuan gjashtë ish-funksionarë të Partisë Demokratike...".
Ai tashmë ishte futur në një rrugë të shkretë ku nxirrnin zagushi kurrizet e llamarinta të veturave rreshtuar në të dy anët e saj.
"Drejtoria e prokurorisë ushtarake e Tiranës pranë Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me këtë fakt sqaron: Arrestimi i tyre është bërë sepse në bashkëpunim me persona të tjerë...dhe se me veprimet e tyre kanë realizuar shkatërrimin e shtetit shqiptar me pasoja të pallogaritshme ekonomike dhe me mijëra viktima të vrarë, të plagosur e të humbur, të cilat i kanë realizuar:
Një".
Një. Telefolësi e kishte bërtitur fjalën. E kishte kërcëllitur.
"Një: Në marrjen e dhënien e urdhrave për përdorimin e lëndëve kimike luftarake të veprimit në masë për t'u përdorur në muajin shkurt 1997 në qytetin e Vlorës.
Dy".
Përsëri numërori ishte klithur.
"Dy: Në marrjen dhe dhënien e urdhrave për realizimin e bombardimeve, mitralimeve dhe granatimeve me anë të armëve të avionëve dhe helikopterëve luftarakë e civilë ndaj objekteve të rëndësishme strategjike të ekonomisë së vendit si edhe ndaj popullsisë civile.
Tre".
Sërish fjala u bërtit.
"Tre: Në marrjen e dhënien e urdhrave në kundërshtim me dispozitat kryesore kushtetuese të vendimeve të Kuvendit Popullor, kanë realizuar pjesëmarrjen e forcave të armatosura të ushtrisë në operacione luftarake kundër popullsisë civile
Katër".
Numri nëpër dhembët e telefolësit fishkëlleu si goditje kamxhiku në një trup të lakuriqët.
"Katër: Në marrjen dhe dhënien e urdhrave për armatosjen e përzgjedhur të grupnjerëzve sipas preferencave politike për t'i kundërvënë ata ndaj bashkështetasve të tyre.
Mbi këtë bazë organi i akuzës arrin në konkluzionin se të lartpërmendurit kanë konsumuar veprën penale të krimeve kundër njerëzimit në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 74 dhe 25 të Kodit Penal".
Vrasje mbi muret rrethues të Ambasadës Amerikane në Tiranë
Kur sinjali i TVSH klithi mbarimin e tridhjetë minutave të tij dhe ekrani u mbush me mizërimin e boshllëkut, më 20.30, Diplomati i Parë u kujtua se shërbimi satelitor nuk mund të bënte më shumë edhe atë mbrëmje të pazakonshme veç të ndërpriste lidhjen me Tiranën në orën e caktuar në kontratë.
Atëherë ai iu turr edicioneve të tjera informative dhe në orën 22.00 kishte përfunduar i veshur për të dalë në rrugën e madhe. Për të ikur. Për t'i shpëtuar asaj trumbe fjalësh që i gumëzhinin përreth kokës si tufë grerash. Do të vraponte sa të mundte që të shpëtonte prej tyre. Do të shkundte flokët me duar, do ta godiste kokën me pëllëmbët e nxehta, do t'i vërtiste krahët nëpër ajër, do të thërriste e klithte me shpresë se do të arrinte të dëbonte a linte pas tij, aq larg sa të mos mund ta mbërrinin më, tufën pickuese të fjalëve.
Por nuk arriti të shpëtonte dot prej tyre.
Copërat e lajmeve të televizionit shtetëror shqiptar të asaj mbrëmjeje i sulnin tufat e fjalëve: "Vazhdon vizita e kryeministrit Fatos Nano në Maqedoni... Marrëdhëniet bilaterale, theksoi kryeministri maqedon...Por përveç marrëdhënieve bilaterale për kryeministrin Nano ishte edhe gjendja në Kosovë...".
Diplomati i Parë rendte në bri të vrapit të makinave. Trotuari i dukej i ngushtë. Gjithnjë e më i ngushtë. Tani ai duhej të ecte brinjas. Të kapërcente copëra pamjesh. Kalimtarësh të rrallë. Të heshtur. Si fantazma. Që herë i ngjanin me qytetarë romanë dhe herë i ngatërroheshin me portretet e ngrira të dy kryeministrave. Nano. Cërvënovski.
Ikni, më lini rehat, hapuni, hapuni!
Atëhere i turreshin rreth kokës trumba fjalësh të tjera. "Vdiq. Me gjithë ndihmën mjekësore. Menjëherë nga prokuria ka filluar çështja penale për rrethanat e ngjarjes, përfundon njoftimi i zëdhënësit...".
Asaj nate nëpër rrugët e Romës i ishte shfaqur shpirti i një polici shqiptar. 32 vjeç. Atë pasdite, me pistoletë në dorë, kishte kapërcyer në Tiranë murin në periferi të ambasadës amerikane. Punonte në policinë e ruajtjes së objekteve, të bankave. Shokët e tij që ruanin ambasadën, e thirrën disa herë të qëndronte, shtinë në ajër për ta ndaluar, por ai vazhdimisht klithte dhe nuk i mbajti këmbët. U hodh mbi mur, u kacavor. Mos, ndal, jo jo, kthehu, ah! Polici i objekteve qëndroi një grimë mbi mur, vështroi qiellin, mërmëriti diçka dhe pastaj ra në oborrin e ambasadës së huaj. Moooos! Halt, halt! Mooosss! Fërshëllima plumbash iu mblodhën në trup. Qëlluan marinsat amerikanë. Drejt e në gjoks. Nga vrimat e shumta i kishte buçitur gjaku.
Diplomati i Parë për t'i shpëtuar ankthit të copërave të lajmeve la rrugën plot uturima veturash, prej nga ku disa të rinj i hodhën ca fjalë bërritëse dhe lëshuan nëpër asfalt shtëllunga të pista tymi e të qeshurën si kollitje. Po nxitonte të arrinte sa më parë "rrugën e mandarinave", strehën ku mund të prehej. Ku mund të mbrohej e shpëtonte nga lajmet e çmendura që i vinin prej vendit të vet.
(Vijon)...
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com