Dossier/ Vrasjet mes partizanëve në vitin 1943, antetati kriminal ndaj Isa Toskës?

Dossier/ Vrasjet mes partizanëve në vitin 1943, antetati kriminal ndaj Isa Toskës?

Hysni Toska

Deputeti zogist Hysni Toska do të vritej në Berat në 15 shtator 1943, kur pak ditë më parë qyteti, me kapitullimin në datën 8 të Italisë, do të binte në dorë të partizanëve dhe të ballistëve dhe gjithsecila prej komandave të tyre do të zinte nga një godinë. Në 10 shtator gjermanët hynë në Fier, në Lushnjë dhe në Kuçovë e Berat, por edhe këta paqësisht, pa zhvilluar asnjë luftim e ndeshje me njësitë shqiptare të dy fronteve rivale.

Sipas librit të studiuesit Nuri Plaku “Hysni Toska në fokus të historisë”: “Në paraditen e datës 15 shtator, e thirrën për një takim konsultativ në hotel “Kolombo.” Në takim ishin përfaqësuesit kryesorë të forcave partizane të qarkut dhe të Ballit Kombëtar.

Referuar të bijës, Ervehesë, dëshmitare e rëndësishme e krimit që do të ndodhte, pasi e akuzuan përse nuk e kish vrarë ai kriminelin shumë bashkëpunues me trupat ushtarake pushtuese, por të tjerë, trupa të xhandarmërisë shtetërore bashkë me gjermanë, dhe Hysni Toska u shpjegua qartë mbi papërgjegjësinë e vet, kur ky doli nga hoteli, hipi në një pajton dhe mori rrugën të rikthehej në shtëpinë e tij në lagjen e madhe hyrëse të Beratit, në “Murat Çelepi”. Këtu pati zënë me qira një banesë dykatëshe me strukturë të fortë. Kur ishte në pajton drejt tij u hodh një bombë dore. Ende ajo me fitil ndezur por pa plasur, deputeti dikur i tre mandateve të kohës qeverisëse të monarkut Zog, “e mori bombën në mënyrë të rrufeshme dhe e hodhi larg karrocës, e cila plasi pa bërë dëm. Pastaj nxori nagantin dhe qëlloi në drejtim të autorëve, të cilët ishin të veshur me rroba partizane...”.

Sipas librit të Nuri Plaku, aktualisht drejtor i Muzeut Historik të Fierit, “Hysniu u kthye në shtëpi mjaft i tronditur...Pak pas kthimit të tij, shtëpia u rrethua nga forca të shumta partizane”. Në banesë ndodhej edhe i biri, Skënderi, i cili qe partizan në batalionin e rinisë “Margarita Tutulani”.

Kështu nisën luftimet në atë kohë dreke mes 68-vjeçarit dhe njësisë rrethuese vetëm partizane dhe dukshëm pa asnjë ballist. Në vendngjarje mbërritën edhe gjermanët, por pas shkëmbimit të parë të zjarrit me të rrethuarin, kur ky u hodhi nga dritarja që ta shihnin një dekoratë të dhënë prej perandorit austrohungarez gjatë Luftës së Parë Botërore, ata u larguan.

Në orën pesë të mëngjesit me fishekët e fundit që i kishin mbetur në nagant, deputeti 68 vjeçar hyri në dhomën e gjumit, ngriti mbulesën dhe dyshekun, u ul në sustën e krevatit këmbë mbi këmbë dhe i mbështetur pas murit, qëlloi veten me dy plumba, njërin mes brinjëve dhe tjetrin në kokë.

Partizanët ia nxorën trupin nga shtëpia dhe e shtrinë në anë të rrugës. Mbi gjoks i vendosën një letër ku shkruhej “tradhtar”.

Pas tre ditësh i biri i tij, partizani 17 vjeçar Skënder, djalë i vetëm dhe i mbështetur prej të atit në rrugën që kishte ndjekur duke u bashkuar me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, u gjet i vrarë në pas shpinë. Para se t’ia merrnin jetën dhe që të mos shpohej nga plumbat, që do t’i derdhnin mbi trup, ia hoqën një triko të re leshi, të cilën ia kishte veshur në trup e ëma, për shkak të netëve të ftohta dhe të merakut të madh për jetën e tij, ditën e vrasjes së të shoqit.

Siç thekson historiani Plaku, “Disa ditë pas vrasjes së Hysni Toskës, buletini i “Zërit të popullit”, jepte këtë njoftim: “BERAT: Isa Toska u vra. Bashkë me Isanë u shfarosën edhe disa nga farefisi i kriminelit, që kishin marrë pjesë aktive në krimet e tij. Kush nuk i di krimet e tmerrshme të Isait? Nuk ka shqiptar që të mos u thotë hakmarrësve të popullit: ”JU LUMTE DORA!”, goditini pa mëshirë çdo armik të kombit.”

Ju thaftë dora!

Por e tëra kjo, pra se “bashkë me Isanë u shfarosën edhe disa nga farefisi i kriminelit”, ishte paturpësia politike e mbulimit të një krimi kundër një familjeje dhe fisi të tërë me pretekstin se Hysni Toska e vëllezër të tij, bijë e vajza, nipa dhe mbesa, stërnipa po ashtu, deri sa të jetonte në Shqipëri e quajtura Diktatura e Proletariatit, do të trajtoheshin si me lidhje gjaku me terroristin dhe plaçkitësin Isa. Kur në të vërtetë fare qartësisht, shumë dukshëm, ata nuk kishin asnjë marrëdhënie farefisnore.

Si në çdo dhunë të verbër krimi do të pasonte dhe mbulonte krimin, për pasojë do të kërkonte krimin tjetër. Kështu u krijua saga e dhimbshme, e përgjakshme, e familjes dhe të pasardhësve të deputetit Hysni Toska.

Por përse PKSH dhe organi zëdhënës i saj po përpiqej të manipulonte opinionin publik? Nga mjaft të dhëna jo vetëm prej autorit të librit shumë profesional të Nuri Plakut, por edhe nga ato që në arkivin vetjak zotëron autori i këtyre radhëve, vrasja kriminale e Hysniut dhe e të birit, ku filloi krimi i papushuar gjysmëshekullor, qe vërtet pjesë e një intrige lokale, por këta ishin me metastaza deri në qendër. Ajo fillimisht vërtetë nuk erdhi nga shkallët e larta të udhëheqjes nacionale të komunistëve shqiptarë, por këta të fundit qenë dakortësuar me vartësit. Përse në rast se nuk e gjenin me vend në ato çaste t’i kritikonin, sepse e morën vesh shpejt vrasjen e gabuar, mund së paku edhe të heshtnin, por jo ta paraqitnin si direktivë të tyre dhe si model sjelljeje politike. Aktet e pendimit të disa krerëve komunistë lokalë dhe në qendër për vrasjen e një plaku do të vinin shumë vonë, nëpër dekadat shtatëdhjetë apo tetëdhjetë të shekullit të shkuar dhe në të gjitha rastet të kryera me gjysmë zëri, mënjanë, pothuaj sekretisht.

Kështu një krimi lokal i një dite të shtatorit 1943 u shndërrua në kryekrim kombëtar për plot një gjysmë njëqindvjeçari. Ai u bë vazhdë krimi, në tri breza i shtrirë si gjarpër boa.

Këtë histori më tepër se absurde, të papërfytyruar nga as shpengimi më i shfrenuar e ligësisë së njeriut për njeriun, më saktë e një qeverie dhe nënshtetasve të saj, do t’ia paraqesim lexuesit nëpërmjet libri “Toskët e Luarit”, me autor Shyqyri Arshin Toskën, të vetmit mashkull të mbetur gjallë nga tërë kjo kasaphanë dhe që mundi të kapërcejë dhe për rrjedhojë të shpëtojë, nga laku mbytës i kufirit të vitit 1990. Pas motit 1991 do të ndërronte jo vetëm jeta personale e të përdhunuarve politikisht, por edhe vlerësimi publik, duke nisur nga vetë deputeti i tre mandateve, Hysni Toska. Përveç një nderimi presidencial me dekoratë, në Fier emri i tij do t’i vendosej një rruge, kurse me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Këshilli Bashkiak i Roskovecit do ta shpallte “Qytetar Nderi”.

Kjo donte të thoshte jo “Ju lumtë dora”, por “Ju thaftë dora!”

Autori dëshmitar i kësaj sage shumë të dhimbshme fillimisht, me dokumentim tërësor dhe nyje për nyje të asaj çmendurie shtetërore që ka ndodhur, provon përse familja e tyre u vu në shënjestër nga regjimi i pas dyzetë e katrës. Shyqyriu rrëfen nëpërmjet një komunikimi të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë, krejt të besueshëm, se “Bëmat makabre të Isa Toskës, krimet monstruoze dhe vuajtjet që i shkaktoi ai popullit të krahinës, kërkonin natyrshëm një shpagim. Ky shpagim ra mbi të gjithë ata që e kishin këtë mbiemër, duke na përfshirë edhe ne. Pra forca e këtij shpagimi e verboi logjikën e ftohtë”.

Po ashtu Shyqyriu shpjegon pjesën e dytë të kësaj “arsye pa arsye”: “Ishte pozita politike e Hysni Toskës gjatë regjimit të Mbretërisë Shqiptare i cili u anatemua politikisht, u dënua si regjim dhe natyrshëm gjithë kuadrot e tij, sidomos deputetët u dënuan rëndë”. Tek i treti shpjegim thotë: “Ishte përkatësia jonë klasore. Ne mbanim titullin e hershëm “aga”...Lufta kundër agallarëve dhe bejlerëve ishte një nga prioritetet më të rëndësishme të komunizmit”.

“Në Luar, sqaron rrëfyesi, me mbiemrin Toska janë gjashtë trungje, por asnjëri prej tyre nuk ka lidhje gjaku me fisin tonë. Madje as me fise të tjerë jashtë fshatit tonë. Toskë ka në Fier, në Toshkëz të Beratit, në urën e Kuçit, në fshatin Symizë, në Berat e gjetkë. Të gjithë këta nuk kanë asnjë lidhje fisnore midis tyre”.Të gjashtë këta trungje, shkruan Shyqyriu, kanë ardhur shumë herët në Luar dhe së paku kanë banuar aty, që nga 4-5 breza.

Trungu i Isa Toskës

“Isa Toska i Parë, tregon autori,ka patur toka, ullishta dhe një shtëpi një katëshe. Thuhet se ka qenë një burrë i gjatë, i muhabetit dhe pak a shumë edhe trim. Kudo që shkonte hypte në një kal dori të mirë. Qeverisë turke nuk i paguante as edhe një grosh nga taksat e detyruara. Ndiqej nga qeveria për kokëfortësi, por asnjëherë nuk ra në dorën e tyre. Rrinte i armatosur me dogra në brez”. Megjithatë ra në pritë dhe u plagos. “Falë kalit të mirë që kishte, arriti në shtëpi. Mbas 10–12 ditësh vdiq”.Mbas vdekjes së Isait të parë, i vetmi trashëgimtar mashkull që ngeli, ishte i biri, Kodheli. Ky “njihet si pjesëmarrës i Kuvendit të Sinjës më 23 Korrik të vitit 1912. Ka luftuar shumë për pavarësinë e vendit në krah të Hysni Toskës, por mbas vdekjes së të atit u degradua krejt si njeri. Ai u martua me një vajzë po nga fshati Luar dhe nga kjo martesë Kodhelit i lindën tre djem dhe dy vajza. Djalin e parë e quajti Isa, të dytin Faslli dhe të tretin Njazi”.

“Njaziu vdiq i ri, i pa martuar, shpjegon Shyqyri Toska, Kodhelin kryesisht e tregojnë njeri që pinte alkool dhe luante bixhos, Isain, i cili bënte jetë kaçaku. Pasi ngelën vetëm dy vëllezërit e shitën edhe pronën e tyre të fundit dhe filluan të jetonin si endacakë...Bënin shumë aventura dhe krime për të cilat gjatë qeverisë së Zogut ishin burgosur disa herë. Madje aq të praptë ishin sa edhe nga burgu i Beratit janë arratisur” dhe qëndruan për një kohë të gjatë në arrati.  Kështu i zuri 7 prilli i vitit 1939 dhe pjesa tjetër e bëmave të tij: bashkëpunimi me trupat italiane të zonës, dekretimi i tij prej tyre si “Gjeneral”, lufta kundër partizanëve dhe sidomos krahinës së Skraparit, që u vetëçlirua shpejt, përfshi në këtë angazhim politik edhe vrasje të pafajshmësh, vjedhje të pasurisë së të tjerëve, plaçkitje të përditshme, gjithkund sjellje çnjerëzore. Pa gabuar mund të thuhet se këto kohë Isa Toska qe banditi dhe krimineli më i madh i trojeve shqiptare. Në verë 1943 mbi të rëndonin një mal me viktima.

Të tjerë nga fisi “problematik”

Nurçja ishte stërgjyshi i rrëfyesit të librit për Toskët e Luarit si edhe jetën e tij të mundimshme. Ai qe luftëtar i njohur kundër pushtimit osman dhe në dokumentat e kohës regjistrohet si një nga katër trimat që i shpëtoi masakrës së gjëmshme të Manastirit, organizuar nga Serasqeri i Rumelisë, Mehmet Reshit Pasha, ku për të argjësuar rezistencën e shq     iptarëve vrau me të pabesë në 9 gusht 1830 afro 500 prijës lokalë të Toskërisë.

I biri i tij Mersini pati tre djem: Shuaipin, Asllanin dhe Myslymin. Deputetu Hysni Toska ishte bir i Shuapit. Rezultoi edhe më i famshmi i këtij trungu. Më 23 korrik 1912 së bashku me 49 krerë çetash patriotike, Hysniu mori pjesë në Kuvendin e Sinjës. Në krah qe vazhdimisht edhe xhaxhai i tij Asllani.Pëveç se antiosman, ky ishte edhe kundër pashait Vrionas.

Hysniu në 25 nëntor 1912, në krye të forcave vullnetare, u angazhua aktivisht në shoqërimin e  Ismail Qemalit drejt Vlorës dhe më 3 dhjetor 1912, me porosi të tij ngriti flamurin e Pavarësisë në Tepelenë. Me fuqinë e vet ushtarake i bëri rezistencë forcave greke dhe ndaloi avancimin e tyre në thellësi të vendit.Më 13 janar 1913, me krijimin e armës së Xhandarmërisë Shqiptare nga Qeveria e Vlorës, Hysni Toska,së bashku me Sali Vranishtin, Alem Tragjasin dhe Hajredin Hekalin, u emërua komandant i saj.

Gjatë Luftës së Parë Botërore Hysni Toska u angazhua në përbërje të  trupave austro-hungareze si komandant njësie i forcave shqiptare. Luftoi kundër forcave italiane në frontin e Vjosës dhe u dekorua nga perandori i Austro-Hungarisë, Franc Jozef, me Medaljen e Trimërisë. U zu rob nga forcat italiane dhe u dërgua në burgjet e Italisë nga të cilët u kthye pas disa muajësh.

Me vendosjen e qeverisë së Sulejman Delvinës në Tiranë, Hysni Toska vazhdoi të shërbente në të njëjtën detyrë ushtarake. Mbas mbarimit me sukses të punimeve të Kongresit të Lushnjes, Hysni Toska mori pjesë në Luftën e Vlorës në krye të një force të madhe vullnetare, mobilizuar nga zona e Roskovecit. Sipas Shyqyri Toskës dhe librit të tijm “Në vitet 1920-1924 Hysni Toska u përfshi në të gjitha përpjekjet kundër forcave kundërshtare të qeverisë dhe rezulton i suksesshëm në pjesën më të madhe të tyre. Gjatë kësaj periudhe u gradua nënkolonel i Xhandarmërisë Shqiptare”.

Në votimet e vitit 1925 u zgjodh deputet i Beratit dhe këtë status politik e kishte deri në vitin 1936, kur doli në pension. Gjatë kësaj periudhe, me iniciativën e tij, hapi shkollën e parë në Luar dhe shtroi rrugën e fshatrave Kuman-Luar. “Më pas kontributi i tij, shkruan Shyqyriu, u shfaq në 7 prill 1939”, “Me iniciativën e tij, mobilizoi një numër të caktuar forcash vullnetare dhe u nis në drejtim të Vlorës për të pritur me armë pushtuesin fashist në kodrat e Panajasë”. “Pas pushtimit të vendit, thuhet në librin “Toskët e Luarit”, vazhdoi aktivitetin antifashist në zonën e Beratit dhe për këtë arsye u arrestua nga forcat italiane dhe u dërgua në kampin e internimit në Venedeto në Itali, së bashku me 268 persona të tjerë”. Po ashtu: “Mbas kthimit bëri jetë të qetë pa angazhime të rëndësishme politike”.

I shpallur publikisht kundër banditit Isa Toska, por edhe i kërcënuar prej këtij të fundit, Hysni shkoi me banim në Berat. Dokumente më të hershme, madje edhe nga nëpunës të administratës zogiste, provojnë se pavarësisht mungesës së lidhjeve të gjakut me njeri-tjetrin dhe raporteve krejtësisht armiqësore midis të dyve, Hysni Toska konsiderohej xhaxha i Isa Toskës. Kështu përflitej edhe në opinionin e qytetit të Beratit. Thashethemohej po kështu edhe nëpër Fier.

Ramiz Alia dëshmitar mbi krimin që ndodhi, por nuk ndërhyn korigjimin

Para se Hysniu 68 vjeçar të rrethohej dhe sulmohej prej partizanëve dhe si pasojë, për të mos i lyer duart me gjak me shokët e të birit, nuk i mori jetën asnjërit prej tyre (vetëm i plagosi nga këmbët), në muajin maj 1943 Isa Toska me dhunë i rrëmbeu pjesën më të madhe të pronave tokësore nipit të tij, Arshin Toskës, të jatit të Shyqyriut, si edhe shtëpinë. Kësaj të fundit, nga që parashikonte të bënte aty sarajet e veta, me dorën e vet i vuri flakën me benzinë. “Të nesërmen, shkruan Shyqyriu, një pjesë e Batalionit “Brenete” që ishte në Roskovec u ngjit në Luar dhe u instalua tek shtëpitë e djegura. Bagëtinë nëpër  stanet, shpezët e gjithë prodhimet e toskëve u vunë në shërbim të italianëve. Italianët ngritën guzhinën që filloi punë me ullinjtë e baçes së Arshinit. 87 rrënjë ullinj shekullor u prenë e u përdorën për dru zjarri nga guzhina italiane”.

Kështu, duke mos patur asnjë mundësi tjetër për të jetuar, familja shkoi për në Berat, ku jetonte me kohë e motra e Arshinit. “Por të ikje për në Berat, shpjegon Shyqyri Toska, me gjithë ato gra e fëmijë, ishte shumë e vështirë. Më të vështirë e bënin post blloqet në hyrje e dalje të Roskovecit të ngritur nga ushtarët italianë së bashku me ata të Isait. Kurse rruga për në Fier ishte më e vështirë me dy postblloqe: një në Kuman tek ura e Jaçes e tjetra në Zharrëz”. Prandaj “U vendos që sapo të errësohej të merrnin rrugën në këmbë...Por mbas dite në xhaden e Kumanit, u panë bashibozukët e Isait me qerre dhe mushka ngarkuar me grurë e plaçkë, tufa bagëtish të trasha e të imta që i kishin grabitur dhe po i çonin lart, në Luar. Thuhej se kishin grabitur pasurinë e bejlerëve të Velmishit, Ramadan e Ceno Velmishit. Thoshin se kriminelët kishin djegur shtëpitë e tyre dhe kishin bërë masakra të mëdha në fshat”.

Megjithatë, “Në darkë vonë, sipas planit u nisëm për në Berat. Ecnim udhëve pa udhë, kodrave plot gurë, ferra e shkurre. Ne fëmijët mezi duronim dhimbjet e këmbëve. Të mëdhenjtë mundoheshin të na ndihmonin, por ngarkesa e plaçkave nuk i lejonte të na merrnin në krahë. Ata na këshillonin të mos nxirnim zë se na dëgjonte ndonjë udhëtar dhe i tregonte Isait dhe Isai vinte e na vriste të gjithëve”.

“Kur po i afroheshim Qafës së Sinjës, po zbardhte”, “Kur mbritëm në Mbreshtan, dukej gjithë Berati si në pëllëmbë të dorës. Në afërsi të Urës së Velabishtit, në fshatin Starovë, ishte vaja e lumit Osum. U ndamë më dysh. Gratë dhe fëmijët e kalonin lumin në urën e Gorricës se nuk pengoheshin nga postblloqet, ndërsa burrat ruheshin për pengesa dhe mendonin të kalonin më mirë në vah se ishin të armatosur”. “Kur shkuam në shtëpinë e hallës në lagjen Murat Çelebias, vijon rrëfimin e tij Shyqyri Toska, fëmija që do të vuante absurdin e lidhjes së gjakut me Isa Toskën, ajo...na puthte e me lot në sy na pyeste për çdo gjë”.

Ishte fundi i shtatorit 1944 dhe Berati qe çliruar. Arshini ndërkohë qe bashkuar me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe në fshat lindjen e tij, në Luar, ku shkonte shpesh, ishte zgjedhur si kryetar i Frontit NÇl. Prandaj edhe e thirrën në Berat, në Qarkor. E futën në një zyrë ku e priste, përveç Zylyftar Veleshnjës, edhe Ramiz Alia. E mbajtën gjatë dhe i lanë të kuptonte se prej tij qenë të pakënaqur. Ia shprehën se nuk e dëshironin që në krye të Frontit në Luar të ishte një Toskë. Nënkuptuan Isanë fillimisht, por më pas nuk vonoi edhe pyetja: ”Po me Hysni Toskën ça lidhje ke ti Arshin?” Përgjigja ishte: “Me Hysnin jemi të një zjarri, ku prindërit tanë janë vëllezër nga babë e nënë”. Pyeta kot, tha tjetri, Hysniu para teje dhe para meje ka luftuar për Shqipërinë”. “Lëre me historira bre, tha Ramiz Alia.

“Mirë, mirë, shqiptoi Mestan Ujanikui, sa vëllezër jeni juve Arshin aga?” “Ne jemi tre vëllezër dhe një nip, djalë vëllai, që është rritur së bashku me ne”, “Një vëlla të është vrarë në Fier si ushtar i Ballit Kombëtar, apo jo, mos e kam gabim?”, “Kështu erdhën kohërat. Unë, Mersini dhe nipi, Taipi u lidhëm me Nacionalçlirimtaren, ndërsa atë, erdhën e morën ata të Ballit, se kërkonin nga një ushtar edhe nga ne. Por fati i tij i keq që e zuri plumbi, sapo doli që në përpjekjen e parë. Mirë ju kanë informuar, se luan as topi”.

Takimi i zgjatur mbi 3-4 orë me pyetje, pothuaj një hetuesi dhe gjyq i vërtetë, më në fund u mbyll. Arshini, shkruan më tej për këtë ngjarje Shyqyri Toska, u drejtua për tek e motra të gdhinte natën. Ecte dhe mendimet i venin e vinin në kokë. Pse e kishin pritur aq ftohtë? Pse kishin ndryshuar aq shumë? Atë natë thuajse nuk mbylli sy”.

Por gjashtë muaj më pas, në 4 prill 1945, Arshin Toska,  i ati i tij, do të vritej nga trupa qeveritare të Mbrojtjes së Popullit.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • KATHARSIS: 23/09/2018 13:32

    RRACE TURQISH QE MBI VETEN E TYRE KANE NJE DYZINE ME KRIME DHE VRASJE.PO VJEN KOHA QE KRIMINELET TE SHITEN SI ENGJEJ.

    Përgjigju
    • toro: 19/12/2020 19:35

      isain e par e verau dervish minua toro na kurjani . apo jo ndersa isajn e dyt e veran po perap torot tek ura me shkall ne fier dhe me sadi un eka verar nje na mollasi i elbasanit i paguar na torot me nje karroqe flori

    • Toska: 25/04/2020 14:38

      Keni prova ?

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja