Dogana e Tiranes
TIRANE 22 Korrik/ATSH/- Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Crown Agents do të ushtrojnë gjatë këtij muaji kontrolle tek operatorët ekonomik që prodhojnë, importojnë, shpërndajnë e shesin me pakicë mallra të cilat janë subjekt i ligjit për Akcizën, të tilla si cigaret (duhani), alkooli, pijet energjike, etj. Sipas burimeve zyrtare të DPD-së, fushata e ndërgjegjësimit dhe kontrollit për zbatimin e ligjit për Akcizën ka hyrë tashmë në muajin e saj të dytë.
Gjatë muajit të parë, thanë burimet, grupet e përbashkëta operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Crown Agents punuan për të rritur ndërgjegjësimin tek prodhuesit, importuesit, shpërndarësit dhe shitësit me pakicë për sa u përket të drejtave dhe detyrimeve të tyre në bazë të ligjit për Akcizën.
Njëkohësisht, grupet operative ushtruan kontrolle tek ato subjekte tregtare të cilat kishin probleme të dukshme të përputhshmërisë ligjore. "Muaji i parë i kësaj fushate shërbeu për të identifikuar problemet apo kundërvajtjet e bizneseve për sa i përket pagesës së taksës së Akcizës. Gjithashtu, këto javë shërbyen për të krijuar bazën e një analize më të detajuar e risku. Kontrollet që do të ushtrohen gjatë këtij muaji do të bazohen tek analiza e riskut dhe tek mbledhja e informacionit. Synimi i qartë i këtyre kontrolleve do të jetë identifikimi i atyre subjekteve tregtare që shmangin detyrimet e tyre ndaj shtetit", thanë burimet.
Duke paralajmëruar kontrolle tek operatorët ekonomik subjekt i ligjit për Akcizën, burimet nga doganat thanë se duke e konsideruar tashmë të mbyllur fazën e ndërgjegjësimit të bizneseve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të jetë e palëkundur në zbatimin e ligjit, mbledhjen e të ardhurave nga Akciza dhe në gjobitjen e atyre subjekteve të cilët vazhdojnë të shkelin ligjin.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u bën thirrje edhe një herë subjekteve të autorizuara e që të rregullojnë aktivitetin e tyre në përputhje me ligjet në fuqi./a.gjonaj/./a.g/