Dr. Ali Sula, mjeku 95-vjeçar që publikon historinë e Durrësit

Dr. Ali Sula, mjeku 95-vjeçar që publikon historinë e Durrësit

Dr. Ali Sula

Dr. Ali Sula këto ditë feston 95-vjetorin e lindjes. Mjeku i njohur durrsak e sfidon prej kohësh moshën, duke publikuar disa libra që risjellin historinë e qytetit dhe të sistemit shëndetësor të Durrësit.

I lindur në qytetin bregdetar në vitin 1923, ai kujton me saktësi emra bashkëmoshatarësh, shokë të fëmijërisë, mësues të nderuar, gjithçka që lidhet me Durrësin e viteve 1930, përshtypjet e të cilit ai i ka botuar 20 vjet më parë në italisht me titullin “Reminiscenze durazzine”, e më pas edhe në gjuhën shqipe.

“Janë kujtimet e mbledhura që fëmijë nga bisedat me babain tim, thotë dr. Aliu.  Ai duhet të jetë nga të paktët durrsakë, që kujtojnë ende tërmetin e dhjetorit të vitit 1926. “Xhamat u drodhën bashkë me shtëpitë për dy-tre ditë radhazi, dhe ky është kujtimi i parë i fëmijërisë për mua - sjell në mend dr. Aliu.  

Profesioni i nderuar

Mjekësia ishte dega që Ali Sula e zgjodhi, jo vetëm për vokacionin e tij dhe dëshirën e prindërve. “Babai im ka qenë shëndetlig, ndërsa unë që fëmijë kam vuajtur nga malarja” -kujton doktori i nderuar.

Dr. Aliu ishte i vogël vogël kur takoi At Gjergj Fishtën në bibliotekën françeskane të Tiranës. “Ishte i veshur me zhgun dhe me konop rreth belit, mjaft i pashëm dhe i qeshur - sjell në kujtesë Ali Sula, duke riprodhuar edhe fjalët e fratit poet: Pse e keni pru kët camërdhok deri këtu?”. Më pas dr. Aliu rreshton mësuesit e tij në Institutin “Illyricum” Justin Rrota, Gjon Shllaku, Benedikt Dema, Pashk Bardhi, Donat Kurti e Athanas Gega, të gjithë emra të shquar të kulturës sonë kombëtare.  

Pas mësimeve në shkollën Mikste dhe në atë Qytetëse të Durrësit ai studioi për mjekësi në Firence, nga ku u kthye në vitin 1943. Banorët e Durrësit po evakuoheshin për herë të dytë: pas luftës italo-greke, tani ishte radha e gjermanëve.

Ali Sula ishte shumë i ri, kur në vitin 1945 filloi krijimi i strukturave shëndetësore të qytetit. Së bashku me dr. Koç Moisiun-kujton dr. Aliu- punonim si vullnetarë dhe megjithë skamjen që mbizotëronte durrsakët u përpoqën për të ngritur nga hiçi një institucion që tashmë e kishin Shkodra, Berati, Gjirokastra, Korça apo Elbasani.

Në vitin 1947 dr. Ali Sula filloi studimet universitare në Zagreb (Kroaci), ndërsa pas prishjes me Jugosllavinë ai u zhvendos në Timishoara (Rumani), ku mbrojti edhe një temë diplome mjaft interesante.

Në vitin 1950 Ali Sula ishte mjek, por e dinte që do të përballej edhe me “njollat” e të shkuarës prej tregtari të familjes së tij.

“Në fillim të vitit 1953 më emëruan në Gramsh, një rreth mjaft i vështirë që në dimër ndahej nga pjesa tjetër e vendit për shkak të fryrjes së lumit-tregon doktori 95-vjeçar. Në më shumë se 50 fshatrat e Vërçës dhe Sulovës, edhe për shkak të izolimit gjeografik, më duhej të përballesha me gjithçka mund t’i ndodhë një mjeku të përgjithshëm, nga rastet më të zakonshme deri te ndërhyrjet kirurgjikale”-vijon dr. Ali Sula, duke shtuar: “Pas kësaj përvoje i kam thënë vehtes se më tutje mund të përballoja gjithçka në jetë!”

30 vjet mjek Kavajë-Durrës

Ali Sula po i drejtohej të 30-tave, kur e caktuan të punojë në Kavajë.

“Nuk u mendova dy herë: në Kavajë kisha familjen e nënës dhe pastaj Durrësi ishte dy hapa larg”-tregon doktori, megjithëse u ndodh përballë strukturave krejtësisht primitive.

Shëndetësia e qytetit ishte ngujuar në dy godina të degraduara, larg qendrës, ndërsa niveli i vdekshmërisë dhe higjenës nuk ngjallnin asnjë shpresë. Mjeku i ri, që duket sikur ka kaluar përvojat e Endrju Mensonit të “Çitadelës” tashmë i duhet të provonte edhe rolin e menaxherit. Pas hapjes së një poliklinike të vogël pranë qendrës dhe repartit të pediatrisë me 30 shtretër, në Kavajë me nismën e tij për herë të parë u ngrit edhe reparti infektiv. Qyteti i vogël, 20 km larg Durrësit po bëhej një pikë referimi për mjekësinë e rrethit, ndërsa doktor Ali Sula për 15 vjet me radhë lidhi me Kavajën jetën dhe profesionin e tij.

Ndërkohë në Durrës kishin ndodhur disa ndryshime të rëndësishme. Në vitin 1954 u ndërtua spitali i qytetit. Mjekë mjaft të aftë drejtonin pavijonet e tij.

Dr. Ali Sula kujton me respekt kolegët Beniamin Çetta, Angjelina Nika, Afërdita Leza, Andrea Dhimitri, Eqerem Enesi, etj.

“Në vitin 1969, kur më në fund erdha në Durrës, më besuan drejtimin e repartit të patologjisë”. Konsultat me kolegët ishin një shkollë më vehte, ndërsa dita e punës vazhdonte 24 orë. “Vizitat e mëngjesit dhe konsultat e mesditës shoqëroheshin me ato të mbrëmjes. Reparti kishte 78 shtretër, por unë kujdesesha që të kishte gjithnjë dy shtretër të lirë për urgjencat e mundshme-kujton vitet ’70 dr. Aliu. Dhe për çdo urgjencë natën apo ditën, pavarësisht nga ora shefi i repartit duhet të vinte në spital.

Po t’i shtosh kësaj edhe punën shkencore e studimore të përmbledhur në 16 artikuj të botuar në shtypin e kohës dita e punës së doktorit të njohur ka qenë mjaft e ngarkuar.

Libra për një shekull

Një ritëm jetese që nuk ndryshoi aspak edhe pas martesës me Luli Velin, një nga vajzat e njohura intelektuale të Durrësit. Nuk ndryshoi edhe kur lindën vajza Nela, dhe djali Adamanti, të cilët bashkë me emrat trashëgojnë edhe të tjera gjëra nga gjyshërit e tyre.

Njëra ekonomiste në Londër dhe tjetri informaticien me shërbim në vende të ndryshme të globit, mësimet e para të italishtes apo edhe nocionet e gjeografisë, historisë dhe të fesë i kanë marrë nga i jati. “Kur filluan të rriten, gjeja kohën të qëndroja më shumë me ta-thotë dr. Aliu.

Pas vitit 1983, kur doli në pension Ali Sula vazhdoi të jetë konsulent në spital. “Shkonim çdo ditë me dr. Paskal Prodanin”-kujton ai emrin e shokut dhe kolegut të nderuar kirurg.

Bisedojmë për fillimvitet 1990 dhe gjithçka duket sikur ka ndodhur dje.

Dr. Ali Sula në legjislaturën 1992-1996 ka përfaqësuar Durrësin në Kuvendin e Shqipërisë. Në të njejtën kohë është bërë një nga nismëtarët e krijimit të shoqatës “Durrësi” si dhe të rivitalizimit të Kryqit të Kuq shqiptar.

“Përmbytja dhe shkatërrimi i godinës së vjetër të spitalit në vitin 1992 krijoi mjaft vështirësi për sistemimin e reparteve të pediatrisë dhe patologjisë”-kujton doktori, i cili ka insistuar pranë Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara UNDP për të siguruar fondet e nevojshme për vazhdimin normal të veprimtarisë mjeksore në spital.  

Në ballkonin e apartamentit buzë detit ka mjaft dritë. Në plazh disa të rinj marrin rreze dielli, ndërsa biseda me dr. Ali Sulën po i vjen fundit.

E pyes se si e kalon ditën. Nuk më jep përgjigje, por çohet nga kolltuku dhe më sjell përpara disa libra mjekësie e letërsie në shqip dhe në italisht. Mbi tavolinë ndodhet edhe numri i fundit i “The Economist”.

Vitet e fundit dr. Ali Sula pjesën më të madhe të kohës ia ka kushtuar përgatitjes së botimit “Vështrim historik mbi shëndetësinë dhe spitalin e Durrësit gjatë shekullit të 20-të”, një publikim dinjitoz që i ka shërbyer edhe institucioneve. Është dëshmia e mjekut 95-vjeçar Ali Sula mbi sistemin ku ai ka punuar për vite me radhë, duke sjellë në kujtesë edhe ata që hodhën themelet e shëndetsisë në qytetin bregdetar dhe që tani nuk jetojnë më.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen