Ai mbahet si njëri ndër themeluesit e shërbimit veterinar e zooteknik në Shqipëri dhe edhe si njëri ndër futbollistët e parë shqiptarë që ka luajtur jashtë vendit, në një sezon të rregullt futbollistik, para se këtë ta provonin Riza Lushta e Loro Boriçi në Itali. Jetoi në dy epoka dhe në fund vdiq me disa pengje, ndër të cilat ishin mosbotimi i shumë veprave, të cilat, sa ishte gjallë nuk mundi dhe nuk e lejuan t’i botonte.
Për të kanë shkruar e dhënë mendimet e vlerësimet e tyre shumë figura, që nga ish anëtarët e Regjencës, Patër Anton Harapi e Lef Nosi, e deri tek krerët e ish-regjimit të vjetër, të cilët megjithëse i kishin shkaktuar shumë dhimbje dikur, ia njihnin dhe ia vlerësonin meritat. Në një bisedë me të birin, Genc Samimi, mësojmë shumëçka rreth të kaluarës së ndritur të babait të tij, të cilin edhe ai vetë me modesti e cilëson si një njeri erudit e pasionant të paetur.
FËMIJËRIA DHE RINIA
E ndarë mes Shqipërisë, Turqisë e Gjermanisë, në realitete të ndryshme. Kjo ka qenë fëmijëria, adoleshenca dhe rinia e hershme e Vasfi Samimit, ose e djalit me shami të verdhë, siç e thërrisnin shokët në gjimnaz. Por si nisi rrugëtimi i dr. Samim Visokës? Largohet fare i vogël nga vendlindja, ku kishte mbetur jetim ( datëlindja mendohet të jetë viti 1905, por ky fakt nuk na dëshmohet dot zyrtarisht, na thotë Genci), duke u marrë nga dajallarët e vet e pas disa peripecive vendoset në Stamboll, ku kryen filloren e spikat për pasionin e zgjuarsinë.
Pas gjimnazit nis studimet e larta në Stamboll ku diplomohet në vitin 1927 si “Mjek Veteriner” me rezultate të shkëlqyera. Pikërisht në këtë kohë, teksa zienin pasionet që s’mund t’i linte dot në heshtje, stërvitet me ekipin lider të Stambollit, “Fenerbahçe”, si portier i dytë dhe aktivizohet dy sezone të rregullta në vitet 1927-1928 me ekipin e parë.
Njëkohësisht ushtron gazetarinë me korrespondenca për gazetat e mëdha turke si “Hyrrijet” por edhe në revistat qëndrore “Serveti Fumun”, “Resimli-Aj”, “Vakit” etj. Në të njejtën kohë merret edhe me veprimtari krijuese letrare. Shkroi disa drama, disa prej të cilave u vunë në skenë me sukses nga disa trupa teatrale me emër në Stamboll, në Zskzdar e në Kadikoy.
THIRRJA E ATDHEUT
I biri, Genci, na thotë se ndoshta e bëri edhe për t’i shpëtuar shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Turqi, porse realisht, ai iu përgjigj thirrjes së Bilal Golemit, babait të veterinarisë shqiptare, për të ardhur e kontribuar pasi: “Shqipëria ka shumë nevojë për veterinerë, mjekë etj.-i shkruante Dr.Bilali. dhe vijonte: ”çdo intelektual, kudo që ndodhet, këtu do të pritet mirë”.
(Shih revistën “Panorama”, e përmuajshme e Ministrisë së Bujqësisë, 1991, nr.11,f.35) Nis punë në prefekturën e Vlorës, në shërbimin zooteknik, por aktivizohet rregullisht edhe me ekipin e futbollit të qytetit si portier. Ndërsa merr në këtë kohë edhe nënshtetësinë shqiptare, i del një bursë 2-vjeçare për specializim në Universitetin e Berlinit, në vitin 1929, dhe më 19 dhjetor 1931 mbron disertacionin me vlerësimin “sehr gut bestanden” (Shumë mirë), duke merituar gradën e lartë shkencore: “Doktor i mjekësisë së veterinarisë”.
Njëkohësisht ndiqte edhe kurset për aktrim në metropolin më të madh artistik të Europës për kohën. Admironte shkollën e Rajnhardit, mësuesit të Aleksandër Moisiut, dhe sigurisht këtë të fundit vetë, të cilin e kishte parë edhe “live” e për të cilin më vonë shkroi pesë artikuj në shtypin e viteve ’30 pa kthimit në atdhe.
KTHIMI NË ATDHE, EPOKA PARA ÇLIRIMIT
Pas përfundimit me sukses të studimeve kthehet në atdhe ku e priste një punë e madhe në shërbim të atdheut. Pas një emërimi afatshkurtër si Shef i Zooteknisë në Ministrinë e Bujqësisë dhe të Pyjeve, më 20 shtator 1933 gradohet Drejtor i Veterinarisë duke zëvëndësuar Dr.Bilal Golemin, që e kishin dënuar e burgosur si pjesëmarres në lëvizjen e Vlorës, gjë të cilën e përjetoi shumë keq.
Me siguri kjo e shtyu të kishte një alergji për politikën, në të cilën ai kurrë nuk pati aktivizim praktik, në asnjë kohë e regjim. Vitet 1933-1940 për Dr.Vasfiun ishin vite të një pune intensive për organizimin e shërbimit veterinar e zooteknik. Në arkivin e tij vetiak ruhen shumë studime, raporte dhe trajtesa për gjendjen dhe zhvillimin e këtyre degëve në Shqipërine e atyre kohëve, si dhe shumë shkresa, letra e dokumenta që i drejtoheshin atij nga kryeveterinerët e qarqeve dhe të qyteteve të ndryshme të vendit.
Njëkohësisht ka një lulëzim edhe veprimtaria e tij letrare e gazetareske, ku shfrytëzon masivisht shtypin periodik të kohës. Kështu vijon jeta e tij edhe gjatë pushtimit, ku anëtarët e regjencës megjithatë nuk mund ta linin dot pa vlerësuar kontributin e tij në një vend plot halle e prapambetje. Patër Anton Harapi dhe Lef Nosi e dekorojnë për meritat e tij me titullin: “Mister i Kulturës Shqiptare”. Në vitin 1940, u emërua Inspektor Epror i Blegtorisë, detyrë të cilën e vazhdoi deri në fund të nëntorit të vitit 1944.
BURG, VLERËSIM DHE ZHGËNJIME PËRKRAH PASIONIT
I biri, Genci tregon se babain ia arrestuan me të ardhur komunistët në Tiranë, megjithëse mbi të nuk mund të ngrihej asnjë akuzë konkrete. Më 7 dhjetor 1944 e futën në burg. E morën nga shtëpia katër partizanë që nisën të talleshin, duke e qëlluar me pushkë e kërcënuar me vdekje para portës së shtëpisë. “Babai me ka treguar se në ato çaste, thjesht i lutej Zotit që vdekja t’i vinte sa më e lehtë”, thotë Genc Samimi, inxhinier ndërtimi.
“Më vonë i përdorën si akuzë librin “Nëna Kosovë”, të cilin e kishte botuar në vitin 1943, pasi Kosova ishte dhe mbeti deri në vdekje, pasioni dhe dhimbja e tij”. Gjatë hetuesisë, i kishte thënë Bedri Spahiut, që të mos shihte me syze të errëta, pasi në libër nuk përmendej në asnjë rast fjala “shkjahu” me konotacionin që kjo fjalë mbart, pasi flasim për një kohë kur marrëdhëniet me Jugosllavinë ishin “tepër miqësore”.
Në shtypin e kohës, dënimi i tij u përcoll me fjalët: Ja ç’tha armiku i popullit”. Prokurori gjatë pretencës dha 5 vjet, por ai u dënua me 3. Vetë Dr. Samimi në kujtimet e veta shkruante: “Mbas çlirimit jam arrestuar dhe dënuar politikisht për nje vit rresht per shkak të botimit të librit “Nëna Kosovë” dhe disa artikuj me temë kundër vëllavrasjes, pa asnjë lidhje me “Ballin Kombëtar”. Kur jam liruar, jam dërguar në fermën e Sukthit “me privim lirie”.
Kam punuar 1 vit si teknik e specialist. Më 1946, duke fituar nga amnistia e parë, jam liruar. Në rrethana të tilla “të vështira materiale dhe morale dhe nën një kontroll nga disa njerëz” kam arritur rezultate teknike, prandaj Ministria më gradoi “Shef operativ”...”.
Më pas kontrolli dhe survejimi do të vijonte pandërprerë dhe ai do të konsiderohej “njeri me njollë”, ndërkohë që kurba profesionale do të njihte rritje, karriera e tij do të njihte ulje-ngritje, sipas humorit të krerëve komunistë të kohës, të cilët, sidomos gjatë viteve të fundit të jetës, “u kujtuan” për t’ia vlerësuar kontributet tek-tuk, dhe vetëm me fjalë, pasi me vepra, për të rezervohej gjithmonë harresa, mosvlerësimi material e intelektual e ndalimi apo kufizimi i botimeve, për të mos folur më tej për moslejimin absolut për të marrë pjesë në konferenca e aktivitete ndërkombëtare. Kontributet e tij në ato dekada e vite që i mbetën për të jetuar, derisa dha shpirt më 4 gusht 1981, renditen të shumanshme.
Kështu nis nga puna në sektorin e fermës së Sukthit, pastaj në Instituitn e Veterinarisë në Shkodër, punoi më pas në Institutin Bujqësor të Kamzës, e deri si mësues i thjeshtë në qytetin e nxënësve në Tiranë. Genci tregon detaje, kur Hysni Kapo kishte urdhëruar t’a merrnin menjëherë nga “qyteti i nxënësve” e ta sillnin pegadog në Kamëz, pasi kishte konstatuar se atje mungonte prezenca dhe eksperienca e Dr. Samimit.
Po ashtu, të shumta ishin edhe zhgënjimet e kritikat që Dr. Samimi bënte në shtëpi, për atë çka ndodhte për shembull me mangësitë e furnizimit të popullit me mish e prodhime blegtorale, madje thotë se i ati e kishte parashikuar një rrënim të atillë të ekonomisë socialiste, shumë kohë para se të ndodhte “tufëzimi”. Por në aspektin teknik, ai për shembull, ishte një kritik i fortë i përzierjes racore të lopëve, dhe i mbetej besnik racës së pastër shqiptare, megjithëse sigurisht se i njihte përparësitë e racave të veçanta që vinin nga Europa e përmirësonin prodhimin.
PASIONI PËR SPORTIN DHE TEATRIN
Pasionin për sportin e teatrin e ndiqte tashmë në forma të tjera. Në çdo ndeshje merrte me vete edhe të shoqen e shkonin në stadium. Dikur,kur Gjermania shpallej kampione bote, ai i shkruante një letër trajnerit të kombëtares gjermane, Helmut Schoen, ku i shprehte urimet për suksesin dhe ngrinte lart aftësitë e tij teknike. Po ashtu, vlerësonte pjesët teatrale e shihte me sy kritik edhe lojën e aktorëve të veçantë. Kishte vlerësim për Naim Frashërin ( aktorin e madh shqiptar), por thoshte se ai mund të jetë një partizan i mirë (në rol), por vështirë se bëhet dot një “Hamlet”, pohon Genc Samimi.
ÇFARË I THA ENVER HOXHËS
Në Shkodër pati fatin të njihej me Enver Hocxhën e Hysni Kapon. Në një takim ku ndodhej edhe “udhëheqësi”, ai ngrihet një moment dhe i kërkon atij që të kujdeseshin më shumë për porositë e tij, dmth. kolitë me libra, të cilat herë pas here nuk i vinin ose i ktheheshin mbrapsht. Të gjithë kujtuan se ai do të ankohej për transferimin, por meraku i tij i vetëm ishin librat.
Më pas sidomos Hysni Kapo e Mehmet Shehu, tregonin në dukje vëmendje ndaj tij dhe bënin rekomandime për t’a vlerësuar siç duhej. Kështu ndodhi që nga infermier i thjeshtë veterinar, të bëhej sërish drejtor. Gjithashtu, për këtë, dikur kishin ndikuar edhe specialistët rusë, të cilët ishin habitur me aftësitë shkencore të Dr. Samimit dhe ishin shprehur se: “Ne s’kemi se çfarë t’i mësojmë atij njeriu, pasi ne jemi nxnësit e tij”.
KALI I SKËNDERBEUT ËSHTË MONGOL
Dihet se Dr. Samimi kishte një pasion të veçantë e admirim për kuajt. Dikur, në një bisedë me stafin që do të bënte të mundur instalimin e veprës madhore të skulptorit të popullit, Odhise Paskali, “Skënderbeu”, që sot mbretëron në Tiranë prej dekadash, ai thuhet se kishte shprehur rezerva për përmasat dhe racën e kalit që do mbante Heroin e madh shqiptar.
Sipas Dr. Samimit, ai i përkiste racës mongole, gjë e cila sipas tij, nuk ishte e drejtë dhe realiste. Gjithsesi, ky fakt nuk na përcillet nga i biri, Genci, por vjen nga një studiues tjetër i veprës së tij, Dr. Laurant Bica, i cili ka njohur çdo detaj të jetës dhe veprës së Samimit, në Shqipëri e Stamboll. Vetë Dr. Bica është shprehur diku për të se: “Akademinë e kërkoja gjetkë, kur e kisha në krah Samimin”.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.03.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)