Në një kohë kur tryeza politike diskuton konsensusin për draftin e Reformës në Drejtësi janë gjyqtarët e Krimeve të Rënda dhe Apelit që kundërshtojnë shkrirjen e Gjykatës së Krimeve e cila preket me hyrjen në fuqi të reformës.
Kundërshtimet u shprehen në analizën vjetore të Krimeve të Rënda dhe Apelit nga dy krerët e këtyre gjykatave Sandër Simoni dhe Femi Petku.
“Ngrejmë prapë edhe një herë diskutimin a është e nevojshme parashikimi në Kushtetutë i organizimit të një gjykate të posaçme kur ne e kemi ndërkohë këtë gjykatë të posaçme" ka thënë Simoni ndërkohë që Petku ka shtuar se, “Del që kjo gjykatë pushon funksionet në bazë të kësaj pakete kushtetuese kur reforma do një shtytje përpara pikërisht kjo strukturë dëmtohet apo cënohet”.
I pranishëm në këtë analizë Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani u shpreh se Krimet e Rënda janë një histori suksesi në këto 12 vite dhe duhet që të jenë shembull për të gjithë sistemin e drejtësisë.
“A është e mundur që të gjithë gjykimin penal ta sjellim në këtë standard gjykimi dhe jo të prishim këtë projekt për të sjellë, për ta çuar në katastrofën e gjykimit normal po themi penal i cili zvarritet i cili zvarritet, janë të gjitha të vërteta këto” ka thënë Manjani.
Në analizën vjetore të Krimeve të Rënda nuk kanë munguar dhe shqetësimet për zvarritjen e proceseve gjyqësore ku sipas Simonit shkak përgjatë 2015 është bërë mos paraqitja e prokurorëve.
“Ka çuar në shtyrjen e proçeseve mungesa e prokurorëve në seancat gjyqësore për të cilët ne do ti drejtojmë në përfundim të kësaj analize” ka thënë Simoni
Ndërsa për Kreun e Apelit të Krimeve të Rënda shqetësim mbetet siguria fizike e gjyqtarëve gjatë kohës që ata transferohen në rrethe dhe lëvizin në kushte të papërshtatshme përfshi dhe automjete që prishen rrugës.
“Gjyqtari i krimeve të rënda që ka një status të veçantë lidhur me sigurinë fizike mund të ekspozohet rrugëve të vendit në distanca tepër të largëta” ka deklaruar Petku.
Përgjatë vitit 2015 në Gjyaktën e Krimeve të rënda janë gjykuar 311 persona ku 233 të gjykuar janë meshkuj dhe 18 gra.
Po ashtu në 2015 nga kjo gjykatë janë vendosur 21 masa sekuestro për pasuritë e përfituara nga aktivitetet e jashtëligjshme të grupeve kriminale si dhe 14 konfiskime pasurish për llogari të shtetit.