Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kundërshtuar draftin e propozuar nga Partia Socialiste për ndryshimin e rregullores së Kuvendit. PD i cilëson ndryshimet e propozuara nga mazhoranca si të njëanshme dhe të pakonsultuara me pakicën parlamentare.

Bardhi thotë se ky veprim është një dhunim i të drejtës së opozitës për tu shprehur për rregullat e bashkëjetesës parlamentare. Në reagimin e tij ai shkruan se PD-së po i pamundësohet ushtrimi i rolit të vet politik në këtë shoqëri demokratike.

“Rregullorja e Kuvendit nuk është Statuti i PS, që ndryshohet çdo muaj sipas vullnetit të vetëm një partie politike. Rregullorja e Kuvendit është ligji që garanton bashkëjetesën e të gjitha forcave politike brenda institucioneve demokratike, përcaktuar në mënyrë konsensuale dhe tashmë me rregulla të konsoliduara.

Nëse një palë dikton rregullat e bashkëjetesës në mënyrë të njëanshme, atëherë kjo është dhunë e shumicës ndaj pakicës brenda Kuvendit! Bashkëjetesa brenda institucioneve demokratike pamundësohet dhe opozitës i diktohet me forcën e kartonit edhe nëse duhet të flasë apo jo, sa duhet të flasë dhe çfarë duhet të thotë.

Duke dënuar me forcë provokimin e ulët të Grupit Parlamentar të PS përmes propozimit të ri të njëanshëm për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, i rikujtoj se po nxit përmes veprimeve të njënashme, defunksionalizimin e Kuvendit dhe po i pamundëson opozitës përmbushjen e vullnetit të saj për të ushtruar rolin e vet në një shoqëri demokratike.

Rikujtoj po ashtu, që në vitin 2012 ndryshimi vetëm me KONSENSUS i Rregullores së Kuvendit ishte kusht i Komisionit Europian që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat për në BE. Po sot? Sot është kthyer në një leckë me të cilën mazhoranca e korruptuar e Edi Ramës provokon çdo muaj opozitën, edhe kur kësaj të fundit i jep të drejtë njëzëri Gjykata Kushtetuese. Pa asnjë grimcë ndjese, pa asnjë grimcë reflektimi”, tha Bardhi.

Ndryshimet në rregulloren e parlamentit të propozuara nga kryesia e grupit socialist, fuqizojnë ndjeshëm Komisionin e mbikqyrjes institucionale. Ai do të jetë i vetmi ku do të raportojnë drejtuesit e institucioneve të pavarura, të cilët nuk do të jenë më të detyruar të paraqiten as në seancë plenare. Drafti propozon përgjysmimin e kohës së fjalës së ministrave dhe deputetëve, si dhe futjen me procedurë të përshpejtuar të ligjeve që lidhen me integrimin, të vetmit që aktualisht janë të përjashtuar nga ky rregull.