Analisti Ben Andoni e cilësoi si një përgjigjie aspak të duhur reagimin e Prishtinës zyrtare sa i takon draft-statutit të propozuar nga kryeministri Edi Rama për Asociacionin në Kosovë. Në një lidhje ‘skype’ për Report TV me gazetarin Arbër Hitaj ai tha se një dokument i tillë duhej të kishte qenë më transparent gjatë kohës që përgatitej.

Ndërsa tha se reagimi i Prishtinës ishte i pajustifikueshëm, analisti tha se vjen si shkak i protagonizmit që Albin Kurti ka në Kosovë ashtu si Rama në Shqipëri.

“Është me të vërtetë jo normale mënyra e përqasjes qoftë në protokoll qoftënë marrëdhëniet mes dy vendve tona. Dokumente të tilla parathuhen, parapërgatiten dhe kanë një lloj transparence sa i përket përgatitjes. Mesa shikoj kjo ka munguar nga Tirana por kjo nuk e justifikon atë reagim të ashpër nga Prishtina. Kur kanë 10 vite që nuk e zgjidhin dot problemin e Asociacionit, një dokument nga Tirana nuk mendoj se është i dëmshëm në këtë rast. Mesa shikoj është kjo pjesa e protagonizmit që në Prishtinë duhet të jetë ai i Kurtit si në Triranë Rama”- tha analisti.

Sa i takon përmbajtjes së draft-statutit të propozuar nga Rama, Andoni tha se fakti që presidenti nuk ka dijeni mbi një dokument të tillë atëherë ka një problem serioziteti në përgatitjen e tij. Ai tha se zgjidhja më ë mirë, do të kishte qenë një draft i hartuar nga ndërkombëtarët por i ofruar përmes Tiranës.

“Nëse këtë dokument nuk e njeh as dokumenti i vendit atëherë ka një problem serioziteti në përgatitjen e dokumentit dhe këtu justifikohet qëndrimi i Prishtinës. Por nuk mund ta paragjykojmë dokumentin sa kohë nuk kemi dijeni. Mendoj më e logjikshmja të jetë një draft i ardhur nga ndërkombëtarët dhe i ofruar përmes Tiranës për shkak se ka marrëdhënie të mira me Prishtinës dhe se Rama ka marrëdhënie të mirë me Vuçiç. Por dersia zyra e presidentit nuk ka pasur asnjë prononcim për këtë rast atëherë unë mendoj se ka një lloj problemi në vetvete si draft”-shtoi Andoni.

Ai theksoi se pavarësisht qëndrimit të pajustifikueshëm të Prishtinës, problemi qëndron tek draft-statuti i hartuar në Tiranë për shkak se nuk ka pasur një dakordësi apo ndërveprim të institucioneve të sigurisë në vend.

Qeveria e Kosovës reagoi ashpër ndaj propozimit të bërë nga kryeministri Edi Rama për Asociacionin në veri të Kosovës, duke e quajtur si një dokument me zero rëndësi.