Një projektligj i ri i sjellë në Kuvend nga qeveria pritet të forcojë mbrojtjen e të drejtave të autorëve, të vendosë më shumë përgjegjësi për platformat digjitale ndërsa për herë të parë do u njihen edhe të drejtat e botuesve të shtypit.

Ndryshimet e ligjit "Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", ishte një nder pikat që u diskutua këtë të martë në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ndryshimet synojnë përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian.

“Ai i përgjigjet rekomandimeve që lidhen me kapitullin shtatë, ku Shqipëria duhet të forcojë mbrojtjen e pronësisë intelektuale, të përmirësojë bashkëpunimin institucional dhe të rrisë efektivitetin e zbatimit të legjislacionit. Për të bërë një hap të nevojshëm për afrimin e tregut shqiptar me rregullat e tregut të brendshëm të BE-së, veçanërisht në mjedisin dixhital, ku përdorimi ndërkufitar i përmbajtjes është gjithnjë e më i rëndësishëm”, tha Sara Mila.

Platformat që shpërndajnë materiale në internet do të mbajnë përgjegjësi për ato që publikojnë përdoruesit. Ato do të duhet të sigurojnë autorizimin nga autorët ose të marrin masa për bllokimin dhe heqjen e përmbajtjeve. Këtu nuk përfshihen enciklopeditë jofitimprurëse në internet, përmbledhjet arsimore dhe shkencore.

Për herë të parë autorët do të mund të kërkojnë, përmes portalit e-Albania, ndërhyrjen e Drejtorisë së Përgjithshme të së Drejtës së Autorit, një institucion i ri që krijohet. Në rast se faqet ndodhen jashtë Shqipërisë, AKEP do të mund të bllokojë aksesin e tyre për përdoruesit shqiptarë.

Risi është edhe njohja e të drejtave të reja për botuesit e shtypit. Platformat që përdorin lajme dhe artikuj në internet do të duhet të shpërblejnë botuesit.

Autorët e veprave të përfshira në një publikim shtypi duhet të marrin shpërblim nga të ardhurat sipas përdorimit të publikimeve të shtypit nga ofruesit e shërbimeve të shpërndarjes së përmbajtjes në internet.

Projektligji lehtëson gjithashtu përdorimin e veprave për mësimdhënie, kërkim shkencor dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Bibliotekat, arkivat dhe muzetë do të mund të digjitalizojnë dhe të publikojnë vepra.

Masat ndëshkimore nuk ndryshojnë, gjobat mbeten në vlerat që kanë qenë, deri në 5 milionë lekë të vjetra për shkelje të së drejtës së autorit. Megjithatë në ndryshimet e sjella në Kuvend qeveria është kujdesur të shtojë edhe një nen që e thekson se masa ndëshkimore nuk shuan detyrimin për pagesën e së drejtës së autorit. Pra gjobitja në asnjë rast nuk të heq detyrimin për të dëmshpërblyer palën e dëmtuar.