Ndryshimet në ligjin për të drejtën e autorit, me fokus te mbrojtja dhe pagesa e autorëve në kushtet e zhvillimit të teknologjisë dhe platformave dixhitale ishin në qendër të diskutimeve në Kuvend. Në dëgjesën e parë, përfaqësuesit e institucioneve të kinematografisë dhe të drejtës së autorit ngritën shqetësimin për përdorimin e materialeve artistike pa autorizim dhe pa pagesën përkatëse.

“Sot në Shqipëri aktorët shqiptarë, këngëtarët shqiptarë, artistët shqiptarë, shkrimtarët shqiptarë nuk kanë arritur dhe nuk arrijnë dot të marrin të ardhurat që u takojnë nga përdorimi i veprave të tyre, nga shitja e veprave të tyre, nga transmetimi i veprave të tyre, sepse kemi çaluar si sistem.”, tha Ina Zhupa, deputete e PD-së.

E njëjta problematike është evidentuar edhe me materialet e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, të cilat, sipas drejtorit Eljan Tanini, ripërdoren dhe publikohen në rrjetet sociale pa respektuar të drejtat e autorit.

“Problemi është tek ata që duan ta keqpërdorin materialin, një film të caktuar, një video, qoftë kjo edhe një dokumentar të vjetër. YouTube-i është një nga problemet e tjera. Në YouTube është një batërdi e madhe materialesh ku autorët nuk kanë marrë kurrë asgjë.”, tha Eljan Tanini, drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror i Filmit.

Tanini kërkoi një rol më të fortë të institucioneve në heqjen e përmbajtjeve të publikuara pa të drejtë, ndërsa vuri në dukje edhe vlerën e jashtëzakonshme të filmave dhe fotografive si pjesë e kujtesës kombëtare.

Nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë u kërkua që ligji i ri të adresojë më qartë transmetimet dhe shfaqjet e veprave audiovizuale në platformat online.

“Mbështesim totalisht riformatimin, një riformatim kaq të gjerë të ligjit për të drejtën e autorit. Na intereson të ketë iniciativa të reja për platformat digjitale, jo vetëm për shpërndarjen e transmetimeve në këto lloj formash.”, tha Rueda Dollapaj, juriste në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë.

Drejtoria e të Drejtës së Autorit vlerëson se projektligji sjell për herë të parë një strukturë dhe procedurë të dedikuar për përdorimet e paautorizuara në platformat dixhitale.

“Ky ligj është inovativ për shkak se adreson përdorimin e të drejtës së autorit në fushën digjitale. Është hera e parë që përcakton që ka një rregullim ligjor, ka një strukturë të dedikuar e cila merret me informacionin e vendosur në mënyrë të paautorizuar.”, tha Borana Ajazi, drejtore e Drejtorisë së të Drejtave të Autorit.

Në komision u ngrit edhe çështja e nivelit të gjobave për subjektet që përdorin muzikë pa paguar të drejtat e autorit.

“Duhet të ketë edhe një balancim të gjobës që të bëhet më e mirë të paguash detyrimin sesa të paguash gjobën. Pjesa digjitale pastaj e rrjeteve sociale ka nevojë për një rregullim shumë të sistemuar.”, tha Zhupa.

Komisioni u ka kërkuar institucioneve pjesëmarrëse që deri më 30 shtator të paraqesin me shkrim propozimet dhe problematikat që duhen reflektuar në projektligj. Dëgjesat do të vijojnë me institucionet, autorët, agjencitë e administrimit kolektiv dhe platformat digjitale.