Brenda 2027-ës, Shqipëria synon përafrimin e legjislacionit të transportit me atë të BE-së, dhe deri në 2030-ën ta zbatojë atë, përcakton strategjia e re e Ministrisë së Infrastrukturës e hedhur në konsultim publik. Drafti parashikon krijimin e një fondi të veçantë për mirëmbajtjen e rrugëve me rëndësi për ndërlidhjen rajonale dhe evropiane.
***
Shqipëria ka ende punë për të bërë në kuadër të përafrimit me standardet evropiane, jo vetëm në aspektin ligjor, por edhe në atë praktik.
Në strategjinë e transportit dhe planin e veprimit 2030, e hedhur së fundmi në konsultim publik, ngrihet si problematikë infrastruktura aktuale, trafiku i rënduar dhe siguria e rrugëve, që në këtë nismë thuhet se kufizojnë ndërlidhjen dhe performancën ekonomike.
“Përshpejtimi i modernizimit të Korridorit VIII, të Korridorit Adriatik–Jonian dhe të nyjeve multimodale është thelbësor për përmbushjen e kërkesave të rrjetit TEN-T, eliminimin e ngushticave dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet porteve, aeroporteve, hekurudhave dhe rrugëve, duke kontribuar në një sistem transporti më efikas, të qëndrueshëm dhe të integruar”,- thuhet në draft.
Vëmendje e veçantë deri në 2030-ën duhet t’i jepet mirëmbajtjes së rrugëve, e cila nuk do të jetë më vetëm përmes kontratave të privatit, bashkive apo ARRSH, por do të ngrihet një fond i posaçëm. Në fokus duhet të jenë akset kryesore të Rrjetit Kryesor dhe Gjithëpërfshirës Trans-Evropian, duke siguruar që rrjeti i Shqipërisë jo vetëm të zgjerohet, por të ruhet gjithashtu në mënyrë efikase sipas standardeve teknike dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.
Ky fond thuhet në strategji duhet të financohet nga tarifat e përdoruesve të rrugës. Aktualisht akset me pagesë janë rruga e Kombit, Thumanë-Kashar dhe së shpejti edhe Tuneli i Llogarasë. Me përfundimin e punimeve me pagesë do të jetë edhe Milot-Fier, pjesë e korridorit blu.
Gjithashtu duhet të vihet në funksion edhe një Sistem për Menaxhimin e Aseteve Rrugore, që të ketë edhe në fokus kontrollin e kontratave shumëvjeçare të mirëmbajtjes së rrugëve.
Në strategji theksohet se vendi duhet të përafrojë legjislacionin në fushën e transportit me atë të BE brenda 2027-ës dhe ta zbatojë plotësisht deri në vitin 2030.
“Megjithëse është arritur progres i konsiderueshëm, Raporti i Progresit i Komunitetit të Transportit për vitin 2025 tregon se rreth 45% e acquis mbetet ende për t’u përafruar plotësisht”, thuhet në strategji teksa theksi vihet tek zbatimi i ligjeve që hartohen, në mënyrë që të lehtësohet aksesi në fondet e BE-së.
“Përtej përafrimit ligjor, Shqipëria duhet të sigurojë zbatim sistematik përmes institucioneve të forta, monitorimit digjital, zbatimit të bazuar në vlerësimin e rrezikut dhe qeverisjes së koordinuar në të gjitha llojet e transportit”.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente











