Filmi artistik “Zgjoi”, një nga prodhimet më të suksesshme të kinematografisë shqiptare në arenën ndërkombëtare, u shfaq në Pogradec, duke sjellë për publikun historinë prekëse të grave të Krushës së Madhe pas luftës në Kosovë.
Bazuar në ngjarje reale, “Zgjoi” rrëfen jetën e grave që mbetën të veja pas luftës së vitit 1999, duke u përballur me humbjen e familjarëve dhe sfidën për të mbajtur fëmijët, në kushte të vështira ekonomike e sociale.
Filmi u prit me interes nga publiku pogradecar.
Në qendër të filmit është historia e Fahrije Hotit, gruas që u kthye në simbol të forcës dhe qëndresës. E pranishme ne aktivitet, ajo u shpreh se filmi pasqyron jo vetëm historinë e saj personale, por edhe realitetin e dhimbshëm të shumë grave të Kosovës.
"Për familjarët dhe dëshmitarët që jemi ende gjallë dhe që e kemi përjetuar atë regjim të ish-Jugosllavisë që ka qenë spastrimi etnik i popullatës shqiptare, shfarosja e njerëzve.. Besoj që në bazë të këtij filmi, brezat e rinj do ta kuptojnë që me të vërtetë ka qenë një luftë e egër në Kosovë, por gratë shqiptare asnjëherë nuk janë dorëzuar” tha Hoti.
Pas luftës, një grup grash nga Krusha e Madhe u bashkuan dhe nisën prodhimin e ajvarit, duke sfiduar paragjykimet e kohës dhe duke e kthyer këtë iniciativë në një model suksesi dhe vetëpunësimi.
Ajo që nisi si një mënyrë për të siguruar të ardhurat e përditshme, u shndërrua në një histori dinjiteti, solidariteti dhe ringritjeje.
“Ka qenë pamundësia për mbijetesë. Krusha shtrihet me një rajon ku janë kultivuar specat gjithmonë. Kemi filluar gjithmonë për ekonominë familjare dhe për fëmijët tanë dhe kemi triumfuar me sukses me produktet tona anëembanë botës” tha Hoti.
Filmi “Zgjoi” është vlerësuar me çmime të shumta ndërkombëtare dhe mbetet një dëshmi artistike për plagët e hapura të luftës në Kosovë. Përmes historisë së grave të Krushës së Madhe, filmi rikthen në vëmendje dramën e mijëra familjeve që ende presin të mësojnë fatin e të afërmve të zhdukur.
Komente











