Në sallën e Pallatit të Kulturës “Dede Ndue Lazri” u vu në skenë drama “Epoka e Robotëve”, një vepër e shkruar rreth 100 vite më parë, por që sot tingëllon më aktuale se kurrë.

Shfaqja u ndoq me interes nga publiku, duke sjellë në qendër një tematikë me ndikim global: marrëdhënien e njeriut me teknologjinë dhe botën virtuale.

Vepra e dramaturgut çek Karel Čapek, u realizua nga Trupa Teatrore “LIS”, nen regjinë e Alket Bushit, i cili punoi me aktorë amatorë, duke e kthyer këtë projekt në një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një trupe të mirëfilltë teatrore.

Në skenë, rolet u interpretuan nga Alesia Alcani, Mark Hilaj, Mario Paloka, Xhulio Lukaj, Ervis Gaspri, Fioraldo Alcani, Gerald Ndreca dhe Megi Coku.

Për aktorët e rinj, kjo shfaqje përfaqësoi një sfidë të rëndësishme, por edhe një mundësi për të treguar përkushtim dhe maturi skenike.

Përmes një loje dinamike dhe emocionale, aktorët intepretuan konfliktin mes njeriut dhe teknologjisë, mes ndjenjës dhe mekanizmit, duke pasqyruar rrezikun e humbjes së identitetit njerëzor në epokën e digjitalizimit.

“Epoka e Robotëve”, e vënë për herë të parë në skenë në Shqipëri, e përball publikun me një realitet që po përjetohet çdo ditë: avancimin e pandalshëm teknologjik dhe pasojat e tij në marrëdhëniet njerëzore.