Drama Kosovare, ndërpret
shfaqjen, spektatorët po qeshnin

Drama Kosovare, ndërpret<br />shfaqjen, spektatorët po qeshnin
TIRANE - “Trenat” titullohej drama e Haqif Mulluqit që u ngjit në skenën e Odeonit të Apollonisë mbrëmjen e 22 korrikut, por që nuk mundi që të shkonte gjer në fund. Një shfaqje që fare mirë hedh poshtë faktin që nuk kemi dramë të mirë shqipe sot. Drama me regjinë innovative të Agim Selimit dhe lojën e shkëlqyer të dysheve të aktorëve Ikballe Qena (Vini) &Ismet Azemi (Vini) dhe Zanë Duraku (Vini)& Fetah Paçarizi (Veni) dhe pse qe një leksion se si mund të jetë një shfaqje teatri, nuk e pa fundin e saj në skenë.

Publiku i shumtë që kishte mbushur shkallët e odeonit, nuk arriti të përthithë dramën e absurdit që trajtonte dhuniumin dhe përdhunimin e grave kosovare nga forcat paramilitare serbe. Ndërkohë që të vinte të qaje kur personazhi femër Vini ulërinte “Po vijnë, ata po vijnë Vini”, pak çaste  para përdhunimit, publiku (më së shumti fare iI ri në moshë) qeshte.

Kur personazhet heshtnin disa çaste në meditim, duke u munduar të iknin nga vetvetja (por a mund të shpëtojë njeriu nga vetja), publiku (gjithmonë një pjesë e tij, dhe respekt për pjesën tjetër), bënte zhurmë. I gjendur para një situate të tillë, autori Haqif Mulliqi, mori një vendim ekstrem, duke e ndërprerë shfaqjen dhe larguar aktorët nga skena. “Një pjesë e publikut  nuk e meriton lojën e aktorëve të mi, kështu që ne po e ndërpresim shfaqjen”, tha autori.

I pyetur pak çaste pasi ndërpreu shfaqjen dhe largoi aktorët nga skena dramaturgu Haqif Mulliqi do shprehej: “Më vjen keq, por dhe pse u bëmë disa herë kërkesë që të mbanin qetësi, një pjesë e publikut nuk e respektuan punën e trupës time. E kuptoj që kjo është një shfaqje e vështirë, që mund të kërkojë një publik specifik, ku për herë të parë shfaqja ka animacion, e ndarë në tre pjesë mund të merrej si një e vetme, me personazhe të interpretuara nga dy grupe aktorësh, të cilët në momente të caktuara dhe këndojnë në skenë, meritonin më shumë respekt.

Ne kemi bërë gjithë atë rrugë për të interpretuar para publikut në Apolonni, por dhe publiku duhet të na respektojë”…
"Trenat" e Haqif Mulliqit nuk trajtonte trenin me të cilin është shërbyer makineria serbe për deportimin e dhunshëm të rreth 1 milion shqiptarëve nga trojet e tyre, por trajton një moment jetësor të qenies njerëzore ku shkaku i dhunimit dhe përdhunimit, identiteti dhe integriteti personal i qenieve njerëzore shkatërrohet deri ne atë masë sa del nga binarët jetësor.

Vini dhe Veni grua e burrë janë dy personazhet e kësaj drame të trishtë që ndodhen në pritje të trenit për të ikur nga fatkeqësia e pritshme që mund tu vinte nga çmenduria çetnike e pushtuesit. Por treni nuk vjen. Vijnë ata që dhunimin dhe përdhunimin pa e zgjedhur moshën (nganjëherë as gjininë) e përdorin si mjet, si armë lufte. Këtu nis drama "Trenat" e Haqif Mulliqit personazhet e se cilës edhe pas pësimit, mbesin në pritje te trenit, por tani për të ikur nga vetja e tyre. Mbesin në pritje të atij treni që do ti shpinte diku, kudo qoftë, larg qenies së tyre fizike, shpirtin, psikën, emocionet, ndërgjegjen , gjakun... e tyre. Dhe (natyrshëm) ai tren për Veni-Vini-n nuk vjen kurrë…

Dramaturgu Haqif Mulliqi duke u intervistuar për Shqiptarja.com
(Në foto Dramaturgu Haqif Mulliqi duke u intervistuar për Shqiptarja.com)

INTERVISTA

Mulliqi: “Trenat” rrëfen përdhunimet e grave nga paramilitarët serbë

Ky është një rrëfim i autorit të dramës “Trenat”, Haqif Mulliqi pak minuta para nisjes së shfaqjes në Apolloni. Mulliqi flet rreth veprës së tij, misionit të Teatrit, ngjarjeve të dhunës gjatë Luftës së Kosovës dhe përvojat vetjake e ndikimin e tyre në krijimtari…

“Trenat” një “Godo” kosovare?
Në fakt është në frymën e dramës së absurdit që shfaq një ndodhi të mundshme siç thotë dhe Aristoteli “Diçka që ka mundur të ndodhë”, por nuk është një histori e vërtetë. “Trenat” trajton historinë e grave të përdhunuara gjatë luftës. Unë mendoj që jo vetëm në Kosovë por në gjithë Ballkanin është heshtur për çështjen e lëndimit të gruas në luftë.

Nuk duhet të harrojmë që në Bosnje, Kroaci e Kosovë janë përdhunuar me dhjetra mijëra gra dhe nuk ështe trajtuar ndonjëherë. Unë kam shkruar një dramë, e cila thjesht është një kujtesë për gratë e përdhunuara, është një tendencë për ta ngritur zërin që shoqëria ta kujtojë dhe të mos e harrojë këtë fakt. Vepra të tillë në fakt kanë edhe një status tjetër sepse përpiqen të krijojnë një lloj teatri si terapi.

Besoj se ky duhet të jetë misioni i teatrit që nga antikiteti njerëzit të bëjnë catharsis apo jo?
Absolutisht po. Kjo duhet të ndodhë dhe ne e kemi bërë në shumë qytete të Kosovës dhe shpresojmë ta japim dhe në shumë qytete të tjera ku mund të shkojë teatri dhe të mbledhim sa më shumë njerëz… që të mos hezitohet të flitet për viktimat e luftës sidomos për gratë që janë strumbullarët e një shoqërie dhe shoqërisë sonë. Personazhet e mi Vini dhe Veni nuk mund të largohen nga vendi gjatë periudhës së luftës në Kosovë dhe ajo i nënshtrohet një dhunimi dhe përdhunimi sistematik.

Janë krijuar dy shfaqje brenda njërës sepse përsonazhet interpretohen nga dy çifte aktorësh, dy në moshë dhe dy më të rinj, sepse përdhunimi në luftë nuk ka preferencë, por është arma më e keqe që dikush mund të përdorë kundër një komuniteti dhe në këtë rast kundër grave. Shfaqjet mund të funksionojnë dhe të ndara por dhe si një e tërë, sepse fati është shumë i njëjtë. Në luftë nuk duhet që një grua të jetë shumë e bukur që të bëhet viktimë e dhunës dhe përdhunimit.

Për ju është hera e parë në Apoloni?
Po. Më vjen shumë mirë që jam në festivalin e Fierit sepse përmes kësaj drame do të përpiqemi të sjellim një grimcë të asaj që ka ndodhur në Kosovë. Dhe pse nuk ka statistika të sakta të grave të përdhunuara, flitet për shifra të mëdha ç’ka do të thotë që shoqëria jonë vetëm tani ka filluar ta hapë problemin, ta debatojë, madje të kërkojë status për këto gra.

Sa ndikon eksperienca jetësore në krijimtarinë tuaj?
Dramat e mia nuk janë të gjitha historike. Unë kam trajtuar dhe tema që nga lufta, paslufta dhe deri tek poblemet e homoseksualizmit. Ky është trend absolutisht europian dhe botëror. Unë nuk e kam trajtuar se është trend, por se është një temë që duhet trajtuar se është pjesë e debatit dhe kërkesë e  gjithë institucioneve.

Shqiptarët nëse duan të ecin përpara duhet të pranojnë të gjitha komunitetet. Ne temat i kemi rreth nesh. Vetëm duhet të dimë ti përzgjedhim dhe ti funksionalizojmë brenda një ideje të caktuar. E vetmja gjë, që i bën njerëzit origjinalë janë idetë. Nëse nuk jemi origjinalë në ide pse të shkruajmë drama e tragjedi kur ato më të bukurat janë shkruar që në antikitet….

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë