Në stadiumin 'St. Jakob-Park' të Baselit, kombëtarja e Zvicrës u përmbys 3-4 të premten nga Gjermania në një miqësore që vlente si nxehmje para Kupës së Botës 2026, që do zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Sfida filloi mirë për vendasit e Murat Yakin, me Granit Xhakën që asistoi për Ndoye dhe helvetët kaluan në epëri pas vetëm 17 minutave lojë. Nëntë minuta më vonë ishte Gjermania që u përgjigj me golin e barazimit me Jonathan Tah, kjo pas asistit të Florian Wirtz.

Fundi i pjesës së parë ishte dramatik, pasi Zvicra kaloi sërish në epërsi me Breel Embolo, por në shtesën e dytë Serge Gnabry barazoi për 2-2 pas asistit të Wirtz.

Në fraksionin e dytë të ndeshjes, Wirtz u kujdes që të kalonte Gjermaninë për herë të parë në epërsi në minutën e 61-të, para se Joel Monteiro të barazonte rezultatin 3-3 vetëm 11 minuta para fundit të takimit.

Ylli i Liverpoolit, Wirtz e kishte ruajtur edhe një gol për në fund, pasi në minutën e 85-të shënoi golin që i dha fitoren 3-4 Gjermanisë në Basel. 45 minutat e para për Zvicrën luajti edhe kapiteni Granit Xhaka, teksa në pjesën e dytë vendin e tij e mori shqiptari tjetër, Ardon Jashari.