Katër ditë pas humbjes në kampionat Tirana do rikthehet sërish në Durrës për t’u përballur me Teutën, por këtë herë për gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Në ‘Niko Dovana’ bardheblutë do ta nisin me avantazhin e 3 golave pasi në ‘Elbasan Arena’ hodhën një hap të rëndësishëm drejt finales duke fituar 3-0.
“Ndeshja që sapo iku sigurisht që është shpejt dhe mërzitja është prezente, por pas humbjes jemi munduar që ta kalojmë dhe të përqendrohemi te ndeshja e ardhshme. Në futboll ka humbje, ka fitore, por ka edhe barazime,”-u shpreh Orges Shehi, trajner i Tiranës.
Ndërkohë po të mërkurën në Rrogozhinë Egnatia do të presë Vllazninë, ekipin që po kalon një minikrizë. Ndeshja e parë në Shkodër u mbyll me shifrat 1-1, por për shkodranët Egnatia është kthyer në macen e zezë. Vetëm pak ditë më parë rrogozhinasit i shkatërruan 0-4 në kampionat.
“Duhet të mbledhim veten, medjen sepse ka ardhur fundi i sezonit. Pikësëpari duam të bëjmë një lojë të bukur, mos ti ngjajë ndeshjes së fundit që kemi bërë në kampionat kundër Egnatias, që ka një ekip mjaft kualitativ. Më vjen keq që kundër tyre nuk do kemi në dispozicion 3-4 futbollistë kryesorë,”-tha Goce Sedloski, trajner i Vllaznisë.
Egnatia-Vllaznia nis të mërkurën në orën 14:00, ndërsa Teuta-Tirana në orën 17:00. Finalja e Kupës së Shqipërisë është në program më 1 qershor në ‘Air Albania’.