Punimet në rrugën Berat-Ballaban kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa në terren punonjësit po shohin në detaj asfaltimin, vendosjen e sinjalistikës rrugore e barrierave mbrojtëse. Ndërtimi i trupit të rrugës, veprave të artit dhe elementëve të tjerë të projektit ka përfunduar.

Aksi, me gjatësi rreth 60 kilometra, lidh tre bashki të rëndësishme, Beratin, Përmetin dhe Tepelenën, duke krijuar një lidhje më të shpejtë mes këtyre zonave.

Punimet janë zhvilluar në tre lote dhe tashmë janë përqendruar në fazat e fundit, me synimin që rruga të jetë më e sigurt dhe funksionale për banorët dhe drejtuesit e mjeteve.

Përveç lehtësimit të lëvizjes, rruga, e cila gjarpëron mes pishave të larta, pritet të ndikojë edhe në zhvillimin e zonave që përshkon, duke u shërbyer dhjetëra fshatrave dhe duke krijuar kushte më të mira për turizmin, agroturizmin dhe aktivitetin bujqësor.