Në shkrimin që mban titullin “Qeveria bllokon llogaritë bankare të RD” kjo gazetë thotë se, qeveria përmes Përmbarimit i ka bllokuar llogaritë bankare para disa ditësh.
“Report TV” ka mësuar se ky veprim lidhet me një ngjarje të ndodhur disa vite më parë. Është mësuar se në vitin 2003 gazeta “Rilindja Demokratike” ka humbur një gjyq me ish-ministren e qeverisë së Fatos Nano, Esmeralda Uruçi për një shkrim të korrespodentit të gazetës asokohe në Shkodër. Gazeta nuk ka paguar detyrimet dhe sot pas 14 vitesh Përmbarimi ka urdhëruar bankën të bllokojë llogaritë bankare në një bankë të nivelit të dytë. Kjo ngjarje që sillet pas 14 vitesh është interpretuar nga gazeta ‘RD’ si hakmarrje politike.
Drejtësia për Esmeralda Uruçin mbërrin pas vdekjes, pasi ish-ministrja e Kulturës së qeverisë Nano në 2003 ndërroi jetë në vitin 2012 nga një aksident rrugor. Aksidenti ndodhi në 17 dhjetor 2011, në aksin Vorë-Tiranë. Makina e drejtuar nga Dashamir Uruçi ku pasagjerë ishte Esmeralda Uruçi është goditur nga një tjetër makinë.
Dashamir Uruçi u dëmtua lehtë nga aksidenti, ndërsa Esmeralda Uruçi si rrjedhojë e dëmtimeve të marra në aksident në datën 21 mars 2012 ndërroi jetë.
dy.b/shqiptarja.com