Drejtësia e re/ KLGJ i hap rrugë Gjykatës Speciale, do të gjykojë politikanët pas vitit 1990

Viti 2019 do të shënjojë finalizimin e zbatimit të reformës në drejtësi. Pesë vjet pas nisjes së diskutimeve për reformën në drejtësi dhe tre vjet pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese, organet e drejtësisë së re janë në prag të finalizimit. Krahas nisjes së procedurave për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme dhe plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën e Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka hapur rrugë konstituimit të Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë dosjet që do të referohen nga SPAK-u, për të gjitha veprat penale të korrupsionit si dhe për çdo akuzë penale për pushtetarët dhe ish-pushtetarët e lartë që nga viti 1990 e këtej.

Përmes një raporti të depozituar në Kuvend mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ informon Kuvendin se 22 gjyqtarë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit për Krimet e Rënda kanë dhënë pëlqimin për të shërbyer në Gjykatën e Posaçme apo siç njihet ndryshe Gjykatën Speciale. “KLGJ nisi procedurën për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar duke i hapur rrugë krijimit të këtyre gjykatave. Krijimi i gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar përbën një gur themeli, në arritjen e pritshmërive që ka opinioni publik sa i përket reformës në sistemin e drejtësisë.

Në këtë kuadër është kërkuar nga gjyqtarët në detyrë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe të Apelit, të cilët dakordësohen për të vijuar ushtrimin e detyrës se gjyqtarit pranë gjykatës së posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar: Të shprehin interesin e tyre me shkrim, së bashku me familjarët e tyre të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, sipas parashikimeve ligjore. Mbi këtë kërkesë, kanë dhënë pëlqimin pranë KLGJ 14 nga 15 gjyqtarë të cilët ushtrojnë detyrën pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ndërkohë nga 11 gjyqtarë që ushtrojnë detyrën pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, kane dhënë pëlqimin 8 gjyqtarë”, thuhet në raport.

Gjykata Speciale rol në çeljen e negociatave
Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson në raport se Gjykata e Posaçme ose Speciale do të japë rezultate të shpejta në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat janë prioritetet kryesore për hapjen e negociatave. “Krijimin e Gjykatës së Posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, është jo vetëm një detyrim ligjor prioritar pas ngritjes së KLGJ, por vjen si domosdoshmëri për arritjen e rezultateve të shpejta dhe të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat qëndrojnë në krye të listës së prioriteteve për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Këto prioritete kërkojnë jo vetëm struktura të posaçme por edhe specializimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në këtë kuptim bazuar edhe në eksperiencat e rajonit (si p.sh. Kroacia) një koordinim domethënës po kryhet edhe me Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, thuhet në raport.

Gjykata e Lartë
Këshilli i Lartë Gjyqësor informon Kuvendin edhe sa i takon lëvizjeve për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë. “Duke mbajtur parasysh efektet e procesit të rivlerësimit kalimtar për Gjykatën e Lartë, ku aktualisht ushtrojnë detyrën vetëm 2 nga 19 gjyqtarë, KLGJ është fokusuar në hartimin e tre rregulloreve të nevojshme për plotësimin e trupës së kësaj gjykate. Komisioni për Zhvillimin e Karrierës aktualisht ka përfunduar hartimin e rregullave për kriteret dhe procedurën e caktimit të anëtarëve jo gjyqtarë, për promovimin e anëtarëve gjyqtarë pranë kësaj gjykate, dhe rregullave që lidhen me verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët magjistratë, ndërkohë pritet që në ditët në vijim këto rregullore të shqyrtohen dhe miratohen në mbledhjen plenare të Këshillit”, thuhet në raport

Kompetencat e Gjykatës Speciale, neni 135 i Kushtetutës
“Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur”.

KLGJ tre kërkesa Kuvendit
-Rishikimin e kuadrit ligjor dhe plotësimin e vakumit të krijuar për shkak të shfuqizimit të disa dispozitave nga Gjykata Kushtetuese në ligjin nr. 115/2016 dhe ligjin nr. 96/2016, si dhe ndryshimeve të nevojshme që mund të lindin gjatë zbatimit të tyre në praktikë.

-Rritjen e burimeve njerëzore në gjykata me të paktën 150 punonjës për administratën gjyqësore në shkalle vendi kur nevojat e raportuara vlerësohen në të paktën 330 punonjës.

-Mbështetjen financiare në investime për rikonstruksionin apo ndërtimin e gjykatave, si dhe te sistemeve të teknologjisë së informacionit, veçanërisht të Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • USA: 07/07/2019 14:55

    Menjefjale nuk do kemi me parlament apo kryetare bashkish.Vetem ne rast se Zoti vjen ne Tirane dhe behet Kryetari i kesaj gjykate.Lajm shume shume i vjeter.

    Përgjigju
  • Cubi: 07/07/2019 13:50

    O burra se po na cajn gajden keta maskarenj

    Përgjigju
  • Lexues: 07/07/2019 08:07

    Shume zhurme per asgje....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Petro Koçi zbulon pse abstenoi për ngritjen e Komisionit parlamentar për sistemin TIMS

Petro Koçi zbulon pse abstenoi për ngritjen e Komisionit parlamentar për sistemin TIMS